SPAK hetim për “Farma Net Albania”, dyshime për abuzim me çmimin e maskave dhe falsifikim

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu konfirmoi mbrëmjen e së Hënës se Prokuroria Speciale-SPAK, ka nisur hetimet për tenderin “sekret” 3.5 milionë euro, të fituar nga kompania “Farma Net Albania” për furnizim me maska dhe doreza për mjekët.

Manastirliu deklaroi në studion e “Opinion” se pret rezultatet e hetimit të SPAK për “të provuar se akuzat e opozitës për 4-fishimin e çmimeve të maskave janë sajesa politike”.

Gjithësesi, ministrja e Shëndetësisë nuk pranoi të deklaronte çmimin e blerjes së një maske, të blera në kushtet e pandemisë Covid-19, nëpërmjet një tenderi jo-transparent, të zhvilluar në 18 Mars 2020.

“Boldnews.al” ka raportuar më parë se Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë per furnizimin me maska dhe doreza me kompaninë “Farma Net Albania”, megjithëse kjo e fundit ka paraqitur ofertën më të lartë.

Një dokument i brendshëm, i rrjedhur nga zyra e Manastirliut dhe i publikuar ekskluzivisht nga “Boldnews.al”, konfirmoi se “Farma Net Albania” ka paraqitur çmimin prej 8 mijë lekë (të vjetra) për maskë.

Pas këtij publikimi, si edhe pas verifikimeve të saj, Partia Demokratike deklaroi se çmimi është rritur me 4 herë dhe bëri kallëzim penal prane prokurorisë SPAK.

Tashmë prokurorët kanë sekuestruar dosjet e tenderit dhe besohet që rritja e çmimit nuk është i vetmi element që do të hetohet në lontratën sekrete mes ministrisë së Manastirliut dhe “Farma Net Albania”.

Pierre Zurecki, përfaqësues i kompanisë franceze “Macopharma”, e cila i ka shitur maskat shoqërisë shqiptare “Farma Net Albania”, deklaroi pak ditë më parë për “Ora News” se mostrat e treguara nga emisioni, kanë skaduar para 6 viteve.

Përfaqësuesi i “Farma Net Albania” e pranoi për “Ora News” se maskat janë të skaduara. Por, sipas tij, nuk bëhet fjalë për të njëjtat maska, për të cilat ka fituar tenderin 3.5 milionë euro kompania e tij në bashkëpunim me “Euromed”.

Zyrtari i “Farma Net Albania” u shpreh se maskat që ishin objekt i emisionit “Boom” të “Ora News” ia “kishte bërë dhuratë Qendres Spitalore Universitare Tirane para se të shpallej pandemia Covid-19”.

Megjithatë, nga një vëzhgim i “Boldnews.al” në Spitalin Infektiv dhe në Senatorium, të emërtuara “Covid-1” dhe “Covid-2”, konstatohet se mjekët dhe infermierët e linjës së parë përdorin maska të ngjashme me ato që përfaqësuesi i francezes “Macopharma” deklaroi se kanë skaduar në vitin 2014.

Gjithësesi, detajet pritet të sqarohen plotësisht nga hetimi që ka nisur tashmë Prokuroria Speciale-SPAK.

Artikulli paraprakTenderi skandaloz i Veliajt/ Blen pajisje anti-Covid te një kompani spektaklesh
Artikulli tjetërMashtrimi i Ramës, asnjë mjek dhe infermier nuk ka marrë shpërblim 1 mijë euro