Tjetër viktimë për drogën, gjendet kufoma në brigjet e Sazanit

Kufoma e një personi të vrarë për drogën është gjetur dje në det të hapur në afërsi të brigjeve të Sazanit. Trupi është pikasur nga peshkatarët, të cilët kanë njoftuar forcat e Policisë Kufitare. Sipas Rojes Bregdetare të Marinës në Vlorë, trupi i pajetë është konstatuar në pjesën veriore të Ishullit të Sazanit, rreth 5-6 m larg nga bregu i detit. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar ekspertë të kriminalistikës. Polumbarët e RENEA kanë nxjerrë nga deti trupin e pajetë.
Dyshohet se trupi i pajetë i përket njërit prej 2 skafistëve të zhdukur të gomones me drogë që u gjet më 11 mars 2017 me 1.2 ton hashash në bord. Më 24 mars u gjet trupi i mbytur i skafistit të parë, 60-vjeçarit Luman Laze. Gomonia, e cila u gjet e braktisur më 11 mars në ishullin e Sazanit, dyshohet se mbante 1.2 ton kanabis. Mjeti lundrues u nxor një ditë më pas me ndihmën e Forcës Detare. Pas verifikimeve është zbuluar edhe identiteti i viktimës, i cili ishte Luman Lazaj, nga Vlora. Ai është njohur prej familjarëve nga rrobat, megjithëse ishte dëmtuar në fytyrë. Policia bëri të ditur se dyshon se, viktima është një prej personave që ndodheshin në një gomone, e cila u gjet e mbytur të enjten, ndërsa pranë zonës më 12 mars, gjeti edhe rreth 1.2 ton kanabis sativa. Dyshimet për dy persona që gjendeshin në gomone, mund të kenë qëndruar në ujë që prej datës 12 mars, kur edhe është gjendur mjeti lundrues.
Gjatë javëve të fundit në brigjet e Vlorës janë gjetur edhe trupa të tjerë të pajetë, të cilët kanë humbur jetën gjatë trafikimit të drogës drejt Italisë.
Pak kohë më parë, ish-kryeministri Berisha denoncoi në profilin personal në Facebook, vdekjen e 20 personave, si pasojë e trafikut të drogës në Vlorë. Berisha, duke iu referuar qytetarit dixhital, shkruante se 20 djem janë mbytur në Vlorë për shkak të trafikut të drogës. “Doja t’ju thoja për mbytjet në det kohët e fundit që janë bërë rutinë e përditshme këtu në Vlorë dhe për fat të keq s’flet asnjë përse ndodhin. Pasojat kush janë, dy të mbyturit në ditët e fundit me skafe droge dhe nga i njëjti fshat, nga Gjormi, dhe flitet se janë mbi 20 djem të humbur pa adresë. Vlora mban sytë nga deti, pret djemtë. Fatkeqësi, fatkeqësi, e jo nga turizmi. Ju lutem bëjeni publike!”, shkruante qytetari nga Vlora.

Artikulli paraprakAtentat në Shkodër, plagoset me armë ish-kampioni i boksit
Artikulli tjetërKorrupsioni 180 milionë, KLSH padit zyrtarët e ALUIZNI-t Lezhë