Të shtëna me armë në Elbasan, një i plagosur, terrorizohen banorët

Një person ka mbetur i plagosur me armë pasditen e djeshme pranë Gjykatës në Elbasan. Burimet bëjnë të ditur se, i plagosur ka mbetur shtetasi Dritan Kasneci, i cili ka marrë një plumb në shpatull, teksa ishte ulur në lokalin pranë Gjykatës. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në afërsi të Gjykatës së Rrethit, ndërsa janë terrorizuar banorët. Autori i atentatit ka qëlluar me armë nga një automjet në ecje. Autoritetet policore lokale bëjnë me dije se personi i prekur nga breshëria e plumbave ka mbetur i plagosur rëndë. Mësohet se ai është dërguar në Spitalin e Elbasanit dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Nuk dihen ende rrethanat e ngjarjes, ndërsa policia nuk ka mundur të zbulojë dhe arrestojë autorin e ngjarjes.
Ndërkohë, një tentativë vrasje ka ndodhur të martën po në Elbasan. Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë vënë në kërkim të 29-vjeçarit me iniciale R.B. i cili dje në lagjen “Skënderbej” dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj 28-vjeçarit D.I.
Sipas të dhënave zyrtare, personi në kërkim ka qëlluar me një pistoletë në oborrin e banesës së 28-vjeçarit, por fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar. Policia nuk jep motive konkrete të ngjarjes, por thotë se ka ndodhur për motive të dobëta.
Grupi hetimor gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 3 gëzhoja armë zjarri të kalibrit 7.65 mm. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Artikulli paraprakShpërthim në repartin ushtarak në Porto Romano, dy të plagosur
Artikulli tjetërKufoma në Zvërnec, 31-vjeçari është vrarë për 1.3 ton drogë