Task Forca-Çakos: Informacion urgjent për padinë ndaj Gjozës

Nisur nga shqetësimet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim në adresë të zëvendëskryeministres Ledina Mandija, në cilësinë e drejtueses së Task Forcës “Për monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” të krijuar me VKM nr. 473, datë 01.06.2017, se kallëzimi i bërë në organin e Prokurorisë nga Policia e Shtetit në ngarkim të z. Elez Gjoza është bërë pa kryer një vlerësim të thelluar të rrethanave të faktit, për cenimin e figurës të z. Gjoza dhe me qëllim pengimin e fushatës zgjedhore të LSI, zv.kryeministrja Ledina Mandija ka kërkuar menjëherë që kjo çështje të futet për diskutim në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Task Forcës.
Znj. Mandija i ka kërkuar prej disa ditësh informacion urgjent drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako për procedurën e ndjekur dhe veprimet e kryera nga Policia e Shtetit për verifikimin e rastit në fjalë, si dhe kopje të plotë të kallëzimit drejtuar organit të Prokurorisë të shoqëruar me provat apo materialin shoqërues.
Zv.kryeministrja Mandija thekson edhe një herë se Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral.
Task Forca përmes rolit të saj koordinues nxit paanshmërinë dhe trajtimin e barabartë të kandidatëve e partive politike në marrëdhëniet me administratën shtetërore dhe burimet e saj, për krijimin e kushteve të drejta e të barabarta për të gjithë kandidatët dhe partitë politike në procesin elektoral, si dhe mospërdorimin e fondeve dhe burimeve publike për qëllime partiake. Task Forca ka në përbërjen e saj ministrin e Punëve të Brendshme; ministrin e Mbrojtjes; ministrin e Financave; ministrin e Arsimit dhe Sportit; ministrin e Drejtësisë; ministrin e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin; ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore; sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave; drejtorin e Departamentit të Administratës Publike; drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit; drejtorin e Parandalimit dhe Pastrimit të Parave, në Ministrinë e Financave.

Artikulli paraprakFushata në Shkodër, vende pune në burgun e Reçit në këmbim të votës
Artikulli tjetërDako vende pune në këmbim të votës