Tritol gazetarit një ditë pas shkrimit kritik ndaj qeverisë të botur në “RD”

Makina e një gazetari është hedhur në erë me tritol në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Tiranë. Bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit në rrugën “Artan Lenja” në vendin e njohur si “Fusha e Aviacionit”. Si pasojë e shpërthimit të lëndës plasëse, makina tip “Chervolet” ka pësuar dëme materiale. Fatmirësisht në momentin e shpërthimit nuk ka patur njeri në vendngjarje. Shpërthimi i fuqishëm ka krijuar panik tek banorët e lagjes, mjaft prej të cilëve janë zgjuar të tmerruar.
Lajmi u konfirmua nga policia, e cila bëri të ditur se makina tip “Chevrolet” me targa TR 9562 L është në pronësi të 34-vjeçarit F.P. Më pas u bë e ditur se makina që ishte hedhur në erë me tritol ishte e gazetarit Florian Papadhimitri.
Gazetari Papadhimitri dha dëshminë e tij në polici rreth kësaj ngjarjeje, i cili është shprehur se kishte mbetur i shokuar. Ai ka dëshmuar në polici se, nuk ka pasur asnjë problem apo kërcënim të mëparshëm. “Nuk kam patur konflikte dhe problem me asnjë njeri. Nuk e di se kush mund t’ia ketë vënë tritolin makinës”, është shprehur Papadhimitri para punonjësve të policisë. Mësohet se ai është shprehur para policëve se nuk e ka idenë kush mund ta ketë bërë këtë akt kriminal. Floriani ka punuar si gazetar i ekonomisë në disa media si gazeta “Shekulli”, televizionet “Top-Channel”, “Alsat” etj.
Shpërthimi i tritolit në makinën e tij ka ndodhur vetëm një ditë pasi Papadhimitri botoi shkrimin në gazetën “Rilindja Demokratike” me titull: “Qeveria që nuk meritojmë”. Në shkrimin e tij Papadhimitri shkruante se pushteti është kthyer me të vërtetë në qëllim dhe kësisoj lufta politike nuk mund të njohë kufij. Ai pasqyronte pushimet masive nga puna pa asnjë shkak nga qeveria, vetëvrasjet e qytetarëve për shkak se nuk kishin mundësi të paguanin energjinë elektrike, etj.
“Pushteti është kthyer me të vërtetë në qëllim dhe kësisoj lufta politike nuk mund të njohë kufij. Me keqardhje me dhembje rikujtoj se si pasojë shumë të larguar nga puna kanë shkuar edhe në vendime ekstreme si vetëvrasja, kjo si pasojë e përballjes me pamundësinë për të ushqyer fëmijët dhe familjet e tyre. Ka patur të paktën tri raportime për vetëvrasje nga njerëz, të cilët si pasojë e largimit nga puna janë pushtuar nga depresioni. Në Korçë, kryetarja e degës lokale të PS-së, e emëruar drejtuese e lartë në Institutin e Sigurimeve Shoqërore largoi nga puna Bruna Mekën, e cila nuk pa zgjidhje tjetër, por zgjodhi të vetëvritej dhe shkroi në një letër që arsye e vendimit të saj ekstrem ishte largimi nga puna”, shkruante Papadhimitri në shkrimin e tij.
“Po ashtu në Lezhë, një punonjës prej vitesh i hidrovorit u vetëvra, sepse u largua nga puna dhe u zëvendësua nga një militant i LSI-së. Edhe i ndjeri shkroi se, arsye ishte vetëvrasja. Një grua në Burrel kërcënoi me vetëvrasje, sepse u largua nga puna në OSHEE. Ajo hipi majë një shtylle të tensionit të lartë dhe kërkoi vetëm kthimin në punë. Të gjitha këto janë episode të një panorame të dhembshme dhe shumë të gjerë që përshkruan gjithë jetën shqiptare sot.
Në listën e këtyre historive të dhembshme e fundit, renditet ajo e Shukri Xhelilit, kryetarit të Bashkisë Dibër, i cili pas javësh shantazh dhe formave të ndryshme shtrënguese, kërkonte dhe arriti deri në njëfarë mase të përfitonte seksualisht nga një vartëse e tij. Kjo është qeveria që të gjithë ne shqiptarët fatkeqë nuk e meritojmë”, shkruante ndër të tjera Papadhimitri në shkrimin e tij të botuar në gazetën “Rilindja Demokratike”.

Artikulli paraprakKamerat e sigurisë, Rama me 6 deputetë, humbet mazhorancën
Artikulli tjetërNdocaj i prerë: Nuk votoj Reformën në Drejtësi pa konsensusin e opozitës