Trafiku i drogës, “Arrest me burg” për 4 të arrestuarit e dosjes “Viluni 2”

Gjykata e Krimeve të Rënda i caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” 4 të arrestuarve, të dyshuar si pjesë e dosjes së trafikut të drogës nga Laguna e Vilunit drejt Italisë. Gjyqtarja e gatshme, zhvilloi seancat gjyqësore me dyer të mbyllura, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë që të dyshuarit Renato Çaushi, Andrea Mita, Kasem Piluri dhe Altin Rramolli, të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata arsyetoi vendimin, duke thënë se janë siguruar biseda telefonike e prova të ndryshme që ngrenë dyshime të arsyeshme, se 4 të arrestuarit janë përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës.
Vetë të dyshuarit dhe avokatët mbrojtës, nuk pranuan argumentimin e Gjykatës, që sipas tyre, është i pa bazuar në prova dhe ligj. E për këtë fakt dhe të tjera që do të sigurohen në ditët në vazhdim, avokatët thanë se do të ankimojnë vendimin e arrestit pranë Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda. Sipas avokatëve, akuza e trafikut të drogës në bashkëpunim nuk qëndron dhe të gjitha veprimet e tjera proceduriale janë të paligjshme, me arsyetimin se janë kryer tej çdo afati hetimor, pasi kjo çështje ishte mbyllur dhe personat përgjegjës janë dënuar.
Nga ana tjetër sipas Prokurorisë, të 4 të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e grupit që furnizonin me drogë rrjetin e organizuar nga Shkodra që merrej me trafik droge nga Laguna e Vilunit. Për llogari të këtij hetimi, janë shpallur në kërkim edhe disa persona të tjerë mes tyre biznesmenë të njohur. Sipas policisë, 4 të arrestuarit dhe personat e shpallur në kërkim dyshohet se janë pjesë e rrjetit prej 7 personave tashmë të dënuar në formën e prerë nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 54 vite burg në total. Të dënuarit Mikel Hoxha, Ervis Sulo, Indrit Rraja, Leonidha Dhimojani, Mirjan Vitaj, Alfred Syli dhe Kristjan Lokaj ishin personat që kryenin transportin e drogës nga Laguna e Vilunit drejt Italisë. Ndërsa të 4 arrestuarit e fundit dyshohet se janë personat që siguronin drogën dhe e dërgonin në Shkodër nga ku më pas nisej drejt Italisë me skaf nga Laguna e Vilunit. Të dënuarit dhe 4 të arrestuarit e fundit në shtator të 2014 tentuan të kalojnë drejt Italisë me skaf një gomone me rreth 600 kg drogë.

Artikulli paraprakDhunoi dy fëmijë, arrestohet edukatorja e një kopshti privat
Artikulli tjetërLirohet ish-drejtuesi i policisë i arrestuar për kultivim droge