Ventura: Gjermania superiore ndaj Italisë

Giampiero Ventura nuk krijon iluzione. Fitorja 4-0 ndaj Lihtenshtejnit ishte një sinjal se përfaqësuesja e kaltër është një skuadër që nga një ndeshje po vjen në rritje, por për të arritur nivelin e Gjermanisë, Italia ka ende shumë për të punuar. Të martën në “San Siro” luhet klasikja e futbollit europian. Edhe pse bëhet fjalë vetëm për një miqësore, Itali-Gjermani është gjithmonë një sfidë speciale.
Në vigjilje të kësaj ndeshjeje trajneri i axurrëve, Giampiero Ventura uli disi dozat e euforisë në kampin e kaltër, duke theksuar se Gjermania në këto momente është dukshëm superiore krahasuar me Italinë. “Ata kanë shumë cilësi dhe një organizim më të mirë se ne edhe për faktin se kanë vite që punojnë me të njëjtin trajner dhe me të njëjtët futbollistë, madje edhe lojtarët që i janë bashkuar së fundmi Gjermanisë e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, deklaroi më pas Ventura. “Nëse më duhet të flas vetëm për ndeshjen ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën tonë, por nuk e dimë sesi do të shkojë”, theksoi në përfundim të fjalës së tij ish-trajneri i Torinos.

Artikulli paraprakBelgjika e Portugalia, goleadë
Artikulli tjetërRiaftësohet Ramos