Stërvitja ushtarake më e madhe që nga Lufta e Ftohtë, NATO “mobilizon” 90 mijë ushtarë

NATO po fillon stërvitjen e saj më të madhe që nga Lufta e Ftohtë duke treguar se si trupat amerikane mund të përforcojnë aleatët evropianë në vendet në kufi me Rusinë, dhe në krahun lindor të aleancës, nëse një konflikt do të ndizet me një kundërshtar “të afërt”.

Rreth 90.000 trupa do t’i bashkohen stërvitjeve “Steadfast Defender 2024” që do të zgjasin deri në muajin maj, tha të enjten komandanti suprem i Aleancës për Evropën, gjenerali amerikan Chris Cavoli.

Më shumë se 50 anije do të marrin pjesë, gjithashtu më shumë se 80 avionë luftarakë, helikopterë dhe drone dhe të paktën 1.100 automjete luftarake, duke përfshirë 133 tanke dhe 533 automjete luftarake të këmbësorisë, tha NATO.

NATO nuk e përmendi me emër Rusinë në njoftimin e saj. Por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon Rusinë si kërcënimin më të rëndësishëm dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e anëtarëve të aleancës.

“Steadfast Defender 2024 do të demonstrojë aftësinë e NATO-s për të vendosur me shpejtësi forcat nga Amerika e Veriut dhe pjesë të tjera të aleancës për të përforcuar mbrojtjen e Evropës”, tha NATO.

Përforcimi do të ndodhë gjatë një “skenari të simuluar të konfliktit me një kundërshtar të afërt”, u tha Cavoli gazetarëve në Bruksel pas një takimi dyditor të shefave të mbrojtjes kombëtare.

Stërvitjet e fundit të një madhësie të ngjashme ishin ato që quheshin Reforger – gjatë Luftës së Ftohtë në vitin 1988 me 125.000 pjesëmarrës – dhe Trident Juncture më 2018 me 50.000 pjesëmarrës, sipas NATO-s.

Artikulli paraprak“Tani kemi ‘vdekje’ të Komisioneve”, Sefa pas dekretimit të ligjit nga Presidenti: Mazhoranca do të hetojë veten! Begaj doli përtej rolit të tij
Artikulli tjetërPasojat e emigracionit! Psikologët tregojnë dramat që po krijohen në familjen shqiptare