Udhëzimi: Policisë dhe Gardës u ndalohet fushata edhe pas orarit të punës

Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, ka nxjerrë një udhëzim ku punonjësit e Policisë së Shtetit dhe ata të Gardës së Republikës e kanë të ndaluar të marrin pjesë dhe kontribuar fizikisht ose financiarisht në një parti politike.
Me anë të një udhëzimi që përcakton saktësisht rolin dhe detyra e punonjësve të Policisë e të Gardës, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, u kujton atyre se janë të depolitizuar.
Ndërsa në udhëzim, ai saktëson se punonjësit e Policisë e të Gardës së Republikës nuk mund të përfshihen në fushatën zgjedhore, edhe pasi të kenë përfunduar orarin zyrtar të punës së tyre.

UDHEZIMI

Prioriteti kryesor i ministrit të Brendshëm, Dritan Demiraj, ndër tre objektivat e mandatit të tij janë zgjedhjet e 25 qershorit. Në takimin e tij të parë, si kreu i këtij dikasteri me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, dhe drejtues të tjerë të Policisë, Demiraj paralajmëroi masa të ashpra, deri në burgim, për çdo punonjës policie që do të influencojë në mbështetjen e ndonjë partie politike.
Ndërsa, së fundmi, ai ka shpërndarë një udhëzim, ku sqaron konkretisht se çfarë u ndalohet punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës. Punonjësit të Policisë së Shtetit i ndalohet të jetë anëtar i një partie ose organizate politike, si dhe të mbështetë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
Kurse punonjësit të Gardës së Republikës i ndalohet të sillet dhe të mbajë qëndrime që cenojnë natyrën e depolitizuar të Gardës, si dhe anëtarësimi e pjesëmarrja në veprimtari të partive a të shoqatave politike. Në udhëzim citohet edhe Neni 116 i Rregullores së Policisë, që flet për rrjetet sociale, në bazë të të cilit efektivëve u ndalohet të shprehin qëndrime politike.

Artikulli paraprakProkuroria nis hetimet për zyrtarët e përfshirë në fushatë
Artikulli tjetërRuçi pritet me protesta në Fier: Pa dëmshpërblim, s’ka votime