Vrasja e Elton Çiços dhe lidhjet e Shullazit me kupolën e policisë

Lokali ku u vra Elton Çiço në zonën e ish-Bllokut në Tiranë frekuentohej rregullisht nga shefat e policisë, zv/drejtori për Tiranën, Ermal Muça, zv/drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Qebini, shefi i Antidrogës së Tiranës dhe shefi i Krimit Ekonomik, të gjithë njerëz të rekomanduar nga Emiliano Shullazi. Ky fakt bëhet i ditur nga ish-Kryeministri Berisha, duke iu referuar informacioneve që i vijnë në Facebook dhe sipas tij, gjithçka mund të provohet nga kamerat e sigurisë në lokal, shkruan Berisha. Po ashtu bëhet e ditur se, viktima Elton Çiço ka qenë kultivuesi dhe trafikuesi kryesor i lëndëve narkotike për zonën e Jugut.
“Qytetarët dixhitalë hedhin dritë mbi vrasjen e Elton Çiços. Denoncojnë lidhjet e tij në polici. Lidhjet e Milit të partisë me zyrtarë të lartë të policisë, lidhje të denoncuara dhe më parë si dhe kanë rekomandime për prokurorin që heton çështjen. Për më shumë lexoni mesazhet e tyre. sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhet e dy qytetarëve.
“Përshëndetje Doktor,
Një punonjës policie mik i imi që ka qenë në vendngjarje dhe më tha se, në atë lokal shkonin për natë zv.drejtori i Tiranës, Ermal Muça, zv/drejtor i doganave Besmir Qebini, shefi i Antidrogës të Tiranës dhe shefi i Krimit Ekonomik të Tiranës, të gjithë lidhje të ngushta të ministrit Tahiri dhe propozime të Emiljano Shullazit për ecurinë në karrierë të tyre. Viktima Elton Çiço është hetuar në bashkëpunim me Tërmet Peçin, kreun aktual bashkie në Tepelenë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në vitet 2005 dhe 2006. Nga viti 2013 e vazhdim është kultivues dhe trafikues kryesor i lëndëve narkotike për zonën e Jugut me mbështetjen e këtyre personave të lartpërmendur. Po të bllokohen kamerat e lokalit nga Prokuroria për një periudhë kohore dymujore para ngjarjes, të gjithë këta persona dallohen në shoqërinë kriminale të tyre. Ermal Muça po mundohet të prishë provat e krimit”, shkruan qytetari në mesazhin dërguar Berishës.
“Përshëndetje Doktor.
Lexova shkrimin tuaj për hjeksin e Elton Çiços. Çdo gjë që shkruani është mëse e drejtë. Alban Trimi, ish-shefi i Antidrogës është njeriu më i lig që mund të ekzistojë. E ç’mund të presësh nga një mashkull që ka braktisur fëmijën e vet. Është një mashkull që është pasuruar me lekë të pista për shkak të detyrës. Ku i gjeti Alban Trimi lekët për blerjen e apartamentit te Komuna e Parisit vetëm në muajt kur ushtronte detyrën e shefit të Antidrogës. Po makinën luksoze pse vetëm tani?
Kjo tregon qartazi besoj. Por fajin e ka ministri ynë i Brendshëm që e solli përsëri në Tiranë vetëm sepse Albani është shoku i ngushtë i Besmir Qebinit. Gjynah i Zotit kush”…, përfundon mesazhi i qytetarit tjetër.
Zbardhja e filmimeve të kamerave të lokalit ku ndodhi vrasja tregon qartë se si shefit të Hetimit në Komisariatin e Policisë Nr.5 në Tiranë, Alban Trimi fsheh pistoletën dhe telefonin e viktimës. Po ashtu ka qenë edhe një mjek që ka bashkëpunuar me oficerin e policisë në fshehjen e provave materiale.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, oficeri  i policisë duket qartësisht nga filmimet e kamerave të sigurisë, që bashkëpunon me mjekun Redjan Rraja për të fshehur pistoletën dhe celularin e Elton Çiços, pasi ky ishte rrëzuar në tokë nga plumbat e vrasësit.
Kamerat filmuan mjekun Redjan Rraja që vepron i pari. Ai merr pistoletën nga çanta e viktimës dhe së bashku me Alban Trimin dalin jashtë nga lokali në ndjekje të autorit. Madje në kamera duket edhe momenti, kur Rraja mbush pistoletën. Pasi konstatuan se vrasësi ishte larguar nga lokali, të dy u kthyen në ambientet e brendshme. Aty ndodhej miku i tyre i plagosur rëndë me 3 plumba, 2 në kokë dhe një në trup.
Si arma dhe telefoni ende nuk janë gjetur nga policia, ndërsa ngrihen disa pikëpyetje për veprimet e oficerit të policisë. Përse është dashur të fshihet telefoni i tij? Përse u fsheh pistoleta? Dhe për më tepër, përse nuk u arrestua menjëherë pas ngjarjes oficeri i policisë Alban Trimi, por u prit 4 ditë për të vepruar? Këto fakte lënë të dyshosh se vetë krerët e policisë po zhdukin provat për shkak se janë edhe vetë të implikuar në këtë ngjarje të rëndë.

Vrasja, oficeri i policisë fshehu armën dhe telefonin e viktimës

Pistoleta dhe telefoni i Elton Çiços ende nuk janë gjetur në lokalin ku ndodhi vrasja, në një lokal në zonën e ish-Bllokut në Tiranë të dielën e kaluar. Dy të arrestuarit me urdhë të Prokurorisë, mjeku Redjan Rraja dhe oficeri i policisë Alban Trimi, janë filmuar nga kamerat e sigurise teksa fshehin armët dhe celularin e viktimës, për arsye që ende nuk dihen. Po përse u arrestua oficeri i policisë Alban Trimi 4 ditë, pasi ndodhi vrasja?
Burimet Prokurorisë thanë se, efektivi i policisë duket qartësisht nga filmimet e kamerave të sigurisë, që bashkëpunon me mjekun Redjan Rraja për të fshehur pistoletën dhe celularin e Elton Çiços, pasi ky ishte rrëzuar në tokë nga plumbat e vrasësit.
Kamerat filmuan mjekun Redjan Rraja që vepron i pari. Ai merr pistoletën nga çanta e viktimës dhe së bashku me Alban Trimin dalin jashtë nga lokali në ndjekje të autorit. Madje në kamera duket edhe momenti, kur Rraja mbush pistoletën. Pasi konstatuan se vrasësi ishte larguar nga lokali, të dy u kthyen në ambientet e brendshme. Aty ndodhej miku i tyre i plagosur rëndë me 3 plumba, 2 në kokë dhe një në trup.
Rraja e lë armën mbi tavolinën ku pak çaste më parë ishte ulur me miqtë e tij. Së bashku me Trimin, lëvizin trupin e viktimës nga tavolina dhe e vendosin në dyshemenë e lokalit. Kjo lëvizje u bë për t’i dhënë ndihmën e parë Çiços, që ende ishte gjallë. Në këto momente është Alban Trimi që merr armën nga tavolina dhe telefonin e vikimës. Si arma dhe telefoni ende nuk janë gjetur nga policia.
Mbetet në pikëpyetje fshehja e armës dhe telefonit të Elton Çiços. Përse është dashur të fshihet telefoni i tij? Përse u fsheh pistoleta? Dhe për më tepër, përse nuk u arrestua menjëherë pas ngjarjes oficeri i policisë Alban Trimi, por u prit 4 ditë për të vepruar?
Nisur nga këto pamje, Alban Trimi dhe Redjan Rraja akuzohen për prishje të skenës së krimit dhe veprime që pengojnë në zbardhjen e së vërtetës si edhe shpërdorimit të detyrës. Akuza këto që janë mohur nga të dy të arrestuarit. Trimi mban detyrën e shefit të Hetimit në Komisariatin e Policisë Nr.5 në Tiranë dhe akuzohet edhe për shpërdorim detyre.

Oficeri i policisë që fshehu armën u arrestua me urdhër të Prokurorisë

Alban Trimi, oficer policie në Komisariatin Nr. 5 në Tiranë është arrestuar të mërkurën rreth orës 19:00 pas urdhërit të Prokurorisë së krimeve të Rënda. Alban Trimi, ishte në tavolinë me viktimën Elton Çiço, kur ai u ekzekutua me 3 plumba. Trimi dyshohet se ka kryer veprime për pengim të së vërtetës. Ai akuzohet për zhdukjen e provave dhe shpërdorim detyre. 36-vjeçari Elton Çiço u vra mbrëmjen e së dielës, ndërsa ndodhej në një lokal pranë ish-Bllokut me 3 persona të tjerë në tavolinë.
Policia arrestoi edhe personin tjetër, stomatologun Redjan Rraja që ndodhej në tavolinë me viktimën, gazetarin dhe efektivin Trimi. Si Rraja ashtu edhe Trimi dyshohet se kanë fshehur pistoletën dhe telefonin e viktimës. Rraja tashmë është njohur edhe me masën e sigurisë “arrest me burg”.
Ekzekutimi i Elton Çiços në zonën e ish-Bllokut tregoi edhe një herë se krimi bën ligjin. Vrasja ndodhi në zemër të Tiranës në një zonë të mbipopulluar dhe ku forcat e policisë janë të shumta në numër. Edhe pse në tavolinën ku ndodhej viktima ishte një punonjës policie, vrasësi e kreu “misionin” e tij pa asnjë problem, duke krijuar tmerr dhe panik tek qytetarët që ndodheshin të shumtë në zonën ku ndodhi krimi.
Kjo vrasje tregoi edhe një herë se sa të pasigurtë ndjehen qytetarët në jetën e përditshme. Policia që arreston një shitës domatesh pse shet pa leje në trotuar, nuk arrin të arrestojë kriminelët që vrasin në mes të kryeqytetit dhe largohen pa asnjë pengesë. Policia e Tahirit është e paaftë për të luftuar krimin, ndërsa zyrtarët e policisë si në çdo vrasje, “fajësojnë” viktimën, duke deklaruar se “ka qenë me precedentë kriminalë”. Vrasësit lëvizin të lirë të armatosur në mes të kryeqytetit, ndërsa zyrtarët e policisë janë rreshtuar me trafikantët e drogës dhe numërojnë çdo rrënjë kanabisi të mbjellë për të ndarë fitimet me trafikantët.
Si mund të spjegohet fakti që vrasja e krye në një zonë, ku siguria është tepër e lartë, dhe policia nuk ndërhyri për të parandaluar krimin? Si është e mundur që viktima ishte i armatosur dhe ndodhej në tavolinë me një oficer policie? Vrasësi i Çiços është futur qetësisht në lokal me pistoletë në dorë dhe ka qëlluar drejt viktimës që ndodhej në tavolinë edhe me një punonjës policie dhe më pas autori është larguar qetësisht nga lokali.

R.POLISI

Artikulli paraprakBeqja hedh në rrugë 200 infermierë, shkurtimet në 4 muajt e parë të këtij viti
Artikulli tjetërHabilajt, 40 kamionë me pleh për drogën