Tharja e moçalit

Janë bërë shumë përpjekje për të shpjeguar fitoren e papritur të Donald Trumpit në Shtetet e Bashkuara, por ndoshta shpjegimi më i thjeshtë është edhe më i sakti: kundërshtarët e Trumpit nuk e kuptuan se çfarë po ndodhte, derisa ndodhi. Që nga ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila ishte virtualisht kandidatja më e pritur për të fituar zgjedhjet, tek republikanët që e kundërshtuan kandidaturën e tij, njerëzit e kanë nënvlerësuar vazhdimisht presidentin e zgjedhur. Fuqitë e mëdha, veçanërisht Azia, nuk duhet të bëjnë të njëjtin gabim.
Gjatë fushatës, Trumpi e dinte shumë mirë se kush ishte Clinton: e zgjuar dhe me eksperiencë, por i mungonte aftësia e tij për të bërë spektakël. Kështu ai bëri sikur nuk kuptonte, duke bërë fushatë në shtetet që shumë njerëz mendonin se ishin humbje kohe, ndërsa Clinton ndiqte startegjinë e drejtuar nga të dhënat. Qasja e saj e bëri të fitonte 2,7 milionë vota më shumë se Trumpi. Qasja e tij e bëri të fitonte presidencën.
Tani, teksa përgatitet për të marrë në dorë pushtetin, Trump po përdor të njëjtat taktika që ka përdorur gjatë fushatës, duke i dhënë prioritet tubimeve në vend të konferencave të shtypit dhe duke marrë pjesë në emisione amerikane në vend që të fokusohet në krizën e Sirisë. Ndërkohë, ai është duke tjetërsuar plotësisht diplomacinë e Shteteve të Bashkuara, ndoshta duke bërë telefonata të gjata me presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte dhe presidentin tajvanez, Tsai Ing-wen. Në vend që bota të tronditet edhe një herë nga Trump, duhet të mësojë të lexojë sinjalet e tij.
Për të lexuar më mirë planet e Trumpit, gjëja e parë që duhet bërë është të shihen emërimet e tij. Ndërmjet zgjedhjeve të Trumpit për sigurinë kombëtare, mbrojtjen dhe politikën e jashtme, shfaqet menjëherë një model i qartë veprimi: të gjithë janë specialistë të çështjeve të Lindjes së Mesme dhe Rusisë. Trump duket se ka ndërmend të mos ndjekë hapat e paraardhësve të tij duke vazhduar strategjinë e izolimit të Rusisë. Në të kundërt, ai kërkon ta përdorë Rusinë në mënyrë që kjo e fundit ta ndihmojë të trajtojë çështjet e Lindjes së Mesme.
Për Trumpin, i cili është fillimisht dhe mbi të gjitha biznesmen, të lesh një konkurrent të merret me armiqtë është strategjia ideale. Kjo shihet qartë edhe në deklaratën e tij se do t’i detyrojë aleatët e Shteteve të Bashkuara të paguajnë më shumë për mbrojtjen. Fakti që Trump duket se ka një mirëkuptim me presidentin Vladimir Putin mund të jetë një ndihmë në rast se kjo do të jetë strategjia e tij.
Por arsyet që e shtyjnë Trumpin drejt bashkëpunimit me Rusinë shkojnë edhe përtej Lindjes së Mesme. Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Rusia mund të përfitojnë nga rritja e çmimit të naftës, ndërsa vendet si Kina dhe Japonia do të vuajnë. Rusia mund të ushtrojë edhe presion gjeografik mbi Kinën, madje edhe në pjesën tjetër të Azisë, nëse do të jetë e nevojshme. Së fundi, Rusia mund të jetë forca që do ta shtyjë Europën më në fund të marrë në dorë vetëmbrojtjen e saj.
Edhe politikat ekonomike të Trumpit do të kenë pasoja në të gjithë botën, përfshirë edhe Azinë. Përsëri emërimet e tij në kabinet janë ato që sugjerojnë rrugën që kërkon të ndjekë. Trump ka përzgjedhur tre ish-punonjës të “GoldmanSachs” për të drejtuar ekipin e tij të ekonomisë. Premtimi i tij për “të tharë moçalin” e nepotizmit dhe korrupsionit ishte një strategji taktike.
Në kundërshtim të parashikimeve të disa ekspertëve, politikat ekonomike të Trumpit mund të funksionojnë. Me investime të mjaftueshme në infrastrukturë – dhe me ndihmën e normave negative të interesit – Trump mund të arrijë me të vërtetë të ringjallë produktivitetin dhe rritjen e GDP-së aq sa për të reduktuar borxhin e Amerikës. Çelësi i suksesit do të jetë kontrolli i rritjes së vlerës së dollarit, i cili ka arritur nivelin më të lartë të 13 viteve të fundit që pas zgjedhjeve presidenciale.
Vlera e lartë e dollarit nuk është një lajm i mirë për Azinë. Kur dollari është i dobët, multinacionalet marrin borxh dollarë për të financuar bizneset e tyre, të cilat japin të ardhura më të larta në monedhën lokale. Rritja e të ardhurave është pozitive për të gjithë, veçanërisht për tregjet në rritje, të cilët përfitojnë një rritja e eksporteve dhe rritja e prurjes së kapitalit në vend.
Por kur dollari fillon të fuqizohet, cikli merr drejtimin e kundërt. Monedha e huaj dhe kapitalet zhvlerësohen për tregjet në rritje, duke e bërë tregtinë më të kushtueshme. Të paktën 40 për qind e tregtisë fizike globale zhvillohet me dollarë amerikanë, që përbën të paktën 60 për qind të prurjeve financiare.
Tregjet financiare në këtë rast nisin të investojnë me dollarë, për shkak se norma e vlerësimit është më e lartë se përfitimi i tregtisë, duke e rritur akoma më shumë vlerën e dollarit. Rritja e tensioneve gjeopolitike e forcon këtë cikël, për shkak se dollari përfaqëson stabilitet, veçanërisht në një kohë që Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara po sinjalizojnë normalizimin e normave të interesit.
Në këtë pikë, pothuajse të gjitha monedhat aziatike, përfshirë jenin dhe renminbin, ndodhen nën presionin e zhvlerësimit. Banka e Japonisë dhe Banka Popullore e Kinës kanë marrë hapa për të ndaluar zhvlerësimin e monedhave të tyre në mënyrë që pasojat të jenë sa më të pakta.
Siç e dinë mirë edhe kolegët e Trumpit, kur tregjet në rritje janë në vështirësi, vetëm Rezervat Federale mund të ofrojnë likuiditetin e nevojshëm për të lehtësuar presionin. Me pak fjalë, presidenti i zgjedhur Trump po punon që tani nga një pozicion i favorshëm pushteti. Pjesa tjetër e botës nuk duhet të vazhdojë ta nënvlerësojë pasi rrezikojnë të kthehen në dëme kolaterale.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakDështimi i “doktrinës Obama”
Artikulli tjetërLufta kibernetike e Rusisë