Supertaksat ndaj biznesit të vogël

Biznesi i vogël do të taksohet dhe do të paguajë 20% të TVSH-së. Ky është vendimi i fundit i Ramës, i cili paralajmëron një rritje të fortë taksash vitin e ardhshëm, duke nisur nga taksa për biznesin e vogël. Një tjetër taksë që do të nisë eksperimentimin për shqiptarët është ajo për pronën. Taksa do të nisë të eksperimentohet në Tiranë dhe më pas në të gjithë Shqipërinë. Barra e taksave do të vijë duke u rritur për shkak të borxheve të larta që qeveria Rama ka marrë në katër vitet e para të qeverisjes. Shlyerja e këtyre taksave do të rëndojë mbi qytetarët të cilët duhet të paguajnë për shpenzimet e luksit të Ramës dhe për koncesionet e klientelës së tij.
Shqiptarët duhet të paguajnë shtrenjtë haremin politik të Ramës, ku paratë nuk shkojnë për investime publike, por për koncesione për Vilmat e qeverisë dhe tenderat për klientelën e Ramës, pas të cilës fshihen edhe banda ndër më të rrezikshmet në vend.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar do të shtrihet në të gjithë biznesin e vogël. Lajmin e dha dje Kryeministri i vendit Edi Rama, gjatë një prononcimi live në ERTV në kudër të konsultimit publik për buxhetin dhe paketën fiskale 2018.
Kryeministri tha se të gjitha subjektet e biznesit të vogël do të përfshihen në TVSH.
“Do t’i kërkojmë biznesit të vogël të bëhet pjesë e luftës kundër informalitetit. Të gjitha subjektet, edhe subjektet e biznesit të vogël do të përfshihen në TVSH. Nuk është e vërtetë që do të ketë rritje taksash për biznesin e vogël. Ne e kemi bërë zero dhe do të vazhdojë të mbetet zero. Ne do ta përfshijmë në regjimin e TVSH, por kjo nuk do të thotë se do të ketë rritje taksash. Çdo biznes i vogël do të sillet në mënyrë të strukturuar”, ka pohuar sot Rama në Fier, teksa ka nisur diskutimet për projektbuxhetin 2018.
Më herët bizneset e mëdha i kanë kërkuar kryeministrit të përfshijë bizneset e vogla në TVSH si mënyra më e mirë për të parandaluar evazionin që krijonte përshkallëzimi.
Aktualisht bizneset e vogla lëshojnë faturë të thjeshtë tatimore, për çdo blerës të tatueshëm që merr furnizimin. Ndërsa për çdo blerës individ konsumator final, është i detyruar të lëshojë kupon tatimor nga pajisja fiskale.
Çdo blerje të tyre janë të detyruar ta justifikojnë me faturë tatimore me TVSH, kur blerja është kryer te personat e regjistruar si tatimpagues të TVSH-së.
Por ky vendim i qeverisë do të krijojë një tranzicion të ri në mesin e bizneseve të vogla, të cilat kanë një nivel të pamjaftueshëm njohurish dhe burimesh njerëzorë për t’u përfshirë në TVSH.
Në fund të vitit 2015, qeveria shqiptare vendosi që të heqë taksën e biznesit të vogël për xhiro deri në 5 milionë lekë (që ishte 25 milionë lekë në vit), ndërsa për fashën nga 5 në 8 milionë lekë tatimi u ul në 5%, ndërsa për bizneset që kanë një qarkullim vjetor më të lartë sesa 8 milionë lekë, tatim fitimi është 15%. Plani është të taksohen bizneset me xhiro mbi 2 milionë lekë, por deri tani nuk është vendosur se sa do të jetë niveli.
Vendimi u mor, pasi aksioni antiinformalitet që u zhvillua me agresivitet në shtator-dhjetor 2015 dhe u përqendrua fillimisht tek biznesi i vogël, krijoi pakënaqësi të mëdha dhe uli popullaritetin e politikave të qeverisë.
Por ky përjashtim u konstatua shumë shpejt që u bë burim evazioni. Heqja e taksave dhe vendosja e kufijve të xhiros bëri që prodhuesit të gjendeshin para refuzimit të tregtarëve për të marrë faturë. Kjo do të sillte rritje të xhiros së sipërmarrjeve të vogla, deri në kalimin e tyre në të mesme e të mëdha, pra duke i bërë një biznes objekt taksash.
Të ardhurat nga biznesi i vogël zbritën në rreth 600 milionë lekë në vitin 2016, nga 2 miliardë lekë që ishin në vitin 2015, para se të hiqej taksa për subjektet me xhiro deri në 5 milionë lekë. Pesha që zënë të ardhurat nga tatimi mbi biznesin e vogël në buxhet është e papërfillshme, përkatësisht 0.5% dhe 0.1% e totalit në 2015 dhe 2016, por shqetësimi kryesor lidhet me shkëputjen e zinxhirit të deklarimit për shkak të mungesës së interesit të subjekteve të vogla për të marrë faturë.
Ndërsa në buxhet, pesha e të ardhurave të biznesit të vogël është e papërfillshme, ajo ishte e rëndësishme për pushtetin lokal (që përdorte të ardhurat nga kjo taksë), i cili u detyrua ta kompensonte përmes shtimit të taksave të tjera si ajo e pastrimit, hapësirës, pronës etj.
Mësohet se ndërkohë, në kuadër të aksionit antiinformalitet që ka nisur nga 1 tetori, tatimet po kalojnë shumë subjekte të vogla në biznese me TVSH.

Enton DACI

Artikulli paraprak1 miliard euro koncesione për pastrimin e parave të drogës
Artikulli tjetërSHBA: Luftë qeverive të korruptuara në Ballkan