Sulmi kimik ndaj opozitës, ekspertiza: Nuk u shkaktua nga prozhektorët

Ekspertët kanë dalë në konkluzionin përfundimtar se, helmimi i 140 personave që ndodheshin në mitingun e PD nuk është shkaktuar nga prozhektorët. Mësohet se konkluzioni ka qenë që prozhektorët nuk e shkaktojnë problemin shëndetësor në formën dhe në masën që u është shfaqur më se 140 personave pjesëmarrës në mitingun e PD. Pikërisht, bazuar në këtë përfundim që pritet t’i shkojë edhe me shkrim Prokurorisë, grupi i hetimit ka administruar analizat e gjakut të personave të dëmtuar, për të kuptuar se me çfarë janë helmuar të dëmtuarit.
Prokuroria dërgon një letërporosi në Gjermani në lidhje me hetimin për helmimin e 146 pjesëmarrësve në mitingun hapës të fushatës elektorale të Partisë Demokratike në kryeqytet. Ditën e djeshme, Prokuroria ka bërë me dije, se Mjekësia Ligjore në Tiranë ka kthyer përgjigje me shkrim se e ka të pamundur të kryejë ekspertimet e kërkuara për 146 mbështetësit e PD-së të paraqitur në spital me shenja helmimi menjëherë pas mitingut të hapjes së fushatës. Mjekësia Ligjore në Tiranë ka thënë se duhet të analizohen 32 mijë elementë për përcaktimin e lëndës që ka sjellë pasojat dhe për këtë arsye, ekspertimi është jashtë mundësive të saj ekonomike e njerëzore.
Ndërkohë 37 monstra gjaku nga personat e lënduar janë dërguar në Gjermani, për të mësuar shkakun e vërtetë të problemeve shëndetësore. Analizat e 20 personave, të cilët janë me kartelë mjekësore, pasi kanë qëndruar dy ditë në spital do të dërgohen në një laborator gjerman.
Grupi hetimor shpreson, që brenda disa ditësh të ketë përgjigjen e saktë se çfarë solli helmimin e pjesëmarrësve në miting. Për Prokurorinë është një hetim kompleks dhe i vështirë. Prokuroria dyshon se, shkak mund të jenë bërë edhe ndriçuesit që u përdoren në miting. Ndërkohë, një tjetër ekspertim do të ketë për rrobat e personave të helmuar. Në dosjen e referuar pranë Prokurorisë së Tiranës, policia thotë se në përfundim të aktivitetit elektoral të PD për zgjedhjet parlamentare 2017, disa pjesëmarrës në të u regjistruan në kartela për ndihmë mjekësore, me simptomat e skuqjes së fytyrës, syve dhe qafës. Të tjerët janë paraqitur në spital për këshillim mjekësor, duke e çuar numrin e të dëmtuarve në 146.

Artikulli paraprakAksidenti tragjik i Kavajës ku humbën jetën 2 fëmijët, dosja në gjykatë
Artikulli tjetërMësuesit dhe mjekët merren forcërisht në mitingun e Ramës