Vlonjatët intrigantë, kryeministër i ke të zhgënjyer

Silvi BARDHI

Propaganda e kryeministrit të Shqipërisë, për të rrëzuar perceptimin qytetar se Rilindja e tij është një dështim dhe një mashtrim përtej kufijve të imagjinatës, ka filluar të ushtrojë të gjithë funksionin e saj në kurriz të shqiptarëve. Papunësia mbetet problemi më i prekshëm i shqiptarëve sot.
Mijëra vende pune të mbyllura nga rritja e taksave të bizneseve, falimentimit të tyre, rritjes së kostos së jetesës, çmimeve të shportës, heqjes së ndihmës ekonomike, çmimeve të larta të energjisë dhe gjobave selektive. Është ky qerthulli i shqetësimeve të shqiptarëve sot.
Janë problemet që i prekin ata çdo ditë, teksa shohin në ekran kryeministrin e tyre t’u thotë të pavërtetat, ato të “rritjes ekonomike”, “reformimit të sistemit”, “përmirësimit të jetës”. Metoda e daljes live në media, duket se nuk po funksionon më për “Rilindjen”. Ata po kërkojnë të tjera forma propagande për t’i bërë njerëzit të besojnë.
Shqiptarët t’u besojnë veshëve, e jo syve. T’u besojnë gallatës qeveritare, batutave ofenduese, fjalorit aspak etik dhe profesional të një lideri, e jo skamjes që i pret çdo ditë në shtëpi. Rilindja po pretendon të gjejë kanale të tjera për të shpërhapur në opinion se fajin nuk e ka kryeministri për çorientimin kolektiv që i ka bërë Shqipërisë, por baza, drejtuesit në rrethe, kryetarët e PS-së në degë, dhe jo Kryeministri.
Rilindja po tenton të fryjë një situatë false, duke hedhur në media lajme të shkruara nga ajo vetë, të shpërndara kinse si burime konfidenciale të reporterit të medias. Lajmi i vizitës së Ramës në Vlorë, se kinse kryeministri i kishte bërë rezil vlonjatët, duke i quajtur madje edhe thashethemexhinj, është metoda e re e purifikimit të figurës së tij.
Ai i quajti drejtuesit e Partisë Socialiste në Vlorë njerëz që merren me intriga, që nuk e kanë mendjen tek elektorati dhe nuk po u sigurojnë punë. Rama paskërka sulmuar edhe Forumin e Gruas Socialiste, se nuk po punon me strukturat e saj dhe nuk po mbështesin njerëzit në kërkesat që kanë. Por, faji nuk është i tyre. Kryeministri Rama mori përsipër në vitin 2013 të premtonte 300 mijë vende të reja pune dhe i janë kthyer në rreth 300 mijë të ikur, të larguar në azil, të dëshpëruar, të zhgënjyer, të mllefosur nga arroganca e tij.
Nuk është faji i kryetarëve të degëve në Shqipëri se Rama dështoi me shëndetësinë falas, kur premtoi se shqiptarët nuk do të paguanin më asnjë qindarkë për të qenë të shëndetshëm. E çfarë po ndodh, shqiptarët po groposen ende pa e shijuar jetën për faj të sistemit shëndetësor që nuk siguron dot ilaçet në spitale, aget, serumet, të cilat blihen vetë nga familjarët e pacientëve. Nuk e kanë fajin kryetarët e degëve të PS-së se, Rama premtoi dhe zhgënjeu shqiptarët. Ndaj kjo formë e gjetur e propagandës për të purifikuar figurën e Ramës, nuk shkon, madje është pështirosëse. Më mirë të heshtë! T’i lërë shqiptarët në hallin e tyre!

Artikulli paraprakDako, Rama dhe klienti i tyre po rrënojnë pasurinë historike, për të përfituar 6 milionë dollarë
Artikulli tjetër18 shkurti fillimi i fundit të Establishmentit