Tashmë të gjithë i frikësohen Juves!

Mbrojtësi i Juventusit, Leonardo Bonuçi nuk e ka problem që në gjysmëfinale të luajë ndaj cilësdo skuadër. Ai madje tha se janë skuadrat e tjera Real Madrid, Monaco dhe Atletico Madrid që i frikësohen Juventusit, pas eliminimit të Barcelonës.
“Mendoj se nuk është se kë duam në gjysmëfinale. Pasi të tre skuadrat e tjera nuk duan të takohen me ne. Juventus po i frikëson skuadrat e tjera tashmë, sepse ne e kemi dëshmuar veten dhe duam të luajmë në finalen e Kardifit”, tha Bonuçi pas ndeshjes me Barcelonën.
Ndërsa trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri ka lavdëruar lojtarët e tij, sidomos mbrojtësin Andrea Barzagli. Italiani tha se pas inkuadrimit të Barzaglit në lojë, ka pasur ndjenjë se nëse do të luanin një ditë të tërë nuk do të pësonin gol, pavarësisht se për Barcelonën luanin Leo Mesi, Neymar dhe Luis Suarez.
“Të gjithë ishin të jashtëzakonshëm sonte, por kur u inkuadrua Barzagli, kisha ndjenjën se edhe nëse do të luanim gjatë tërë ditës, nuk do të pësonim gol”, tha Alegri pas ndeshjes me Barcelonën. Kujtojmë se Juventus këtë edicion në Ligën e Kampionëve në 10 ndeshje ka pësuar vetëm dy gola.
Bernd Schuster tha se Barcelona ka dështuar në transferimin e lojtarëve dhe se nuk ka skuadër për të luftuar për tre titujt. “Barcelona ka dështuar në transferime dhe skuadra nuk e ka nivelin e duhur për të luftuar në tri gara”, tha Schuster. Kujtojmë se Barcelona gjatë kësaj vere transferoi portierin Cillesen, Umtiti, Ucas Digne, Andre Gomes dhe Paco Alcaser, të gjithë këta zëvendësues përveç francezit, Umtiti.

Artikulli paraprakDani Alvesh “braktisi” Juven për t’u folur shokëve te Barcelona
Artikulli tjetërAlegri në delir!