Strakosha “gradohet” zëvendësues i Marketit

Paraqitja e mirë ndaj Milanit, në debutimin në Serinë A nuk kaloi pa u vënë re. Pas 90 minutëshit të luajtur në “San Siro”, Tomas Strakosha tashmë vlerësohet si portieri i dytë i Lazio-s. Prej merkatos së verës dhe largimit të Etrit Berishës, pyetja më e rëndësishme në radhët e klubit italian lidhej me faktin se cili ndërmjet Vargiç dhe Strakoshës do të ishte zëvendësuesi i Marketit.
Një dilemë të cilën e kishte edhe trajneri Inzaghi, që deri në ndeshjen me Milanin nuk kishte dhënë për asnjë moment një përgjigje të saktë. Kur Strakosha doli në nxehje në “San Siro” të gjithë u befasuan. Megjithatë 21-vjeçari kuqezi i bindi të gjithë dhe me paraqitjen ndaj Milanit ndryshoi hirearkinë e portierëve te Lazio.
Fakti që bardhekaltërit kanë mjaft besim te “gardiani” i kombëtares shqiptare u kuptua, kur refuzuan ofertën e Cardiff, në orët e fundit të merkatos së verës. Tashmë, Strakosha pritet të luajë titullar edhe gjatë kësaj fundjave në sfidën kundër Empolit. Tomas Strakosha ka një mbiemër që jep garanci, duke ndjekur gjurmët e babait Fotaq, por mbi të gjitha është një profesionist i jashtëzakonshëm.
Shqiptarët tani mund t’i gëzohen Strakoshës së vogël të portës, që tashmë është bërë i madh. Theu të gjitha parashikimet duke u “graduar” portier i dytë te Lazio dhe ofron garanci për të ardhmen e Shqipërisë.

Artikulli paraprakFrenohen Barcelona dhe Reali
Artikulli tjetërJuventusi reagon