SOS në Shkodër nga përmbytjet banorët: Qeveria na ka braktisur

Është rritur frikshëm sipërfaqja e përmbytur në Shkodër, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Vetëm në zonën e NënShkodrës janë më shumë se 600 shtëpi me prezencë uji dhe shumë të tjera të përmbytyra totalisht. Po kështu, sipërfaqja e tokave të përmbytura ka shkuar në rreth 5 mijë hektarë. Të dhënat janë bërë të ditura nga Bashkia e Shkodrës, e cila kërkon ndërhyrje nga qeveria dhe shpalljen e emergjencës në këtë zonë. Po kështu është në rrezik shembja e argjinaturave.
Bashkia Shkodër ripërsërit kërkesën e vazhdueshme për shpalljen e emergjencës civile në një pjesë të territorit të Bashkisë së Shkodrës, pasi situata e krijuar është rezultat i shkarkimeve të mëdha në sasi dhe për një kohë të gjatë në kaskadën e lumit Drin.
Vetëm në Njësinë Administrative Dajç janë 1550 ha të përmbytura. Dhjetëra banesa janë të rrethuara nga uji, përkatësisht në fshatin Shirq, 21 në Mushan, në fshatin Belaj 21, në fshatin Darragjat 50, në fshatin Samrisht të Vjetër 17, në fshatin Suka 18, në fshatin Samrisht i Ri 16 banesa, në Rrushkull 18 banesa, Pentar 26 banesa. Kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit.

Në Njësinë Administrative Ana e Malit janë 1300 ha të përmbytura. Në total banesat që janë të rrethuara nga uji janë 150 në Obot dhe 40 në Goricë. Në 10 banesa në Muriqan ka hyrë uji brenda, 12 në Obot dhe 4 në lagjen Gallube.
Në Njësinë Administrative Bërdicë janë mbi 1280 ha tokë e përmbytur. Janë të rrethuara nga uji 60 shtëpi në fshatinTrush, 15 Bërdicë e Sipërme, 8 në Bërdicë e Madhe dhe 1 në Bërdicë e Mesme.
Në Njësinë Administrative Velipojë janë të përmbytura mbi 375 ha tokë. Janë të rrethuara nga uji 28 shtëpi. Në fshatin Luarz në 3 vende del uji nën argjinaturë.
Në Njësinë Administrative Rrethina janë të përmbytura 70 ha tokë. Në zonën e Livadheve janë 17 shtëpi të rrethuara nga uji. Në 3 shtëpi ka hyrë uji brenda.
Në qytetin e Shkodrës janë 110 ha tokë e përmbytur në zonën e Livadheve. Në këtë rrugë ndodhen mbi 40 shtëpi me prezencë uji afër oborreve të tyre. Në lagjen Ajasëm janë rreth 3 ha tokë e mbuluar nga uji. Në 13 banesa ka prezencë uji.
Në Njësinë Administrative Gur i Zi konstatohet fenomeni i erozionit në tokat bujqësore. Vazhdon gërryerja e tokës në fshatin Juban, në afërsi të Malit të Vukatanës. Janë të përmbytur rreth 10 ha tokë në fshatin Kuç.

Dajçi dhe Ana e Malit, më të goditura nga përmbytjet
Zona e NënShkodrës vijon të përballet me situatë të vështirë, ndërsa sipërfaqja e përmbytur këtë të mërkurë shkoi rreth 5 mijë hektarë. Dajçi e Oboti, janë zonat më të prekura, ku banorët thuajse janë dorëzuar dhe kërkojnë ndihmën e shtetit. Ndërkohë, qeveria dhe Bashkia e Shkodrës u përplasën sërish sot, pas vendimit për të shtuar mbështetjen dhe praninë e ushtarëve në zonat e përmbytura, por pa shpallur gjendjen e emergjencës.
Banorët e NënShkodrës dhe forcat e ushtrisë bënë roje gjithë natën, pasi prurjet e fuqishme e kanë dëmtuar rëndë argjinaturën e Pentarit në Njësinë Administrative të Dajçit.
Mëngjesin e kësaj të mërkure nën ujë ishin rreth 5 mijë hektarë tokë dhe disa qindra shtëpi të izoluara.
Banorët e Dajçit po mundohen të shpëtojnë çfarë të mundën nga shtëpitë, si dhe gjënë e gjallë.
Por përballë nivelit të ujit janë të pafuqishëm.
Banori: Gjithmonë kjo rrymë uji na futet brenda. Zoti e bëftë mirë.
Në Obot prej ditësh, lëvizet vetëm me varka.
Banorët kërkojnë reagim të qeverisë dhe të mundësojnë sigurimin e bazës ushqimore për bagëtitë.
Banori: Kam dele, qingja, dhi dhe ishalla s’po shtohet më të m’i kapë.
Parashikimet nuk janë optimiste dhe shpresa e vetme e këtyre banorëve është që niveli i ujit të mos rritet më shumë, pasi në të kundërt situata do të shkojë e ngjashme me vitin 2010 dhe 2011.

Artikulli paraprakPasi hapi portat për përmbytjen, KESH jep 8 milionë lekë për banorët
Artikulli tjetërRudi Giuliani: Trump po rezulton një President më i mirë nga sa e kisha menduar, po ndryshon Amerikën