Tahiri pastron dosjen e Balilit në polici dhe sistemin TIMS

Dosja e Klement Balilit në Policinë e Shtetit dhe sistemin TIMS është e pastër. ABC News ka arritur të kontrollojë dosjen personale të biznesmenit Balili, e cila ndodhet e regjistruar në mënyrë elektronike. Nga këqyrja e këtyre të dhënave, në formën e kartelës personale, Balili rezulton i pastër dhe i pa shoqëruar ndonjëherë në Policine e Shtetit apo i proceduar penalisht. Në këtë faqe është ndërhyrë për të fshirë të dhënat e arrestimit të tij në korrik të 2006, ku është arrestuar së bashku me dy inspektorë policie për akuzën e trafikut të 750 kg drogë, por që më pas, akuzat ndaj tij janë pushuar me urdhër të Prokurorisë. Por pavarësisht pushimit të akuzave, në sistem duhet të ishte e regjistruar rasti i procedimit, arrestimit apo edhe pushimit.
Për Balilin nuk figuron në kartelë edhe kallëzimi penal i Bashkisë së Sarandës për ndërtim të paligjshëm të kompleksit turistik “Santa Quaranta”, ku kompania e tij dhe ai vet personalisht janë kallëzuar nga ish-kreu i Bashkisë tashmë me detyrën e zv/ministrit të Brendshëm. Por pavarësisht se është detyrim ligjor, që në këtë kartelë të evidentohen këto raste, për Klement Balilin nuk ka asnjë të dhënë për të kaluarën e tij penale. Ndryshe ndodh me shtetasit e tjerë shqiptarë, ku për çdo kallëzim, shoqërim apo informacion tjetër, agjentët e policisë i hedhin në programin e sistemit TIMS.
Nga ana tjetër, ABC News ka mësuar se Kelment Balili udhëtimin e fundit nga Shqipëria e ka bërë më 18 prill të këtij viti, duke kaluar në orët e para të mëngjesit në Kosovë nga ku është kthyer në darkë. Për të vazhduar po me një udhëtim brenda ditës më 10 prill po në Kosovë dhe më pas më 22 mars po të këtij viti ka kaluar në Malin e Zi, nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Muriqanit dhe është kthyer brenda ditës. Por pavarësisht se nuk figuron që ka kaluar zyrtarisht me dokumentin e tij personal në pikat e kalimit kufitar të Shqipëri, Klement Balili për Policinë është në arrati. Për këtë fakt, Policia e Shtetit në sistemin TIMS më datë 11 maj, ka hedhur në sistem emrin e Klement Balilit. Duke njoftuar të gjitha pikat e kalimit kufitar, se nëse paraqitet ky shtetas për të dalë apo hyrë në territorin shqiptar të njoftohet shefi i Krimit të organizuar pranë Policisë së Shtetit. Ky njoftim, thuhet në kartelë, të bëhet për shkak se duhet të merret në pyetje për llogari të procedimit penal ku dyshohet se është përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Për këtë procedim, në Greqi janë arrestuar 13 shtetas grekë dhe dy shtetasit shqiptarë Petro Dalanaj dhe Kleanthi Palaj. Si pjesë e këtij rrjeti në Belgjikë janë arrestuar dy vëllezërit nga Kukësi, Dhimitër dhe Xhevahir Poti.

Dokumentat e policisë greke: Çfarë ndodh me hashashin në Shqipëri?

Dokumenta të Policisë greke, të publikuara nga mediat e vendit fqinj zbardhin të gjithë skemën si funksiononte trafiku i drogës, që drejtohej nga Klement Balili. Pjesë e shkrimeve të mediave të huaja është edhe roli i shqiptarëve në trafik. Celula e trafikantëve që kultivonin drogën dhe garantonin dërgimin e hashashit në kufi me Greqinë ishte një celulë e veçuar nga ajo e Greqisë dhe e Belgjikës.
Ndërkohë që në Greqi dhe Belgjikë janë arrestuar tashmë të gjithë trafikantët, në Shqipëri nuk është ndërmarrë asnjë veprim dhe për më tepër nuk jepet asnjë informacion në media. Në Athinë është arrestuar Georgios Alifantis bashkëpunëtori më i ngushtë i Balilit. Në Bruksel janë arrestuar dy vëllezërit Dhimitër dhe Xhevahir Poti. Për Balilin ende nuk është nxjerrë një mandat arresti nga Policia shqiptare, ndërkohë që pala greke e ka shpallur në kërkim.
Grupi përdorte agjencitë e udhëtimeve dhe agjencitë e transporteve si brenda dhe jashtë vendit për të fshehur drogën, ku shpesh herë e ka bërë këtë gjë në trajlera të mbushur me gurë dekorativë (Mermer), trajlera të ngarkuar me çokollata dhe drurë për zjarr.
Shqiptarët e përfshirë në trafikun e drogës: Klement Balili 44 vjeç, shtetas shqiptar, banues Sarandë Shqipëri. Petro Dalanaj 59 vjeç, profesioni peshkatar, Sarandë. Kleanth Palaj 22 vjeç, profesioni peshkatar, Sarandë. Zaharia Rondo 50 vjeç, profesioni shofer, lindur Himarë, banues Kifisia Athinë. Stefan Zoto 43 vjeç, profesioni shofer, lindur Himarë, banues Pagrati Athinë

“Baroni i Ballkanit”, 20 milionë euro për “Santa Quaranta”

Gazeta greke “Ethnos” ka bërë një artikull të gjatë për “Baronin e Ballkanit”, kreun e organizatës kriminale që trafikonte drogë në të gjithë Evropën. Gazeta greke ka pasqyruar të gjitha deklaratat dhe akuzat politike në Shqipëri për këtë çështje, dhe njësoj si mediat e tjera në shtetin fqinj, thotë se Escobari shqiptar është Klement Balili. Duke folur rreth këtij personazhi, e përshkruar atë me lidhje të forta politike dhe thekson edhe fatin që është pronar i resortit luksoz “Santa Quaranta” në Sarandë, një investim 20 milionë euro shkruan kjo media.
Ndryshe, nga sa u deklarua një vit më parë në inaugurimin e resortit ku morën pjesë drejtues të lartë të qeverisë, ku u tha se kushtoi 3 milionë euro. “Biznesmeni 44-vjeçar, përveç “Santa Quaranta” është gjithashtu pronar edhe i hotel “Olivia” në bregdetin e Butrintit. Edhe “Santa Quaranta” është një investim prej 20 milionë euro. Sot është hoteli më modern dhe luksoz në bregdetin shqiptar. Hoteli organizon shpesh “netët greke”, ku janë të ftuar shumë emra të muzikës greke, duke përfshirë Katerina Stikoudi, George Tsalikis, Ilias Vrettos, Stavento etj”, shkruan gazeta greke “Ethnos”. Balili, ndërkohë është edhe pronar i hotel “Olivias” në bregdetin e Butrintit, një ndër hotelet më të njohura të zonës. Po ashtu është pronar i hotel “Butrinti” në Sarandë. Së bashku me vëllezërit e tij, Klement Balili është pronar i shoqërisë së sigurisë private “Balili shpk”, e cila operon në Qarkun e Vlorës.
Klement Balili, 44-vjeç, konsiderohet nga mediat në Greqi si “Eskobar i Ballkanit” i cili drejton një kartel që trafikon sasi të mëdha lëndë narkotike në vendet e BE-së. Në një operacion të para pak ditëve, policia greke arrestoi në total 15 persona, ku pesë prej tyre në Zakynthos dhe dy në Belgjikë. Policia zbuloi në ishull 678 kg marijuanë, e cila në treg do të kapte një vlerë prej 1.5 milionë euro. Sipas hetuesve lënda narkotike është transportuar nga Shqipëria në Zakynthos në fund të muajit prill.

Balili kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë

Rrjeti i drogës në të cilin dyshohet se ka qenë përfshirë edhe Klement Balili, kishte planifikuar të fuste në Francë 60 kg kokainë. Kjo ishte planifikuar të realizohej më 18 nëntor 2015. Droga ishte magazinuar në një vend të panjohur në Belgjikë dhe që andej do të dërgohej në Itali e më pas në Francë. Mirëpo masat e larta të sigurisë, pas sulmeve terroriste në Paris, që ishin kryer pesë ditë më parë, i detyruan krerët e organizatës që ta anulonin operacionin. Kështu bën të ditur portali grek, “The Toc”, që pretendon se ka në dorë gjithë dosjen penale të çështjes. Sipas “The Toc”, operacioni financohej nga kreu shqiptar, me moshë 44 vjeç (që sipas gjithë mediave greke në fakt, është Balili).
Një tjetër operacion ka dështuar sërish, në shkurt 2016. Një sasi droge do të transportohej nga Spanja për në Itali, me një kamion të transportit ndërkombëtar. Përgjegjës për sigurimin e drogës ishte një pjesëtar i rrjetit, shtetas shqiptar, me moshë 43 vjeç. Për transportin ishin destinuar 100.000 euro, nga të cilat 20.000 do t’u jepeshin drejtuesve të mjetit dhe 80.000 do t’u shpërndaheshin pjesëtarëve të tjerë, me rol mbështetës. Kamioni u nis më 20 shkurt nga Vjena e Austrisë, hyri në Itali dhe përmes Portit Civitavecchia mbërriti me traget në Portin e Barcelonës, për të marrë ngarkesën e drogës. Mirëpo, edhe ky aksion u anulua, për shkak të kontrollit  të kamionit nga autoritetet spanjolle, gjë që krijoi dyshime tek drejtuesit e rrjetit.
Por edhe më herët, në prill 2015, kishte dështuar një tentativë për të transportuar drogë nga Belgjika për në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, siç citon dosjen penale portali grek, “The Toc”. Kamioni ishte nisur me një ngarkesë të ligjshme nga Greqia, me stacion tranzit Mynihun, ku do të shkarkohej e do të merrte një ngarkesë tjetër, gjithashtu të ligjshme, për në Oslo. Kamioni ishte planifikuar të kalonte nga Belgjika, ku në vendet e posaçme do të fshihej sasia e drogës. Por edhe ky aksion u anulua, pasi skadoi afati i marrjes në dorëzim të ngarkesës së ligjshme. Por edhe për një arsye tjetër: Karroceria e kamionit kishte lartësi më të madhe nga sa lejohej që të qarkullonte në rrugët e Norvegjisë…
Në dosjen penale, gjithmonë sipas citimeve të portalit grek “The Toc”, ka edhe një detaj interesant sa i përket qëndrimit të Policisë shqiptare, kur homologët grekë u folën mbi veprimtarinë e “Kelit”, siç përmendet Balili. Përfaqësuesit e autoriteteve shqiptare, “kur dëgjuan emrin, u thanë se nevojiteshin prova të pakundërshtueshme, me qëllim që ata ta gjenin e ta arrestonin”. Dhe kjo, shpjegon “The Toc”, për arsye se “Keli” sillej të kishte lidhje të fuqishme me aparatin shtetëror të vendit fqinj”. Gjithsesi, “The Toc” nënvizon se ka interes të shihet se si do të lëvizin autoritetet shqiptare, pasi të lëshohet urdhër arresti ndërkombëtar për Balilin, çka sipas portalit grek do të bëhet brenda kësaj jave.

R.POLISI

Artikulli paraprakRaporti: 1 në çdo 2 qytetarë, ryshfet për shërbimet falas nën presionin e zyrtarëve
Artikulli tjetërPS nuk pranon që të dëgjohen Llalla dhe Ajazi