Sot, gjyqi farsë ndaj vëllait të kryetarit të PD, Bulqizë!

Durim Balla, vëllai i kryetarit të PD të Bulqizës do të përballet sot në një proces gjyqësor të montuar politikisht. Balla është paditur nga ish-shefi i Komisariatit të Bulqizës, Niko Nikolla nën akuzën e pengimit të mjeteve publike. Seanca gjyqësore do të zhvillohet në Gjykatën e Bulqizës pas montimit të akuzave politike në zyrën e ish-shefit të komisariatit. Ngjarja për të cilën akuzohet Durim Balla ka ndodhur më 21 qershor të vitit të kaluar, ditën e zgjedhjeve për kreun e Bashkisë së Bulqizës. Pas përfundimit të zgjedhjeve persona të armatosur grabitën kutinë e votimit të QV 1067 në shkollën fillore të fshatit Gjuras për të manipuluar votat. Mediat shkruan në atë kohë se, i njëjti grup banditesk, para se të grabisnin kutinë e fshatit Gjuras kishin rrëmbyer dhe kuti të tjera të dy fshatrave, Stushe dhe Zogjaj, të mbështetur edhe nga Policia e Shtetit me në krye shefin e komisariatit në atë kohë, Nikolla.
Vëllai i kandidatit demokrat, Durim Balla është përballur në rrugën njëkalimëshe me një  automjet, prej nga ku më pas kanë zbritur dy persona të armatosur dhe që e kanë kërcënuar me jetë në rast se nuk i hapte rrugën. Personat në fjalë ishin Altin Xhafa dhe Shpëtim Xhafa. Më pas me ta është bashkuar edhe një automjet tjetër, i cili fshihte persona të maskuar dhe që nuk ngurruan të nxirrnin armët dhe t’ia drejtonin atij, kjo në sytë edhe të efektivit e policisë që qëndronte përkrah këtyre kriminelëve. Vëllai i kandidatit për kryetar bashkie, Balla ka zbritur me qetësi nga makina, ndërkohë që dy banditët vijonin me presionet për të hapur rrugën e bashkë me ta edhe punonjësi i policisë, i cili është edhe i afërm i kandidatit të LSI, duke qenë kështu në kundërshti të plotë me ligjin. Në pjesën e pasme të fuoristradës qëndronin të strukur dy komisionerët dhe kutitë e votimit. Ai i ka bërë thirrje komisionerëve që të zbresin nga makina dhe po ashtu edhe punonjësit e policisë i bënë thirrje forcave blu për të ardhur në ndihmë të situatës, por u kundërshtua deri në përdorimin e armëve, të cilët janë drejtuar në pozicion zjarri. Në këtë moment shfaqet edhe një automjet tjetër nga ku zbresin disa persona të armatosur e të maskuar që kanë kërcënuar me jetë në rast se nuk hapte rrugën.
Makina që kishte kutinë me votat ishte në pronësi të bandave dhe jo e kontraktuar nga Komisionin Zonal i Zgjedhjeve. Ndërkohë, vëllai i kandidatit të PD është ndjekur me makinë nga disa persona me maska. “Dy automjetet u nisën për në rrugën nacionale pas të cilave vëllai i kandidatit është vënë në ndjekje e sapo ka hyrë në rrugën nacionale ka parakaluar automjetin e dytë që erdhi në ndihmë të banditëve të LSI, që kishin grabitur kutinë dhe ka qëndruar në një distancë duke i shoqëruar për të parë veprimet e tyre. Pasi u zhduk automjeti me personat e paidentifikuar shfaqet automjeti ku qëndronte shefi i Policisë Bulqizë, Niko Nikolla. Më pas në mbështetje të tyre erdhën edhe makinat e bandave të LSI-së, të cilat i shoqëruan deri në hyrje të qytetit ku aty prisnin qytetarët e Bulqizës, të cilët ishin informuar për aktet kriminale që po ndodhnin”, bëri të ditur atëherë Dega e PD Bulqizë nëpërmjet një deklarate për mediat.
Shefi i komisariatit të policisë në vend që të ndalonte banditët që kishin rrëmbyer kutitë e votimit urdhëron punonjësit e policisë që të ushtrojnë terror ndaj vëllait të kandidatit të PD për kryetar bashkie. Jo vetëm kaq, por kreu i komisariatit të policisë padit në Prokurori vëllain e kandidatit dhe kryetarit të PD të Bulqizës për “pengim të mjeteve publike”.
Durim Balla sot do të përballet në një proces gjyqësor të montuar me dëshmi të rreme nga punonjësit e komisariatit të Bulqizës nën presionin e ish-shefit të komisariatit Niko Nikolla.
Policia, pjesë e vjedhjes së kutive të votimit
Bashkautore e vjedhjes së kutive të votimit u bë edhe Policia e Shtetit, të cilës i është kërkuar kontroll fizik i automjetit dhe autorëve ku qëndronin personat e paautorizuar për transportin e kutive, Altin dhe Shpëtim Xhafa. Por ndodhi e kundërta e asaj që duhej të bënte policia. Policia mbrojti dhe fshehu armët e autorëve të krimit duke e kaluar më pas fajin tek mbështetësit e PD. Makina u rrethua nga policia dhe nuk u lejua në asnjë moment që persona të tjerë t’i afroheshin e ndërsa policisë i kërkohej që të bëhej kontrolli në flagrancë thyhet xhami i automjetit nga vetë personat që qëndronin brenda dhe largojnë armët me ndihmën e policisë, e cila e kishte nën kontroll automjetin. Fakti që ky veprim është bërë në një nga xhamat ku qëndronin vetëm policë dhe nuk kishte persona që ta shihnin, por edhe nga errësira bëri që armët të fshiheshin pa u parë nga personat që kishin bllokuar rrugën. Ky është edhe akti për të cilin akuzohen anëtarët e Partisë Demokratike dhe veçanërisht vëllai i kandidatit, por që siç u dëshmua edhe më sipër automjeti ishte në kontroll të policisë dhe nëse do të ishte kryer ky akt atëherë policia do ta kishte shoqëruar në polici. Nga mbështetësit e djathtë nuk ka patur dhunë, por vetëm kanë kërkuar transparencë për të zbardhur ngjarjen siç e parashikon ligji.

Nikolla u pezullua nga detyra si shef komisariati për ngacmim seksual

Niko Nikolla ka qenë i komanduar si shef komisariati në Bulqizë vetëm për të grabitur votat në zgjedhjet lokale. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 21 qershorit të vitit të kaluar ka ushtruar terror dhe dhunë ndaj zgjedhësve. 12 ditë para votimit Nikolla u pezullua nga detyra për ngacmim seksual. Ishte një femër që e paditi për ngacmim seksual dhe vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e pezulloi nga detyra si shef komisariati në Bulqizë dhe e transferoi shef komisariati në Laç.
Tre javët e fundit të fushatës së zgjedhjeve e dërgoi sërish shef komisariati të komanduar në Bulqizë vetëm për të grabitur votat në bashkëpunim me bandat e kromit. Ndërsa para një muaji është transferuar në Tropojë shef komisariati. Gjatë fushatës zgjedhore Nikolla jo vetëm që ka ushtruar terror ndaj zgjedhësve, por ka lejuar edhe bandat e armatosura që të kërcënojnë me armë zgjedhësit për të votuar kandidatin e majtë për kryetar bashkie.
Gjatë fushatës zgjedhore, Altin dhe Shpëtim Xhafa janë përfshirë në një konflikt me mbështetësit e Partisë Demokratike në grupseksionin Shupenzë dhe nga dy personat janë nxjerrë armët duke bërë presione. Kjo ngjarje ndodhi për faktin se mbështetësit e PD së Bulqizës kishin bllokuar një kamion me miell që do të shërbente për të blerë votën, për të cilën Policia e Shtetit nuk ka reaguar dhe nuk ka marrë asnjë masë ndaj këtij akti.
Pas fitimit të bashkisë me vota të grabitura të gjithë banditët që grabitën kutitë e votimit dhe i mbushën me vota në favor të kandidatit të majtë, janë emëruar në poste të rëndësishme në Bashkinë e Bulqizës si shpërblim për terrorin në zgjedhje dhe grabitjen e votave. Altin dhe Shpëtim Xhafa sot ndodhen në funksione të rëndësishme në Bashkinë e Bulqizës.

Artikulli paraprakE padëgjuar, Rama anulon seancën e së enjtes në Parlament
Artikulli tjetërKurrë votë që Rama të fusë në grusht drejtësinë