Vjedhja e dokumentave sekrete në polici, Prokuroria nis hetimet

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për zhdukjen e 28 dokumentave super sekrete nga kasaforta e Policisë së Shtetit. Prokuroria e Tiranës bëri të ditur se prej më shumë se 10 ditësh janë duke u kryer hetimet për zhdukjen e dokumentave nga kjo kasafortë, e cila ka qenë në varësi të drejtuesve më të lartë të Policisë së Shtetit. Ndër të tjera, Prokuroria ka sqaruar se hetimet po kryhen pa emra konkretë për zyrtarë të policisë të përfshirë në këtë skandal të zbuluar nga kontrolli i brendshëm në polici, SHKB dhe proçedimi është regjistruar me akuzën e “shpërdorimit të detyrës e nxjerrjes së sekretit shtetëror”.
28 dokumentat super sekret nga kasaforta e Policisë së Shtetit janë vjedhur dy javë para se Tahiri të pushohej nga detyra e ministrit të Brendshëm. Tahiri u shkarkua nga Rama si ministër i Brendshëm më 11 mars, ndërsa më 27 mars mori detyrën si ministër Fatmir Xhafa. Dokumentat top sekret ruhen në kasaforta me kode tepër sekret dhe që hapen vetëm në prani të ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të Krimit të Organizuar në Polici, Ardian Çipa.
Pak ditë më parë, ishte ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili referuar denoncimit të “komisarit dixhital” denoncoi zhdukjen e 28 dokumentave nga kasaforta super sekrete. Në një postim në Facebook, Berisha shkruante se, në kasafortën e Ministrisë së Brendshme, Ardian Çipa dhe Saje qorri kanë vjedhur dokumentat super sekrete, ndërsa Xhafa dhe Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumentave. Berisha i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat super sekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!
“Komisari dixhital informon zhdukjen e 28 dokumentave super sekrete për krimin, nga kasaforta super sekrete e Policisë së Shtetit. Në ministri të gjithë e dinë se ato i kanë vjedhur Ardian Çipa dhe Saje qorri. Xhafa-Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumentave.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat super sekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!”, shkruan Berisha, duke publikuar edhe mesazhin e komisarit të policisë.
“Mirëdita Doktor, desha t’iu informoj se te Drejtoria e Krimit të Organizuar ku është Ardian Çipa kanë humbur 28 shkresa tejet të rëndësishme me siglën tepër sekret. Për këtë zhdukje të dokumentave top sekret, të cilat ruhen në kasaforta me kode tepër sekret dhe që hapen vetëm në prani të drejtorit Çipa, kanë një javë që kanë pezulluar vetëm nivele të ulëta drejtimi. Të gjithë e dinë se mbrapa kësaj vjedhje qëndrojnë direkt Tahiri dhe Çipa, pasi bëhet fjalë për informacion të klasifikuar tepër sekret. Ju lutem shumë bëjeni publike, sepse Xhafa dhe Çako po bëjnë presion të madh për të mbyllur skandalin”, shkruante komisari i policisë.
Ministria e Brendshme nuk bëri asnjë reagim pas publikimit të skandalit nga ish-Kryeministri Berisha për zhdukjen e dokumentave sekrete. Po ashtu as nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk pati asnjë reagim për këtë super skandal shtetëror. Vjedhja e dokumentave sekrete është bërë qëllimisht nga Tahiri dhe Çipa për të zhdukur gjurmët e krimeve. Për të larë duart nga ky super skandal, janë pezulluar nga puna disa punonjës policie, që nuk kanë patur asnjë lidhje me zhdukjen e dokumentave sekrete, sepse ato ruhen në kasafortën që hapet vetëm me kod sekret në prani të ministrit dhe drejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Në zhdukjen e dokumentave sekrete është përdorur e njëjta skemë si në rastin e djegies së Laboratorit të Kriminalistikës në fillim të muajit nëntor të vitit 2015, ku u zhdukën provat e drogës të sekuestruara nga Prokuroria. Pas zhdukjes së monstrave të drogës së sekuestruar u lanë të lirë trafikantët e drogës, të cilët kishin bashkëpunuar me krerët e policisë për trafikimin jashtë shtetit.
Policia pranoi rënien e zjarrit, por deklaroi se kishte patur vetëm dëmtim të kabujve elektrikë në katin e dytë të godinës të Laboratorin Shkencor. Ndërsa fotografitë e publikuara nga ish-Kryeministri Berisha tregonin se zjarri kishte rënë në korridorin ku ndodhej droga dhe dosjet kriminale. Një oficer policie i shkruajti Berishës atëherë se, nga zjarri i qëllimshëm u dogjën 240 kg drogë dhe 49 dosje të krimeve të rënda.
Berisha ishte informuar nga një oficer policie, sipas të cilit, natën, çunat e krimit i kanë vënë në katin e dytë zjarrin Laboratorit të Policisë Shkencore, ku mbaheshin dhe shqyrtohen provat e narkotikëve dhe dokumentat më të rëndësishme të dosjeve të bandave, përfishirë këtu dëshmitë e shumta për lidhjen me krimin dhe bandat e trafiqeve të Tahirit.

R.POLISI

Artikulli paraprakSekuestrohen 1.5 ton drogë në det, helikopteri italian hap zjarr
Artikulli tjetërShoqëruesit e Ramës e rrëmbejnë para takimit