Thellohet skandali i përgjimeve, Tahiri dhe Çako drejt largimit

Partia Demokratike ka hedhur akuza të reja ndaj qeverisë në lidhje me pajisjen përgjuese që është në Shqipëri. Në një deklaratë për median, sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani u shpreh se, “letra nga Italia rrëzon mashtrimet dhe alibitë e Tahirit”. “Debati për përgjimin e paligjshëm jo vetëm nuk është mbyllur, por përkundrazi skandali është thelluar akoma më shumë. Letra e ish-drejtuesit të policisë italiane konfirmon, pohon drejtpërdrejt, se pajisja ka hyrë në Shqipëri ilegalisht. Sepse një pajisje e tillë, gjurmimi e përgjimi, është ilegale kur futet pa u regjistruar në doganë dhe është ilegale kur përdoret pa u vënë në dijeni dhe pa dhënë miratimin e tij prokurori i Përgjithshëm”, tha Ristani. Ai theksoi se fakti se pajisja është futur në mënyrë të paligjshme tregon se ajo do të përdorej, siç është përdorur nga Saimir Tahiri në mënyrë të paligjshme. “Tahiri ka zgjedhur të tradhtojë të gjithë vartësit e tij që janë përlyer në këtë krim, duke thënë se nuk është përgjegjësi e tij. Pyesni policinë, thotë Tahiri. Pyesni doganat, thotë Tahiri. Kërkon të lajë duart ministri i Brendshëm, kur gjithkush e di se pajisja ka hyrë, është përdorur, me porosinë e tij dhe me dijeninë e Edi Ramës”, theksoi Ristani.  Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako mashtroi publikisht në Komisionin e Sigurisë duke mohuar ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e saj nga ana e Policisë së Shtetit. Çako ishte pak ditë më parë në Komisionin e Sigurisë për t’iu përgjigjur deputetëve lidhur me pajisjen e përgjimit. Ai tha që në nisje se nuk ka dijeni për përgjimet dhe se ka vënë në dispozicion të hetimit për këtë pajisje gjithë burimet e nevojshme policore. Por ndryshe nga Çako, ishte vet Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili pranoi ekzistencën e pajisjes së përgjimit dhe përdorimin e kësaj pajisjeje, sipas për qëllime trajnimi. E gjithashtu, deklarata e tij doli bllof edhe më shumë nga letra që dërgoi ish shefi i policisë së italisë, i cili pranonte ekzistencën e pajisjes. Duke iu referuar pikërisht këtij rasti, Ristani tha: “Shihni kushtet e flagrancës ku janë kapur Tahiri e shefi i tij i policisë. Të dy thanë në fillim se një pajisje e tillë nuk ekziston. Më vonë Tahiri e pranoi se pajisja ekziston. Më pas drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi në Komisionin e Sigurisë se pajisja nuk ekziston. Ndërkohë, ish-drejtori i policisë italiane e hedh poshtë deklaratën e Çakos dhe thotë se pajisja ekziston, ka hyrë në Shqipëri dhe është përdorur. Këto qëndrime kontradiktore, të mbushura me alibi e mashtrime, janë provë e krimit që kanë kryer Tahiri me vartësit e tij”, vijoi më tej Ristani. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Ristani i bëri thirrje organit të akuzës të zbardhë sa më shpejt çështjen. “Prokuroria duhet të zbardhë sa më shpejt këtë çështje, kemi të bëjmë me sigurinë kombëtare, me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, me interesin më të lartë publik. Por ky hetim që e pret mbarë vendi, pengohet çdo ditë nga qenia në detyrë e Tahirit dhe e Çakos dhe e rrjetit të tyre drejtues. Ata duhet të largohen menjëherë nga detyra, që të kemi shpejt një drejtësi të plotë e objektive”, tha Arben Ristani gjatë deklaratës së tij.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërMinistri Klosi, i gjykuar për tërheqje të të miturve nën moshën 14 vjeç