Skenari ‘B’ i Ramës: Blerje deputetësh

Kryetari i qeverisë paralajmëroi mbrëmë blerje të votave në Parlament për të kapur Reformën në Drejtësi. Sipas Ramës, PD nuk e do Reformën në Drejtësi, por deputetë të saj do ta votojnë këtë reformë. Një diversion i tillë i turpshëm hedh dritë në atë që ai ka paralajmëruar prej kohësh për ta shndërruar Parlamentin në treg të gjësë së gjallë, ku deputetë shiten e blihen sipas orekseve të Kryeministrit. Por nga dalin këto para që do të blihen këto deputetë?
Paradoksi qëndron se me paret e krimit dhe korrupsionit, Rama paralajmëron se do të bëjë votat për të marrë numrin që i nevojitet për Reformën në Drejtësi. Natyrisht këtu llogarit edhe votën e vrasësit që është ende në Parlament Prenga.
Rama i bëri këto deklarata gjatë një interviste që dha mbrëmë në “Top Story” dhe vetëm pak minuta pasi kishte refuzuar çdo kompromis të mundshëm për Reformën në Drejtësi me opozitën.
Rama u shpreh dje se reforma do të niset menjëherë në Parlament për t’u miratuar pa shpjeguar se si do të arrihet numri i duhur i votave. Kjo reformë kërkon 93 vota, të cilat Rama nuk i ka. Atëherë cili është plani i tij për t’i siguruar ato? Kjo është arma me të cilën Rama po luan prej kohësh. Ai thotë se do të blejë deputetë ndër radhët e opozitës. Po a mund të konsiderohet një Reformë në Drejtësi ajo kur deputetëve u kërkohet që të shiten dhe të blihen si në tregun e gjësë së gjallë dhe për më tepër të pretendosh se po bën një Reformë në Drejtësi me paratë e krimit dhe korrupsionit? Atëherë kujt mund t’i shërbejë kjo reformë me këto para të pista? Vetëm drejtësi nuk do të ketë në një rast të tillë. Kjo është një kapje me çdo kusht dhe me çdo çmim e drejtësisë për t’u përdorur më pas si një gijotinë nga kreu i një qeverie të lidhur me krimin e organizuar kundër kundërshtarëve të saj.
Rama habiti opinionin kur menjëherë pas takimit me kryetarin e opozitës Basha, u shfaq me një letër në të cilën lexoi një fjalim të parapërgatitur përpara fillimit të takimit. Në këtë fjalë të lexuar Rama e fillonte me togfjalëshin, “Opozita nuk e do Reformën në Drejtësi”. Ky ishte një detaj, i cili ra menjëherë në sy të kryetarit të opozitës, Basha, i cili në daljen e tij para gazetarëve u shpreh se, “Rama kishte ardhur me një fjalë të përgatitur”. Refuzimi i kompromisit për Reformën në Drejtësi ka qenë thjesht dhe vetëm një taktikë e Ramës për ta përdorur atë në opinionin e jashtëm. Por edhe këtu gaboi dhe u dekonspirua nga fjalimi që nxori nga xhepi.
Një nga të pranishmit në tryezën e diskutimeve mes pozitës dhe opozitës për Reformën në Drejtësi, Bylykbashi tha për mediat se Rama gjatë gjithë kohës që zhvilloheshin bisedimet vetëm refuzonte në mënyrë të prerë propozimet e bëra nga opozita, të cilat janë në të njëjtën kohë edhe propozime të ndërkombëtarëve. “Na është thënë e qartë edhe nga ambasadori amerikan, se mjafton të zgjidhnim një nga propozimet e Komisionit të Venecias dhe më pas ai do të bindte kreun e qeverisë për ta votuar atë. Ne zgjodhëm pikërisht opsionin e përfaqësimit proporcional”, tha Bylykbashi, duke shtuar se kjo ka rezultuar e pafrytshme edhe në negociatat mes ambasadorit amerikan dhe kreut të qeverisë.

Rama shkoi në takim me fjalim të parapërgatitur kundër kompromisit

Pas 3 orë e gjysmë bisedimesh intensive me kreun e PD, Lulzim Basha mbi Reformën në Drejtësi, Kryeministri Rama ka refuzuar të tërhiqet nga drafti që kap drejtësinë. Pas takimit, ajo që i çuditi jo pak mediat ishte shfaqja e Ramës me një fjalim të parapërgatitur para se takimi të niste. Pra, ai u nis drejt takimit për të gjetur “konsensus” me opozitën duke patur një xhep të parapërgatitur fjalimin kundër kompromisit.  “Më vjen keq që nuk arritëm ta bindnim PD-¬në…” lexoi Rama mes rreshtash në fjalimin e tij të parapërgatitur.

Arben Shahini

Artikulli paraprakNuk do të pranojmë kurrë më pak se sa moskapja politike e sistemit të drejtësisë
Artikulli tjetërFaqja e parë