Standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tri vite

Kreu i PD, Lulzim Basha shprehu keqardhjen dje “që standardet e NATO-s janë përdhosur në këto tri vite”. Veçanërisht, u shpreh ai, në fushën e mbrojtjes, ku jo vetëm kemi rënie të buxhetit nga 2 për qind që është kërkesë e Aleancës në 0.87% të GDP, por ku paratë e shqiptarëve shpërdorohen në mënyrë skandaloze për luks zyrash apo vidhen me tendera të korruptuar, siç ka zbuluar Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Politizimi, shkarkimet e padrejta dhe emërimet korruptive e klienteliste kanë sjellë si rezultat rënie të gatishmërisë së Forcave tona të Armatosura, trafikun me avionë të drogës, rikthimin e skafeve dhe cenimin e sigurisë kombëtare” tha Basha.  Në një mesazh me rastin e Si kryetar i opozitës, tha ai, dëshiroj t’u shpreh mbarë shqiptarëve angazhimin e PD dhe përkushtimin tim personal që në bashkëpunim me aleatët strategjikë, do të konsiderojmë prioritet në programin e PD-së, përgatitjen e një projekti kombëtar në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. “Ky projekt përtej përmbushjes së detyrimeve në kuadër të NATO-s, do të fokusohet në strategji, projekte dhe kapacitete të afta të përballen me listën e rreziqeve si: “cenimi i stabilitetit të demokracisë, kriminalizimi i institucioneve, terrorizmi, krimi i organizuar, trafiqet, policimi ajror, rastet renegate, kriza financiare, emergjencat civile, siguria e mjedisit”, që kërcënojnë sot më shumë se kurrë më parë që nga Lufta e Ftohtë, sigurinë dhe prosperitetin e qytetarëve, stabilitetin e shoqërisë dhe të interesat mbarëkombëtare shqiptare”. “Në këtë ditë të shënuar për të gjithë vendet e Aleancës së Atlantikut të Veriut, dëshiroj të uroj mbarë shqiptarët për përvjetorin e anëtarësimit në NATO. Me këtë rast ju shpreh të gjitha vendeve anëtare dhe veçanërisht aleatit tonë strategjik, SHBA mirënjohjen më të thellë të mbarë shqiptarëve për mbështetjen e jashtëzakonshme që i kanë dhënë Shqipërisë, para, gjatë dhe pas anëtarësimit. Si kryetar i PD shpreh krenarinë legjitime që në 8 vjet qeverisje kemi udhëhequr një proces historik reformash në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, që u finalizuan me anëtarësimin në NATO (prill 2009) dhe me përmbushjen e angazhimeve teknike të antërarësimit (shtator 2013).  Dua të nënvizoj pa asnjë mëdyshje se PD i konsideron çështjet strategjike të sigurisë dhe mbrojtjes si tërësisht përtej interesave politike të ditës. Në këtë kontekst, shpreh shqetësimin, por edhe angazhimin tim se do të bëjmë gjithçka të mundur për të ndalur prishjen e balancave kushtetuese; arrogancën e paprecedentë politike; mungesën e konsensusit; shpërdorimin propagandistik të burimeve, pronave dhe kapaciteteve të mbrojtjes; uljen drastike të buxhetit me 50%, politizimin ekstrem të FA dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në fundin e listës së vendeve të NATO-s – ku fatkeqësisht e kanë katandisur pseudoreformat e dështuara në këtë fushë” u shpreh Basha.

Artikulli paraprakKonkurrenca: Gabim me Rinasin, ka risk për vendin
Artikulli tjetërPastrimi i parave të kartelit të drogës së Bllokut, në Panama