Veliaj e mbushi Tiranën me kioska për këshilltarët e tij

Kioskat e vendosura si kërpudha në Tiranë janë të këshilltarëve të kryebashkiakut Erion Veliaj dhe njerëzve të tij të afërt. Denoncimi është bërë nga ish-Kryeministri Berisha pas një mesazhi të dërguar nga një qytetar. Qytetari shkruan se dy kioska të Pazari i ri janë të këshilltarit personal të Veliajt, Maklen Misha dhe janë pa kushte higjienike. “Qytetari dixhital denoncon Lal Plehun për mbushjen e Tiranës me kioska me këshilltarin e tij personal Maklen Misha. Lexoni mesazhin e tij”, shkruan Berisha.
“Zoti Berisha, dua të denoncoj një rast abuzimi të Erion Veliajt. Ne mezi hoqëm kjoskat ai i ka dhënë mundësinë këshilltarit të tij të hapë në të gjithë Tiranën kjoskat pa pikë kushti higjiene. Kioskën tek Pazari i ri e ka këshilltari i tij personal, M. Misha. Kioskat e Veliajt nuk kanë ujë të rrjedhshëm dhe shërbejnë në kushte skandaloze. Për këtë qëllim i kanë vënë dhe gjoba nga Higjena, ndërsa një kisokë ja kanë mbyllur tek LSI, i vunë edhe gjobë, por e hoqën prapë pas ndërhyrjes së Veliajt”, shkruan qytetari.
Vendosja e kioskave nga Bashkia e Tiranës në të gjitha kryqëzimet e rrugëve dhe vend e pa vend ka shqetësuar edhe qytetarët, të cilët në pjesën më të madhe i shohin ato të padobishme dhe zaptuese të atyre pak hapësirave publike në Tiranë.
“Kam 20 vite që e blej gazetën në këtë kioskën këtu te Libri Universitar, para një muaji janë vendosur dy kioska të reja, shesin edhe gazeta. Unë nuk e kuptoj, pse na e zënë trotuarin me kioska që ofrojnë të njëjtat gjëra”, tha një pensionist 60-vjeçar që nuk do të identifikohet.
Gjithçka nisi në muajin tetor të vitit të kaluar, kur në kryqëzimet kryesore të Tiranës u panë të vendosura kioska të reja, ndërkohë asnjë njoftim publik nuk ishte bërë nga Bashkia për të argumentuar nevojën e tyre dhe përfitimin e qytetarëve nga kjo iniciativë.
Sot, kur kanë kaluar shtatë muaj dhe rreth 100 kioska të reja janë vendosur në zonën qendrore të Tiranës, Bashkia nuk jep asnjë informacion, përsa i përket pasjes ose jo të një studimi për nevojën e tyre në kryeqytet. Po kështu, Bashkia e Tiranës nuk bën publik asnjë plan, përsa i përket numrit të kioskave që do të vendosen në kryeqytet dhe kohëzgjatjes së qëndrimit të tyre në hapësirat publike.
Ekspertët e urbanistikës e shohin gjithashtu me shqetësim rikthimin e kioskave. Specialistët shprehen se, nuk ka asnjë argument pozitiv për vendosjen e tyre, në një kohë kur problematika që ato shkaktojnë në qytet është e madhe. “Unë nuk e di çfarë interesi publik kanë kioskat dhe mbi çfarë bazash ligjore e ofron Bashkia këtë shërbim. Kioskat janë vendosur jashtë çdo standardi urbanistik, pasi nuk krijojnë siguri, bllokojnë hapësirat publike, trotuaret dhe qytetarët shpesh ecin në rrugë dhe ato bëhen burim aksidenti”, u shpreh një nga specialistët.
Shumë pyetje pa përgjigje për nevojën e kioskave në Tiranë kanë edhe tregtarët, të cilët prej vitesh kanë shitur në kioska, dyqane apo supermarkete produkte që iu vijnë në ndihmë kalimtarëve, si ujë, paketa, shami letre, gazeta e patatina, dhe sot kanë përpara tyre një kioskë të re që ofron të njëjtat produkte.
Tregtarët shprehen se kisokat janë vendosur nga Veliaj për njerëzit e tij dhe miqtë e tij. “Kioska e re ka dy muaj që është vendosur para dyqanit tim. Unë punoj këtu me tim shoq dhe me këtë biznes mbajmë familjen. Fitimi ka rënë ndjeshëm. Qytetarët tani blejnë te kioska te kryqëzimi”, shprehet një tregtare. Ajo thotë se, nuk kanë asnjë logjikë që ngjitur me kioskën e tij me leje prej më shumë se dy dekadash të vendoset një e re, e cila shet ekzaktësisht të njëjtat produkte.

Enton DOÇI

Artikulli paraprakZjarret djegin plantacionet me agrume dhe kurorat e gjelbërta
Artikulli tjetër64 demokratë hedhin poshtë peticionin