Trafiku i drogës, lirohet shefi i Policisë së Tepelenës

Gjykata e Lartë liroi nga qelia Gani Abazin ish-shefin e Specialistëve të zonave në Komisariatin e Policisë së Tepelenës. Gjykata pranoi kërkesën e avokatit, duke ia ndryshuar masën e sigurisë nga “Arrest me burg” në atë të “arrestit shtëpiak”, pavarësisht se ndaj Abazit është ngritur akuza e shpërdorimit të detyrës dhe kultivimit të hashashit në kuadër të grupit të strukuruar kriminal. Nuk jepen detaje për arsyetimin e vendimit që liroi nga qelia ish-efektivin e policisë Abazi, por mendohet se për arsye shëndetësore, Gjykata ka pranuar t’i ndryshojë masën e sigurisë.
Nga ana tjetër, sipas Prokurorisë, Abazi ka favorizuar persona të ndryshëm, që të kultivojnë kanabis sativa kundrejt shpërblimeve financiare. Bashkë me Abazin është arrestuar edhe Haki Hasanbegasi, të cilët komunikonin me telefon me persona me precedent penale, të cilët merreshin me kultivimin e hashashit në zona të caktuara të Vlorës dhe Tepelenës. Në kudaër të këtij operacioni janë arrestuar edhe 4 kultivues, të cilëve i janë gjetur një sasi prej rreth 2 ton hashash.
Ish-shefi i Specialistëve të Tepelenës u arrestua pak kohë më parë së bashku me shefin e Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Vlorës, Haki Hasanbegasi, si të dyshuar për favorizim të kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Vlorës. Arrestimet u kryen me urdhër të Prokurorisë, pasi dyshohet se shefat e policisë dekonspiruan aksionet për kapjen e kanabisit dhe bashkëpunuan me trafikantët.

Artikulli paraprak98 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi
Artikulli tjetërKanabisi “përmbyt” laboratorin e policisë