Të zbulosh gomarin te vetja

Nga Yzedin Hima

“ …Zbulimi i gomarit te vetja është sa tronditës aq edhe i dhimbshëm, sidomos kur e zbulon mjaft vonë, ndërkohë që ke bashkëjetuar dhe bashkudhëtuar gjatë me të. Herë-herë, vendimet e mprehta në jetën tënde, në vend të njeriut, i ka marrë pikërisht gomari te vetja. Njeriu mund të jetojë gjatë dhe ta lerë këtë botë pa e zbuluar kurrë gomarin te vetja. Nën shenjën e gomarit, e kapërcen pragun për tek bota tjetër. Në jetën këtej, ka lënë thjesht ca gjurmë gomari…”

Ka tekste poetike, që të krijojnë një gjendje inkandeshente në shpirt, falë befasisë së figurës, gjuhës së bukur, origjinalitetit të ligjërimit.

Ndërsa, teksti poetik i Sadik Bejkos “Gomari nën lekurë” të shtang me mesazhin kuptimor, vërtetësine e tij dhe thyerjen e një tabuje të vjeter sa njeriu, zbulimin e gomarit te vetja. Autori, nëpërmjet një apostrofe njofton:

Si miq, si midis nesh, po e them,
po e plas dhe le ta marrë dreqi
Unë kam një gomar nën lëkurën time
Një të tillë e mbaj ngado me vete.

Takimi i lexuesit me një tekst të tillë është mjaft surprizues. Subjekti mendues, jo pa një kompleks epërsie, intelekti, shpall zbulimin e gomarit te vetja. Forma rrëfimtare, kinse konfidenciale, por edhe disi sensacionale e huton lexuesin dhe ky, pasi ndërpret leximin e poezisë, mediton: Po unë e kam gomarin te vetja?!

Dhe nis t’i hedh një sy vetes në dy kohë, në të tashmen dhe të shkuarën. Pastaj kujtohet se mjaft herë, në mënyrë të pavetëdijshme, e ka zbuluar dhe e ka takuar gomarin te vetja: “Po si ma hodhi kështu?! Kaq gomar isha”?! ose “O Zot, sa gomar isha! Si nuk e kuptova se ajo vajzë e mrekullueshme, me flokë plot dritë lajthie, priste nga unë një fjalë magjike, që unë gomari nuk dita t’ia thosha!”

Zbulimi i gomarit te vetja është sa tronditës aq edhe i dhimbshëm, sidomos kur e zbulon mjaft vonë, ndërkohë që ke bashkëjetuar dhe bashkudhëtuar gjatë me të. Herë-herë, vendimet e mprehta në jetën tënde, në vend të njeriut, i ka marrë pikërisht gomari te vetja. Njeriu mund të jetojë gjatë dhe ta lerë këtë botë pa e zbuluar kurrë gomarin te vetja. Nën shenjën e gomarit, e kapërcen pragun për tek bota tjetër. Në jetën këtej, ka lënë thjesht ca gjurmë gomari.

Po si e zbulon njeriu gomarin te vetja?! Ndoshta duke u bërë më njeri, duke u përsosur si qënie humane. Duke arritur lartësi të tilla të intelektit dhe shpirtit, befas vëren se atje tej, atje poshtë, ka lënë diçka nga vetja e dikurshme dhe kur vëren me kujdes, dallon gomarin, që nuk ka as çap as mundësi ta ndjekë aq larg, aq lart.

Takimi i tekstit me lexuesin është mistik. Ndodh, që nuk dallohet qartë, lexuesi lexon tekstin apo teksti “lexon” lexuesin. Një dukuri e tillë shfaqet kur lexon poezinë e Sadik Bejkos “Gomari nën lëkurë”.

Të vinë ndërmend mjaft pyetje ekzistenciale: “Gomari te vetja lindi bashkë me mua apo u shfaq rrugës?!“,”Pse disa e dallojnë gomarin te vetja, por e fshehin me fanatizëm?!“, “Gomari te vetja shndërrohet në njeri apo njeriu mund të shndërrohet në gomar?!”, etj, etj, etj.

Po cili është roli i kulturës, arsimit, varfërisë, mirëqënies, pushtetit në këtë çështje? Natyrisht diktaturat e shndërrojnë njeriun në gomar, duke e çnjerizuar atë.

Kur diktatori shqiptar shpalli me zë dhe figurë se “Bar do të ham, por parimet e stalinizmit nuk i shkelim”, turma e duartrokiti.

Metamorfoza e kthimit të njeriut në gomar po shpallej zyrtarisht: “Bar do të ham”. Dihet, që me bar ushqehet gomari, jo njeriu. Në diktaturë, njeriu është i detyruar të fshehë njeriun te vetja dhe të nxjerrë para, në dritë të diellit, gomarin që duron, bën sikur nuk kupton, shkon në aksione pa pagesë, bën punë të rënda me pak ushqim dhe i keqpaguar.
Diktaturat me diabolizmin e tyre predikojnë krijimin e njeriut të ri, në fakt me dhunë krijuan gomarin brenda njeriut. Popuj të tërë, për vite e dekada janë gomarizuar nga ideologjia dhe dhuna dhe kanë jetuar për dekada një jetë gomari..

Më e trishtë është bashkëjetesa me gomarin tek vetja në një shoqëri, që emërtohet si demokratike. Diktaturat e formojnë me dhunë gomarin te njeriu, por edhe postdiktaturës, për inerci e për interesa të ulta pushteti, i lipset jo njeriu, por gomari te njeriu.

Hidhni një sy turmave, që lidhen prej kapistalli me partitë, me kryetarët! Shihni se si gomari, jo njeriu kapi postin e drejtorit, shefit, deputetit, ministrit! Lidhja e vetme me postin nuk është as dija, as aftësia, as ekspertiza, por kapistalli prej gomari në duart e shefit. Me shpirt të plasur subjekti mendues shpërthen:

Ai ha ç’t’i japësh, kashtë apo bar
për të gjithmonë dikush kujdeset
i blejnë kapister, i blejnë samar
mua, mua…kush mi hedh sytë
kush më zë prej bishti në Pazar?

Klithma ekzistenciale për harrimin e njeriut, zëvendësimin e tij me gomarin, tingëllon tejet aktuale për kohën, në të cilën jetojmë. Në këtë rast, subjekti mendues merr përsipër simbolin e njeriut të dhunuar, të harruar, të fyer e poshtëruar dhe te zëvendësuar nga gomari, që përherë gjendet te çdo njeri.

Ky tekst nënkupton degradimin shoqëror dhe njerëzor. Pushteti harron njeriun, harron zërin e tij, por kurresesi nuk harron gomarin brenda tij.
Dhuna, deformimi i lirisë, arroganca, përvetësimi i të mirave materiale e shpirtërore nga një dorë njerëzish, e revolton deri në ekstrem, subjektin mendues, deri në atë masë sa te braktisë njeriun dhe të shfaqet me fytyrën dhe zërin mjaft në modë, atë të gomarit:

Herë-herë më vjen te ha bar si ai
të rrënkoj nën gulç e nën barrë si ai
me vjen, me vjen…të pëllas fort e fort
si ai të klith: mu bë shpirti më gomar se i tij.

Vetëm arsye madhore mund të shkaktojnë metamorfoza të tilla te njeriu: Padrejtësia dhe dhuna e saj, përbuzja dhe mospërfillja e njeriut dhe e zërit të tij.

Artikulli paraprakORIGJINA E MENDIMIT
Artikulli tjetërNdryshimi është shpëtim, të qëndruarit tek e shkuara, përçmim