Tre alternativa për 18 shkurtin

Endira BUSHATI

Ka një ditë, ka një datë, tani: 18 shkurt 2017
Është dita e fillimit të llogaridhënies për Qeverinë Rama. Tashmë, jo në studio televizive me gazetarë të shitblerë apo aktivitete me regji qendrore, por në rrugë e sheshe.
Partia Demokratike ka bërë thirrje për një protestë, revoltë qytetare kundër qeverisjes së Rilindjes, pikërisht në momentin kur kjo qeveri e dekompozuar, në lidhje simbiotike me krimin dhe parcelat e drogës, po harton strategjinë e vjedhjes së zgjedhjeve, si të vetmen rrugë për të vazhduar në pushtet.
Po cila është përmbledhja e këtyre 4 viteve, që veç Qeverisje nuk e ka emrin?
Gjatë sundimit të kësaj qeverie, gjithçka ndodhi në prapaskenë, pazaret, shantazhet, video-shantazhet, thashethemet…si në shpellat më të errëta të mafias.
Publiku vazhdon të bombardohet nga mëngjesi deri në darkë, nga çdo ekran, me suksese imagjinare, deklarata të neveritshme mbi parime, vlera dhe integrim.
“1984”, romani i famshëm i George Orwell, një paralajmërim mbi diktaturat e bazuara në propagandë, është sot guida apo manuali që po përsoset nga dueti Rama-Meta….
Media nën urdhrat e Fugës! Kush flet, dënohet! Ministri i Drejtësisë ulëret me akuza konkrete, por “çudia 3 ditë zgjati”.
Institucionet janë shpërbërë! Shqiptarët janë strukur prej dhunës së pushtetit. Qeveria shfaqet si organizata kriminale më e fuqishme në vend.
Koncepti “Shtet” nuk ekziston më!
Kupola e Organizatës Kriminale nuk e fsheh dot më krizën e vet!
Shpresë se zgjedhjet e afërta, do të jenë të lira, pa para krimi e droge, nuk ka! Tashmë, po shqetësohen dhe “ndërkombëtarët”.
Analistë e opinionistë me mëditje, djallëzisht, pak nga pak çdo ditë, përpiqen të injektojnë idenë se “opozita është dobët, se po të ishte ndryshe, Rama s’do të qëndronte 24 orë” etj., etj.
Të njëjtët gazetarë, në të gjitha ekranet, të njëjtin refren çdo ditë. “Harrojnë” se, opozita që nga momenti i parë i instalimit të kësaj qeverie e deri më sot ka denoncuar çdo ditë afera korruptive, koncesione e tendera, lidhje të qeverisë me krimin, kërkesa Interpoli që fshihen, shefa policie që “mbrojnë” kanabisin, e deputetë, drejtorë e nëpunës me rekorde kriminale. Të gjitha ngjarje e fakte që u vërtetuan bujshëm 6 muaj apo 1 vit nga denoncimi.
Ndokës, Frrokëve, Prengës, Balilit e Balilajve, iu “prish qetësia” çdo ditë nga foltorja e Partisë Demokratike, me një këmbëngulje të papërtueshme, që në finale u kurorëzua me Ligjin e Dekriminalizimit!
Por…Çfarë ka më shumë se fjalën opozita????
E në fakt…ka! Ka shqiptarët!
Nëse kaq sa na “kanë parë sytë” këto 4 vjet, në pritje që “akoma” e “s’keni parë asgjë akoma” të kishte një fund, nuk mjaftojnë për një “revolucion” pa ngjyra politike, atëherë pak zgjidhje ka!
Më 18 shkurt, protesta është detyrim!
Jo për opozitën, absolutisht Jo! Protesta, në vetvete, është paralajmërim edhe për Bashën e opozitën, nëse nesër në pushtet, përçudnojnë sundimin e ligjit dhe të drejtat qytetare.
18 shkurti është një pikë kthese! 18 shkurti duhet të kthehet në një ditë shprese!
Është dita kur çdo shqiptar ka vetëm 3 zgjidhje: të protestojë, të heshtë apo të ikë…

Artikulli paraprakAfera e pistë e Gjiknurit me CEZ/Dëshmia e Gharavit: Avokatja e Shtetit mbronte interesat e burrit tek CEZ jo të Shqipërisë
Artikulli tjetërModeli është Rumania