Talat Xhaferi merr detyrën si kryeministër i RMV-së: Detyrë primare, organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira

Talat Xhaferi ka marrë sot detyrën e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Ka qenë kryeministri në largim, Dimitar Kovaçevski, i cili i ka dorëzuar detyrën dhe më pas dy politikanët kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kovaçevski e ka uruar Xhaferin, duke thënë se beson që kjo qeveri do të jetë e përkushtuar në interesat dhe prioritetet e qytetarëve dhe të shtetit.

Nga ana tjetër, Xhaferi theksoi se detyra primare e qeverisë së tij është organizimi i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale dhe ruajtja e aleancës me SHBA, BE dhe NATO. “Lëkundja mund të shfrytëzohet nga fuqi të treta”- tha Xhaferi.

“Me premtimin se sëpaku një herë në muaj do shihemi rregullisht. Sapo përfunduam takimin kokë më kokë, me Kovacevskin, u pajtuam për cështjen primare që do jetë në fokus të qeverisë. Shpreh kënaqësinë për detyrën që mora përsipër. Duke qenë se jemi në koalicion qeveritar, natyrisht edhe qeveria që do udhëheq detyrohet të zbatojë politikat në këtë program. Detyra primare është organizimi i zgjedhjeve të rregullta parlamentare dhe presidenciale. Do të zbatojmë të gjithë parakushtet ligjore për zbatimin e vullnetit të qartë të qytetarëve, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Aleanca me SHBA, BE dhe NATO, mbetet prioritet i qeverisë së RMV, lëkundja mund të shfrytëzohet nga fuqi të treta. Ruajtja e kësaj aleance nuk ka alternativë tjetër. Integrimi si udhërrëfyes në platformën qeveritare, janë lart në axhendën e qeverisë. Pa marrë parasysh se sa do zgjasë kjo qeverisë, nuk do të mungojë funksionimi institucional në shërbim të qytetarëve. Mund të jemi të ndryshëm në këtë qeveri, por jemi aty falë legjitimitetit tuaj”, tha Xhaferi.

Qeveria teknike e drejtuar nga Talat Xhaferi, me mandat 100 ditor, u votua dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim. Xhaferi do të udhëheqë qeverinë teknike deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme më 8 maj.

Artikulli paraprak“Industria përpunuese po tkurret me shpejtësi”, analiza: Cilat janë kostot e shkatërrimit të prodhimit vendas
Artikulli tjetërOperacioni “Plumbi i Artë”, çështja kalon për gjykim, kthehet për hetim dosja për Talo Çelën