Sulmohet me armë magazina e një biznesmeni në Tiranë

Një firmë ndërtimi në Tiranë është sulmuar me breshëri kallashnikovi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në afërsi të mbikalimit të Gërdecit në aksin rrugor Durrës-Tiranë, rreth 300 metra larg autostradës. Sipas policisë është qëlluar drejt një firme të prodhimit të inerteve të ndërtimit me pronar Pëllumb Salillari.
Policia bëri të ditur se një person ka qëlluar me kallashnikov, ndërsa nga të shtenat nuk u lëndua asnjë person. Në vendngjarje policia gjeti mbi 20 gëzhoja kallashnikovi. Policia tha se ka sekuestruar kamerat e sigurisë, megjithatë nuk ka mundur të identifikojë autorin. Nga pamjet duket një person, i cili qëllon me automatik dhe më pas largohet me një automjet, por për shkak të errësirës, targat nuk dallohen.
Policia ka ngritur disa pista hetimi për të zbuluar motivet e ngjarjes. Një prej tyre është edhe një konflit i pronarit të kësaj firme për pronësinë e një guroreje në Krujë. Po ashtu, grupi hetimor nuk përjashton as prishjen e kontratave të kësaj firme ndërtimi me subjekte të tjera.

Artikulli paraprakZëri i Amerikës: Edi Rama në pozita tejet të vështira
Artikulli tjetërMaskat terror në Korçë, grabisin një kazino në qendër të qytetit