Sot Skënderbeu-Dinamo, përkrahje dhe nga Kosova

Vijon me ritme të larta shitja e biletave për takimin mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit. Deri dje në mbrëmje, kanë “avulluar” në total 8000 bileta. Kanë mbaruar që të gjitha biletat për tribunat kryesore dhe ato përballë, ndërsa ditën e sotme do të dalin në treg ato të tribunës G.
Stadiumi “Elbasan Arena” ka një kapacitet prej 12500 vendesh të ulura, ndërsa pritet një stadium i mbushur në të gjithë kapacitetin. Interesimi vijon të jetë i madh dhe pritet që në një kohë rekord, siç nuk ka ndodhur as në takimet e Kombëtares shqiptare të gjitha biletat të mbarojnë sot në mbrëmje.
Burime për gazetën bëjnë me dije se fluksi është mjaft i lartë, ndërsa vetëm në pikën e shitjes në Korçë ende ka sportdashës të interesuar që duhet të presin në radhë të gjatë për të marrë biletën. Nga ana tjetër, të njëjtat burime bëjnë me dije se prezent në stadium nuk do të jenë vetëm tifozë nga e gjithë Shqipëria, por edhe vendet shqipfolëse.
Pritet që të mbërrijnë edhe tifozë nga Kosova për të mbështetur ekipin bardhekuq në këtë takim. Të konfirmuar tashmë janë ultrasit e Mitrovicës, ata të Trepça ’89, të cilët do të dërgojnë delegacionin e tyre. Ata do të qëndrojnë pranë “Ujqërve të Dëborës”, ndërsa dihet që prej vitesh tifozeritë kanë bashkëpunim mes tyre.

Artikulli paraprak“Bild” hedh bombën
Artikulli tjetërDitmir gjinkalla në bunkerin e diplomacisë!