Thirrje për vetmbrojtje dhe me ligj si amerikanët

Ish kryeministri Berisha propozoi dje në Kuvend hartimin e një ligji të ri, i cili do tu mundësojë qytetarëve shqiptarë që të mund të pajisen me armë për vetmbrojtje.
“Unë kam një kërkesë për qytetarët shqiptarë sot. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë, për të mbrojtur veten, vatrat, pasuritë e tyre, sepse nuk kanë asnjë siguri. Nëse ju, o organizatë kriminale, mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët me bandat tuaja, ju garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm t’ua kthejmë me të njëjtat mjete dhe ju të mos gjeni vrimë miu ku të futeni. Të armatosen, sepse armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët që duan të mbrojnë veten e tyre dhe me urgjencë të sjellim ligjin. T’u japim të drejtë qytetarëve të mbajnë armë. Me këtë organizatë kriminale nuk ka siguri, me këtë organizatë kriminale nuk ka rend, me këtë organizatë kriminale nuk ka rend, nuk ka qetësi. Këta këtu që hidhen, sigurisht hidhen sepse janë me bandat dhe sigurinë jua japin bandat.
Opozita është këtu për të qëndruar dhe do të qëndrojë fuqishëm. Dhe ju që bëni lojën e armëve ndaj qytetarëve, për kërcënimet ndaj opozitës, ne jemi të gatshëm t’ju përgjigjemi juve në mënyrën më solemne. Vetëm një gjë: ju dhe ata që ju japin zemër juve, jeni më frikacakët e kësaj toke. Jeni si minjtë, që do të kërkoni vrima për t’u futur dhe nuk do të gjeni dot. Nuk mundeni ju të trajtoni shqiptarët në këtë mënyrë. Nuk mundeni ju të përzeni dhe spastroni shqiptarët nga vendi i tyre.
A nuk ishte Shqipëria në vitin 2011-2012, nuk ishte një gjendje brilante ekonomike, gjithmonë Shqipëria me probleme ka qenë dhe ai shtet që thotë Edi Rama (Gjermania), ishte i pranishëm prej vitesh, por ai shtet u përdor në dy vjet vetëm nga 432 vetë sipas Byrosë Federale gjermane, asnjë më tepër. Po pse? Njerëzit nuk kishin, por kishin pak shpresë. Erdhi Edi Rama patën edhe më shumë shpresë, normale, sepse një shumicë që vjen, vjen pa diskutim me një nivel të ri shprese, por Rama është vrasësi i shpresës.
Shpresën e vret kur nuk bën ligjet, kur nxjerr një kasë të urryer mbi ligjin.
Shpresën e vret kur bandat bëjnë ligjin.
Shpresën e vret kur Kostandini i Partisë shtrin përdhe katër djem të rinj dhe ia lënë djalin ish-prokurorit të vdesë vetëm për të fshehur gjurmët e krimit. Për të dalë pastaj Ledi Makbeth në tapetin e kuq të Kryeministrisë, si heroina e partisë që po jep dorëheqje. Një korbë e zezë, djali i së cilës, ka çuar në atë botë pesë persona. Secili nga ju që nuk dënoni këtë, jeni aksioner në këto akte.
Shpresën e vret kur Frroku i ka duart me gjak.
Shpresën e vret kur liron me presion ndaj gjykatësve, deputetin tënd, që shkon dhe i bie me revole tjetrit në pragun e shtëpisë së tij dhe tjetrit në Komisariatin e Policisë dhe shkon e na e sjell këtu.
Shpresën e vret kur kapet fabrika më e madhe e miellit në Ballkan dhe ke me pronarët e saj kilometra telefonata, si kryeqeveritar i vendit.
Shpresën e vret kur në çdo krim të shëmtuar të bandave bën vetëm një gjë prish provat.
Shpresën e vret kur Shullazët e tu fitojnë çdo tender.
Shpresën e vret kur thërret dëshmitarë të Shullazit dhe i detyron të thonë se nuk kanë ditur se cilin kanë ortak. Sepse është Pandi Carapuli në mes. Ai Fezga, Kodra si quhet, që ta dini juve, ai është apo ka qenë menaxher tek Carapuli, para 2-3 vitesh u ankohej miqve të mi që ky Pandi më jep një rrogë të ulët dhe dua të iki, kur na del tani milioner, blen “Vollgën”, blen Ramën e Gjushin me lecka. Fezga ka Carapulin dhe Carapuli është Rama, se Carapuli është ndërtuesi i sarajeve të Surrelit. Carapuli është një lloj banditi më i lig se Shullazi, sepse midis atij që e bën dhe atij që fshihet, më i poshtër njëqind herë është ai që fshihet. Por Carapuli është Rama, s’është kush tjetër.
Shpresën e vret kur në regjistrër prish banesat, bizneset dhe lë sarajet e tij me Koço Kokëdhimën, duke shkelur të gjitha ligjet e shtetit në Qeparo. Shpresën e vret kur një njeriu, të një kompanie të rojeve të sigurisë, të cilit iu vodh banka ose vodhi bankën, të cilit vetëm për këtë minimumi i duhej hequr licenca dhe të përjashtohej nga gara. Por nga 6 tendera që kishte fituar më 2013 ka fituar vitin e kaluar 58 tendera. Sigurisht që juve ju fut shuka dollarësh dhe eurosh në gojë dhe ju bën juve të kakarisni këtu.
Po më thoni ju lutem a mund t’i jepet një firme që ju vodh banka 58 tendera? A mendohet në këtë mënyrë. Dhe pastaj më hiqni mua vërejtje. Ju mund të më hiqni mua një mijë herë vërejtje, nuk ka gjë në botë që mua më ndalon pa e thënë. Kam ndërgjegje unë. Nuk mund të lejoj që një njeri të marrë 58 tendera, sepse duhet të hanë edhe ca të tjerë. Nuk mund të pranoj kurrë unë një njeri, që përdor mandatin këtu për të marrë tenderat me vëllain e vet. Mos 58, janë 16 tendera, i kam lexuar herës që shkoi. Apo Abazi. Zotëria doli këtu dhe u shante me gjuhë ordineri. Pse u revoltua!? Çfarë i thashë? Se tenderi i Kokoneshit me 3.3 milionë dollarë u prokurua, u firmos nga një kompani që solli një ofertë më të shtrenjtë, sepse kompania Salillari ofroi një ofertë 1 milion dollarë më pak sesa Kokoneshi. Nëse t’i hidhesh se unë të akuzoj kot, të kam dhënë një muaj afat, nuk kam folur, aty i kam pasur dokumentet dhe nuk kam folur pasi kam pritur sa përfundoi firmosja e kontratës. Dhe rezultoi se e dinte (Braçja). Çfarë tha? U tërhoq kompania tjetër tha. Ai tender anulohej 100 herë për çdo njeri që ka integritet. Si jepet tenderi me 33% më shumë një kompanie, vetëm për të mbushur xhepat. Ju kërkoni që të hesht, por jo. Unë nuk luftoj më për karrierë. Asgjë në këtë botë nuk mund të më pengojë mua për të mbrojtur interesin publik ashtu si unë e mendoj. Harrojeni se punoj për gjë tjetër, harrojeni se punoj për njeri tjetër, për asgjë në botë, përveçse për interesin publik, siç e gjykoj pa pretenduar se kam monopolin e së vërtetës”.

Washington Post: Berisha, ligj për armët

Deklarata e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha për armatosjen e qytetarëve shqiptarë, ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, përveç atyre lokale.
“Washington Post” shkruan sot se, ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha u bëri thirrje këtë të enjte qytetarëve që të armatosen, duke thënë se qeveria nuk po arrin të përballet me krimin.
“Duke folur në seancën javore parlamentare, Berisha akuzoi qeverinë për lidhje me bandat e krimit dhe tha se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për sigurinë publike. Berisha gjithashtu bëri thirrje për një ligj të ri për të lejuar posedimin e armëve. Armëmbajtja aktualisht është e paligjshme në Shqipëri dhe thirrja e tij është kundër ligjit gjë që mund të dënohet me 10 vjet burg”, shkruan “WP”.
Më pas tabloidi amerikan përcjell deklaratën e Berishës: “U bëj thirrje të armatosen”.
Duke iu drejtuar qeverisë së kryeministrit Edi Rama, ai shtoi: “Nëse ju, si një organizatë kriminale mendoni të terrorizoni opozitën dhe qytetarët, unë garantoj se opozita dhe qytetarët janë të gatshëm të kthehen tek ju me të gjitha mjetet, në mënyrë që ju të mos dini ku të futeni”, përcjell “WP”.

Organigrama e ushtrisë së Shullazit

Ish kryeministri Berisha zbardhi në Parlament organigramën e Ushtrisë, se si Emiljano Shullazi terrorizonte Tiranën dhe Durrësin.
“Ky Parlament është shndërruar nga tempull demokracie në një strofull krimi, i cili në çdo seancë nuk merret dot me problemet e jetës tuaj të përditshme, por merret vetëm me krimin qeveritar, me hajdutërinë qeveritare, merret vetëm me skandalet dhe vjedhjet e pafundme të qeverisë dhe bandave të saj. Ky i Shullazit është rast i rrallë. Duhet ta pranojmë, se me lidhjet e tij direkte me Kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm, ai de fakto ishte në mënyrë absolute nënkryetari i kësaj qeverisje. Emiljano Shullazi, meqë përmendët kohën e qeverisë sime është arrestuar katër herë, në një kohë kur ishte me Dritan Dajtin, me të cilin ti mbaje lidhje të ngushta, por që u këput në kryq më vonë dhe që na vrau katër oficerë policie, ndërsa Emili yt është arrestuar jo një, por katër herë, në një kohë kur prej tre vitesh atij i është dhënë imunitet absolut. Ai bën ligjin në Ministrinë e Brendshme, në Drejtorinë e Tiranës dhe ka vendosur në terror si kurrë në historinë e tij qytetin tonë, Portin e Durrësit. Të gjitha këto vetëm për një arsye, për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Edvin Shullazin dhe Saje Qorrin. Unë dua t’ju them ju këtu dhe flas për ju qytetarë, se ky këtu (Rama) e ka shndërruar qeverinë në një organizatë kriminale, këtu kam me dhjetëra fotografi të ushtrisë së Shullazit, të armatosur me të gjithë llojet e armëve nga më modernet, nga snajperët tek armët e tjera. Ja ku e keni se si ruhej ai. Çfarë ndodhte në lagjen e tij? Terror i paparë. Dëshmi tronditëse kam këtu, nga oficerë policie, të cilët thonë se në lagje jetohej në terror të plotë. Kryebanditi nga ushtria e tij quhej “gjeneral” dhe kur ai vendosej në kafe “Beku” tek Parku i Autobusëve, nga ora 5 deri në 8 zbarkonin aty ushtarët e tij, sikur të ishin mafia më e fortë e botës, të cilët i thoshin oficerit të policisë “largohu këtej, o shef ti bëj si të duash po ne të themi që më mirë të mos rrish këtu, se ne po ruajmë gjeneralin. Nuk mund të të përshkruaj se çfarë kam dëgjuar në atë lagje në të cilën jo vetëm punoja, por ku kisha dhe fatkeqësinë të jetoja”.
Në Policinë e Shtetit absolutisht ka njerëz të ndërgjegjshëm, kanë mbetur përsëri njerëz të talentuar, këtu kam të gjithë organigramën e Ushtrisë, se si kryekrimineli që terrorizonte Tiranën dhe Durrësin. Ja ku i keni, këto nuk i kam nxjerrë unë, por agjentët e Policisë Kriminale, janë punë e shkëlqyer dhe e ndërgjegjshme e agjentëve të Policisë Kriminale. Por çfarë bënin me ta? Ju thoshin se “gjenerali” është i paprekshëm. Ndodhi vrasja në Rrugën e “Kavajës”, ndodhi atentati i Qafë-Kasharit, në komunikatën e parë të policisë, korrekte e Drejtorisë së Tiranës, thuhej se në Qafë-Kashar mori një plumb në shpinë Emiljano Shullazi dhe se në makinën e tij u gjetën armë, u gjetën gëzhoja, u gjetën shtatë mijë euro. Me ndërhyrjen direkte të Sajë Qorrit dhe të atij që s’është më në krye të policisë, gjithçka u ndryshua. U deklarua se ngjarja e Qafë-Kasharit s’ka asnjë lidhje me ngjarjen e Rrugës së “Kavajës”, u deklarua se nuk ka të plagosur fare, se Emili i Partisë nuk është plagosur, u harrua gjaku që kishte derdhur dhe si përfundim Emili i Partisë, pasi iu pastrua gjaku dhe krimi, u nis drejt Lulzim Bashës dhe i tha se “po dole në atë dritare, kokën ta masim me plumb”. Dhe ne e denoncuam këtë.
Zotëria që thotë se ka ekzistuar gjatë periudhës sonë, po ka ekzistuar dhe ne e arrestuam katër herë, është dënuar disa herë. Ka patur një incident me Vasilika Hysin dhe Besnik Baren. Kishin një zyrë elektorale ata dhe kishin nxjerrë autoparlantët, por “gjenerali” zhurmë nuk donte, ndaj dhe i prishi aktivitetin. Çfarë pësoi? U arrestua brenda 12 orësh. Për hir të së vërtetës, duhet të them këtu se Edi Rama i detyroi deputetët e tij që të bëjnë kallëzim, ata bënë kallëzim dhe ai u arrestua. Kjo është e vërteta. Por ndërkohë, gjuajti me bazuka shtëpinë e kryetarit demokrat të Farkës, ndërkohë u bë gjithçka për të zhdukur provat.”

Artikulli paraprakKlodeta i telefonoi Shullazit pas kërcënimit të Profesorit
Artikulli tjetërNë mos keni armë gjeni, a duhet ligj i ri për armët?