Skandali me uniformat reagon Prokuroria: Tahiri gënjen

“Theksojmë se për shkak të cilësisë së dobët të mallrave dhe jashtë kushteve të kontratës, kompanisë nuk i është bërë asnjë pagesë nga Policia e Shtetit”.  Kështu deklaroi zyra e shtypit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas publikimit të lajmit se Prokuroria ka nisur hetimet për tenderin e uniformave të reja të policisë.
ABC News ka arritur të siguroi të dhënat e një fature, të paguar nga Thesari i Shtetit dhe e publikuar nga portali “Spending Data Albania”, ku konstatohet se policia nuk ka thënë të vërtetën. Sipas kësaj fature, duket qartë se kompanisë “Marsi & AL” Policia e Shtetit më 24 maj të këtij viti, i ka paguar një shumë prej 22 milionë lekë të reja për uniformat dhe veshjet speciale. Siç duket në foto, kjo pagesë është bërë nga thesari për llogari të Qendrës së Furnizimit të Materialeve Teknike që është në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Veç kësaj, policia njoftoi se është bërë kallëzim penal në Prokurori për kompaninë Marsi & AL. Por burimet zyrtare pranë organit të akuzës, i konfirmuan ABC News se ende nuk ka një kallëzim penal në Prokurori për këtë fakt dhe ndaj kësaj kompanie. Nga ana tjetër, policia njoftoi se me datën 2 shtator është ndërprerë kontrata me kompaninë shqiptaro-turke, çka rezulton kjo ndërprerje vetëm pas nisjes së hetimit nga Prokuroria e Tiranës.
Gjithashtu, policia pretendoi se po përgatitet dokumentacioni që do të dorëzohet pranë Agjencisë së Prokurimeve Publike me qëllim përjashtimin e saj nga konkurrimi në tendera publik. Por nga të dhënat e zbardhura nga portali “Spending Data Albania” rezulton se, institucione të ndryshme shtetërore që nga 1 janari 2015 deri më 19 shtator 2016, kanë derdhur në llogarit bankare të kompanisë Marsi & AL një shumë prej rreth 700 milion lekëve.
Sipas Prokurorisë, pritet që në ditët në vazhdim të merren në pyetje të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë shpallur fitues kompaninë shqiptaro-turke. Kjo, pasi rezulton se kompani, është shpallur fituese nga anëtarët e këtij komisioni pa plotësuar kriterin kryesor të këtij tenderi, që është certifikata e cilësisë. Gjithashtu hetuesit kanë konstatuar se kompania nuk ka prodhuar uniformat në Turqi, siç është deklaruar, por në qytetin e Durrësit, pasi nuk janë gjetur asnjë faturë doganore të importit të tyre në Dogana.

Skandali me tenderin e uniformave

Prokuroria e kryeqytetit e ka regjistruar procedimin penale, për tenderin me vlerë rreth 1 miliard lekë të zhvilluar nga Ministria e Brendshme. Burimet thonë se hetimi ka nisur kryesisht, pas publikimit në media të dyshimeve për abuzimin me tenderin e uniformave të policisë. Sipas akuzës, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Ministrisë së Brendshme ka hapur dy herë procedurat e tenderimit për uniformat. Fillimisht më 6 nëntor të 2015, ku brenda ditës është anuluar kjo proceduar për të vazhduar dy muaj më pas, në dhjetor të 2015. Ku edhe është shpallur fituese kompania turko-shqiptare si fitues e tenderit me vlerë rreth 1 miliard lekë. Sipas vendimit të shpalljes së fituesit, kompania shqiptare “Marsi & AL dhe ajo turke “Yakupoglu Tekstil”, është renditur si ofertuesja me çmimin më të ulët për dizajnin dhe qepjen e 27 mijë e 900 copë uniforma të ndryshme të policisë. Por pas shpalljes së fituesve, janë ngritur dyshime në media për cilësinë e uniformave dhe akuza konkrete nga Partia Demokratike që ka denoncuar këtë fakt. Pas këtyre denoncimeve, ka nisur edhe hetimi i Prokurorisë së Tiranës. Nga veprimet e para hetimore, janë ngritur dyshime për cilësinë e mallit të përdorur për qepjen e uniformave. Gjithashtu, mësohet se nga verifikimi në dogana, ka rezultuar se këto uniforma nuk janë prodhuar në Turqi siç janë raportuar nga ministria apo edhe nga kompania fituese e tenderit. Pasi në asnjë rast nuk janë gjetur fatura doganore të hyrjes së këtyre uniformave të policisë. Çka ka lind dyshimi se uniformat janë prodhuar në Shqipëri. Nga ana tjetër, Prokuroria mësohet se po verifikon edhe kompaninë turke të deklaruar si bashkëpunuese me kompaninë shqiptare në fitimin e këtij tenderi rreth 1 miliard lekësh. Burimet thonë se nga verifikimi i procedurave të kompanisë, rezulton se kompania shqiptare është krijuar në vitin 2012 dhe më pas në vitin 2014 është ndryshuar pronësia dhe administratorët. Kjo kompani Marsi &AL, ka dorëzuar dokumente gjatë tenderimit si kompania bashkëpunuese me kompaninë turke “Yakupoglu Tekstil”, e cila po verifikohet për regjistrimin e saj në Shqipëri, pasi dyshohet se nuk është e regjistruar si shoqëri në QKR.

Artikulli paraprakAlegri, 5 përgjigjet që mori pas Kaljarit
Artikulli tjetërNishani takohet me kryeministrin rumun