Skandali me abonetë e studentëve në tregun e zi

Kamera e fshehtë e emisionit investigativ “Stop” ka sjellë me zë e figurë abuzimet me çmimin e aboneve të studentëve në tregun e zi. Gazetarët pyesin në disa vende, se si mund të sigurojnë abone me çmim normal, por kjo përpjekje rezultoi një mision i pamundur. Në këtë moment, hyn në lojë “çmimi alternativ”. Me 50% më shumë, mund të gjesh abone, pa qenë student, madje me shumicë, pasi shitësit ambulantë dinë me hollësi ku dhe si të sigurojnë abonetë me çmimin e kripur. Aboneja e studentit është kthyer në luks për studentët dhe burim i madh fitimi për tregun e zi.
Përderisa në tregun e zi gjenden abonetë e studentit me shumicë dhe mund të përfitohen shumë kollaj, por me çmim më të lartë, pse në Rezidencën Studentore qindra e mijëra studentë qëndrojnë në radhë deri në orët e para të mëngjesit për të përfituar abonetë?
Drejtoresha e Shërbimit Studentor, Ornela Dume, tregon se në Rezidencën Studentore janë të regjistruar mbi 4500 studentë, prej të cilëve vetëm 1520 studentë janë pajisur me abone për muajin prill.
“Studenti mund të paraqesë kërkesën e tij pranë rezidencës ku banon ose në Drejtorinë e Shërbimit Studentor nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 8 të darkës. Numri është pa limit! Nuk ka më një limit numrash, ku ne të na jepen X numër abonesh dhe ne të mos dimë kujt t’ia japim më parë. Përkundrazi, bëhet një listë zyrtare, e cila i drejtohet Transportit Publik, ku janë të gjitha të dhënat për të shmangur çdo lloj abuzimi”.
Gazetarët e emisionit “Stop” iu drejtuan edhe Bashkisë së Tiranës, nga ku morën përgjigje nëpërmjet emailit, ku sqarohet se Bashkia e Tiranës është ajo që përgatit numrin e aboneve dhe ia kalon Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku bëhet dhe printimi i tyre.
“Operatorët e Transportit ose agjencitë përkatëse të tyre realizojnë tërheqjen, shitjen e biletave të pajtimit mujor (aboneve) tek qytetarët e interesuar, proces i cili bëhet tërësisht nga operatorët privatë të licencuar për transportin qytetas. Për këtë arsye, Bashkia Tiranë i është drejtuar Policisë së Shtetit (shkresa nr.prot., 3463, datë 26.01.2017) duke kërkuar bashkëpunimin me strukturat e saj për evidentimin e rasteve dhe marrjen e masave në ndalim të krimit ekonomik, shfaqur si fenomen në këtë sektor”.

Artikulli paraprakDy të vrarë në Durrës, tronditet qyteti bregdetar
Artikulli tjetërI jepet lamtumira e fundit kantautorit të njohur, Françesk Radi