Nga kjo betejë, nuk kthehemi pa fitore

“Koha e qytetarëve po vjen dhe nuk ka forcë ta ndalë”, tha dje Lulzim Basha në një takim në Kavajë. Basha theksoi se Kavaja është qyteti i parë që vrau frikën dhe u ngrit kundër regjimit komunist, qyteti i parë që luftoi për liri dhe nuk meriton të sundohet sot nga një i dënuar për përdhunim dhe trafik droge. Duke gjetur mbështetjen e qytetarëve të Kavajës për protestën e madhe të 18 shkurtit, Basha u shpreh se, “nuk kthehemi nga kjo betejë pa fitore. Dhe fitore është sigurimi i votës së lirë dhe me anë të votës së lirë të vijë në pushtet një qeverisje për njerëzit, për qytetarët”. “Pushteti u kthehet qytetarëve”, tha Basha duke bërë thirrje për bashkimin e madh popullor më 18 shkurt, në orën 12 në Tiranë.
“Kam ardhur me një emocion të veçantë sot në Kavajë. Kam takuar të rinjtë e Kavajës, qytetarët e Kavajës, për t’i ftuar në protestën më të madhe, manifestimin më të madh të qytetarëve shqiptarë, bashkimin më të madh të qytetarëve shqiptarë, më 18 shkurt, në ora 12:00 në Tiranë.
Ky emocion i madh nuk është vetëm për shkak të mikpritjes, të ngrohtësisë, të cilën më pritën të rinjtë dhe qytetarët e Kavajës, por është edhe për vetëdijen se këtu në Kajavë, në këtë komunitet, në këtë qytet të jashtëzakonshëm, 27 vite më parë qytetarët u ngritën dhe vranë frikën, vranë frikën dhe rrëzuan mitin e një diktature 50-vjeçare.
Ky është një qytet i madh, me një zemër të madhe. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, shpirti i një komuniteti që u ngrit i pari, sfidoi terrorin, sfidoi frikën dhe me kurajo e mposhti atë. Ata që për 50 vjet e sunduan Shqipërinë me gënjeshtra, me mashtrime, me frikë, me terror dhe me varfëri kurrë nuk ia falën Kavajës këtë.
Ata donin me çdo kusht ta poshtëronin Kavajën, t’ia ulnin kokën, ndaj vendosën t’i vënë në krye një fytyrë, një njeri që nuk ka asgjë të përbashkët me kavajasit e vërtetë, nuk ka asgjë të përbashkët me Josif Budon apo me Indrit Carën, dy heronjtë e fundit të Kavajës, njëri hero i demokracisë, tjetri hero i lirisë kombëtare”, u shpreh kreu i PD.
Basha tha se njeriu i cili përfaqëson Ramën në Kavajë nuk ka asgjë të përbashkët me dhjetëra qindra intelektualë, profesorë, pedagogë, menaxherë, juristë, ekonomistë, historianë, njerëz të artit dhe të kulturës, e të sportit me të cilët Kavaja krenohet dhe këtë krenari ia ka falur gjithë Shqipërisë.
“Elvis Rroshi është pasqyra vetëm e Edi Ramës. Elvis Rroshi dhe Edi Rama janë vëllezër siamezë, pa Edi Ramën, nuk ka Elvis Rroshi dhe pa Elvis Rroshin nuk ka Edi Ramë.
Sot jemi të gjithë bashkë këtu për t’i thënë të gjithë qytetarëve të Kavajës se kjo nuk është betejë e partive politike, por është beteja e gjithë qytetarëve të bashkuar për t’i thënë jo varfërisë, papunësisë, për t’i thënë jo arrogancës dhe poshtërimit. Për t’i thënë po, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, e përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme një qeverie që mendon për qytetarët, për Kavajën, për Shqipërinë.
Protesta e 18 shkurtit do të jetë bashkimi më i madh që shqiptarët kanë bërë ndonjëherë për të drejtat e tyre, për dinjitetin e tyre, për liri, për demokraci” tha kreu i PD.
Basha theksoi se në krye të protestës së 18 shkurtit do të jetë qytetaria dhe të gjithë ata që nuk duan të përfaqësohen nga krimi në pushtet.
“Në ballë të kësaj proteste do të jetë rinia. Në ballë të kësaj proteste do të jetë qytetaria. Në ballë të kësaj proteste do të jenë vlerat më të mira të Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë, që nuk pranojnë më të përfaqësohen nga rroshët me shokë, por që kanë vendosur që fatin e tyre me zgjedhjet të lira e të ndershme t’ia besojnë bijve dhe bijave më të mira të Kavajës e të mbarë Shqipërisë.
Dua t’i garantoj sot nga ky shesh se kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Kavajës dhe përfaqësuesit e ardhshëm të Kavajës në Kuvendin e Shqipërisë, për Partinë Demokratike, do të jenë përfaqësuesit e vlerave më të mira të popullit të Kavajës e të rinisë së Kavajës.
Ndaj që t’i hapim rrugën përfaqësimit të vlerave të vërteta të Kavajës, le të bashkohemi në protestën më të madhe që ka patur Shqipëria në 27 vite.
Le t’i themi me zërin e bashkuar atyre që kanë refuzuar ta dëgjojnë zërin e qytetarëve, atyre që kanë braktisur qytetarët, atyre që i kanë vjedhur, kërcënuar e nëpërkëmbur qytetarët se koha e tyre ka mbaruar, se koha e qytetarëve po vjen dhe nuk ka forcë ta ndalë. Të gjithë bashkë ngrihemi më 18 shkurt, në orën 12:00 në Tiranë” tha Basha në takimin me qytetarët e Kavajës.

Artikulli paraprakQelia bosh e terroristëve të “Hakmarrjes” i përket Ramës
Artikulli tjetërBashkim qytetar në protestën e së shtunës