Vendimi i qeverisë për të përfshirë biznesin e vogël në skemë drejt “Kushtetueses”

Në Komisionin e Ekonomisë u diskutua projektligji për buxhetin 2018, e cila ndër të tjera parashikon që të përfshijë në skemën e TVSH-së edhe biznesin e vogël. Aktualisht bizneset që kanë një qarkullim vjetor nën 5 milionë lekë janë të përjashtuar nga TVSH-ja. Megjithatë, sipas anëtares së opozitës Jorida Tabaku, ky vendim pritet që të shkojë për gjykim në Gjykatën Kushtetuese. Ajo ka shtuar më tej se buxheti i 2018 vetëm do të rëndojë bizneset e vogla, sepse hotelet e vegjël në Jug të vendit do të vazhdojnë të paguajnë taksën 20 për qind, ndërsa shtoi se edhe FMN-ja nuk e rekomandon vendosjen e TVSH-së.
“Nuk sjell asgjë të re për sa i përket barazisë, vendeve të punës, sepse vazhdon preferenca e bizneseve nga ana e qeverisë”, shtoi më tej Tabaku. Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke, është shprehur se, “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e Departamentit të Taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime”, tha shefi i FMN-së.
Më herët qeveria kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të përfshihen të gjitha bizneset e vogla, duke mbyllur kështu zinxhirin e transaksioneve. Mirëpo ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se pragu do të ulej nga 5 milionë në 2 milionë, duke lënë jashtë skemës fermerët, artizanët dhe një grup profesionesh.

Artikulli paraprakAllegri kritikon lojtarët e Juventusit
Artikulli tjetërSi militarizohen Prefekturat, ish-ushtarakët bëhen prefektë