Spaho: Fleckeinstein të pyesë Ramën përse mbron krimin

Nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Edmond Spaho u shpreh dje për mediat se opozita ka ezauruar çdo etapë për dialog dhe ajo nuk do të kthehet në asnjë Komision, as në ato të Vettingut. Referuar vizitës së raporterit, Knut Fleckenstein, Spaho i kërkoi atij të pyesë Ramën përse po i mbron njerëzit e tij të implikuar me krimin. Në përgjigje të thirrjeve të Brukselit që opozita t’i kthehet jetës parlamentare, nënkryetari i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, thotë se nga opozita janë ezauruar të gjitha rrugët institucionale. Ai thotë se dialogu parlamentar nuk ka munguar, por rezultatet prej tij kanë qenë minimale. Për Spahon, sot jemi në të njëjtën situatë si më 2015 me dekriminalizimin. Nga çadra e protestës, Spaho përmes një interviste televizive përcolli dhe një porosi për Fleckenstein. Spaho: “U desh të largoheshim nga Parlamenti 6 muaj që të miratohej ligji për dekriminalizimin më 2015. U desh të largoheshim nga Kuvendi që të arrinim një rezultat të dëshiruar nga një pjesë e mirë e spektrit politik. Sot jemi pothuajse në atë gjendje si më 2015. E kuptoj shumë mirë që debati bëhet në Kuvend, por rezultatet kanë qenë fare minimale. Meqë Fleckenstein është në Tiranë dhe Ramën e ka mik do t’i lutesha ta pyeste kur do ta lëshojë Armando Prengën ose ç’bëhet me mikun Rroshi për të shoqen e të cilit u reagua brenda orës nga institucionet europiane. Dialogu sigurisht bëhet në Kuvend, por kujtoj që në maj të 2016 kemi paraqitur një platformë të plotë për reformën zgjedhore, për votimin dhe numërimin elektronik dhe u zvarrit me qëllim nga mazhoranca për të bërë të mundur që zgjedhjet që vijnë të kenë mundësi t’i blejë dhe t’i vjedhë. Edhe në këtë rast debati në Kuvend nuk funksionoi sikurse nuk funksionoi në rastin e reformës në drejtësi”.

Artikulli paraprakBumçi: BE thotë 100% qëndrimin e PD
Artikulli tjetërFleckeinstein: Vettingu pas zgjedhjeve, protesta e drejtë e opozitës