Tre zyrtarë të Bashkisë Tropojë pranojnë fajësinë për shkelje të barazisë në një tender

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, SPAK njoftoi të hënën më 8 prill përfundimin e hetimeve ndaj tre zyrtarëve të Bashkisë së Tropojës, të akuzuar për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera…” dhe paraqitjen në gjykatë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurve.

Hetimi ndaj tre zyrtarët e Bashkisë Tropojë, Zenel Çela, Ramiz Bardhi dhe Rexhep Ismajlisufaj ka filluar në vitin 2021, bazuaer në një material kallëzues të KLSH-së, lidhur me procedurën e ndjekur në prokurimin publik me objekt “Shkolla Asim Vokshi-Palestër dhe terrene sportive dhe sistemime të jashtme në gjimnazin Asim Vokshi”, me fond limit 50.3 milionë lekë, pa TVSH.

Sipas prokurorisë, nga analiza e provave dhe të dhënave të grumbulluara rezulton e provuar se të pandehurit me veprimet e tyre si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë trajtuar në mënyrë të barabartë operatorët ekonomikë pjesëmarrës në këtë tender.

“Megjithëse Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë Halili 1 & Shendelli, ka paraqitur ofertën më të ulët në vlerën 42.072.833 lekë, pa Tvsh, të pandehurit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në kundërshtim me Ligjin dhe Rregullat e prokurimit publik, si dhe me kriterin e vendosur në Dokumentet Standarte të Tenderit, kanë shpallur fitues operatorin ekonomik 4 A-M, me ofertën 50.269.533 lekë pa TVSH, duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 8.196.700 lekë (si diferencë midis dy ofertave)”, citohet në njoftimin e prokurorisë.

Artikulli paraprakBabë e bir vdiqën pas shpërthimit në biznesin e tij, deputeti i PS i rikthehet axhendës parlamentare
Artikulli tjetërVarfëria tek të moshuarit, gjysma e pensionistëve po marrin pagesa të pjesshme! Nga puna në të zezë, te mospagesa e sigurimeve, ja arsyet