Skandal! Vrasësi i komisarit të policisë dënohet vetëm me 10 vjet burg

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar sot vetëm me 10 vite burg Mikel Shallarin, personi që vrau komisarin Artan Cuku. Shallari, ekzekutori i kryekomisarit Artan Cuku pranoi të rrëfejë njeriun që e pagoi për vrasjen duke rikthyer historinë e një arrestimi në vitin 2012, kohë kur Cuku ka qenë nëndrejtor policie në Vlorë.
Shallari i përmendi prokurorëve emrin e Bledar Jambellit, i njohur ndryshe si Rikard Muho, 38 vjeç nga fshati Mbrostar i Fierit. Jambelli ka qenë i arrestuar nga policia, si vrasës me pagesë në dhjetor të vitit 2012.
Ky arrestim, sipas Shallarit ka qenë motivi që Jambelli ka kërkuar ekzekutimin e Artan Cukut, pasi me iniciativën e tij ishin rihapur hetimet për disa vrasje në Vlorë. Një vit më pas, në 2013, Artan Cuku u lirua nga detyra me urdhër të Drejtorit të atëhershëm të Policisë, Artan Didi. Ndërkohë, pavarësisht rihapjes së hetimeve për vrasjen tek Pusi i Mezinit, Bledar Jambelli u lirua nga burgu, pasi në atë kohë u tha se nuk u gjetën prova.
4 vite pas arrestimit ai gjeti njeriun që pranoi të ekzekutojë Artan Cukun. Kontaktoi Mikel Shallarin, një i ri nga Kuçova, që banonte në Tiranë, në Qytetin Studenti. Shallari i rrëfeu prokurorëve se me Bledar Jambellin komunikoi përmes kushëririt të tij, person ky i shpallur në kërkim. Për vrasjen e Artan Cukut mori 3 mijë euro paradhënie. Pjesën tjetër të parave do ta merrte pasi të mbaronte punë, i ka thënë prokurorëve.
Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë natën e 8 Prillit të vitit 2017. Ai u qëllua me 5 plumba, katër në gjoks dhe një në kokë. Arrestimi që i kushtoi jetën kishte të bënte me një zinxhiri vrasjesh që nisnin që nga përplasjet mes bandave të Vlorës në vitin 1997 dhe vazhdonin përmes hakmarrjes dhe trafikut të drogës dhe prostitutave në Spanjë.

I madhi që porositi vrasjen
Mikel Shallari para prokurorëve ka pranuar se për kryerjen e vrasjes i ishin premtuar 20 mijë euro nga personi i interesuar të cilin e pat njohur me ndërmjetësimin e djalit të dajës së tij, Kristaq Leci. Ky i fundit e konsideronte urdhëruesin, si person të rëndësishëm dhe e quante “‘i madhi” ose “shefi”. Ky person u identifikua më pas prej tij si Bledar Jambelli. Përveç çmimit të mësipër të krimit, organizatori dhe ndërmjetësi i premtuan të pandehurit se do ta ndihmonin të sistemohej në Gjermani, atje ku banonin ata. Ndonëse fillimisht hezitoi i pandehuri pranoi ta kryente krimin duke qenë se ndodhej në vështirësi financiare.
“Kishte një të dashur me të cilën bashkëjetonte në një shtëpi me qera, nuk kishte punë stabël për të siguruar të ardhura dhe për herë ishte në borxhe dhe në vështirësi ekonomike. Ai u josh nga premtimet e bashkëtë pandehurve për të siguruar një jetë më të mirë. Ai pranon se nuk e njihte viktimën Artan Cuku, dhe se ia pat treguar porositësi i krimit duke shkarkuar një foto të tij nga interneti dhe duke i bërë të ditur automjetet me të cilën lëvizte viktima, dhe vendin ku ai parkonte para se të hynte në banesë” shkruhet në faqen nr 4-5 të akt marrëveshjes.

Plani i vrasjes u thur për 10 ditë
Plani i vrasjes u thur nga mesi i dhjetëditësisht të tretë të marsit dhe fillimi i prillit 2017; me porosi të organizatorit Bledar Jambelli, i pandehuri, me ndihmën e Kristaq Lecit vëzhguan territorin rreth banesës së viktimës dhe e ruajtën pr të gjetur rastin e volitshëm.
Nga data 26- 28 mars Mikel Shallari ka marrë me qera një makinë tip Golf për të vëzhguar viktimën.
Nga data 28 mars- 4 prill 2017 ka marrë me qera një Fiat Evo të zi, sipas porosisë së të pandehurve Jambelli dhe Leci.
Më 7 prill makina Fiat iu fik pranë pallatit ku po banonte viktima, pikërisht në momentin kur Shallari po largohej me Kristaq Leci pas tentativës së dështuar për të vrarë Artan Cukun.
Një tentativë u synua të kryhej pasditen e datës 7 prill 2017, ku rolin e ekzekutorit e pati marrë përsipër Kristaqi. I veshur me të njëjtat rroba që të nesërmen i veshi Mikel Shallari. Të dy u pozicionuan tek hapësira me bar, përbri parkimit, përballë godinës së universitetit “Marin Barleti” ku mbanin të fshehura dhe armët. E identifikuan viktimën i cili u ul tek një kafe aty pranë, i pandehuri Leci me armët në brez e ndoqi nga pas por nuk e kreu aktin nga frika e identifikimit. Për shkak të lëvizjeve të shumta të njerëzve në atë orë.

Shallari merr përsipër vrasjen
“I pandehuri Shallari shpjegoi si ata vëzhgoheshin nga organizatori Jambelli i cili i nxiti të qëllonin. Në mbrëmje vonë të tre të pandehurit u takuan tek një lokal kur organizatoir me tone fyese shprehu pakënaqësi ndaj tyre dhe i nxiti që krimin ta kryenin të nesërmen. I vënë përballë presionit, dhe i detyruar për shkak të faktit se kishte pranuar para nga Jambelli, i pandehuri mori përsipër ta kryente vetë ekzekutimin. I pandehuri ishte orientuar, ndërkohë, që të ndërronte numrat e telefonit një herë në dy ditë. Ai komunikonte vetëm me të pandehurin Leci, ndërsa me Jambellin nuk ka komunikuar asnjëherë. Nuk i dinte as numrat telefonikë që Jambelli përdorte” vijon dëshmia në akt marrëveshje.
Vrasja prane ashensorit dhe perleshja mes Artan Cukut dhe ekzekutorit
“Ditën e ngjarjes, 8 prill 2017 ndërsa viktima po kthehej në banesë, i pandehuri Shallari po e priste para pallatit. Në vendngjarje ai shoqërohej nga Kristaq Leci, i cili e priste tek fusha me bar aty pranë dhe e orientonte në distancë me anë të sms-ve.
Pasi viktima u shfaq dhe u fut në një minimarket, pranë hyrjes së pallatit, i pandehuri u pozicionua tek shkallët në pjesën e brendshme të hyrjes. Me tu shfaqur viktima e qëlloi me të dyja armët njëherësh.
Viktima mbijetoi dhe tentoi të hynte në ashensor por i pandehuri iu vu pas dhe e qëlloi edhe aty. Më pas provohet se viktima doli nga ashensori duke tentuar të përleshej fizikisht me autorin, por i pandehuri e qëlloi përsëri duke i dhënë goditjen fatale në pjesën e kokës.
Goditjen fatale në kokë viktima e mori pasi ridoli nga ashensori duke tentuar të përleshet me autorin.

Artan Cuku nuk ishte i armatosur
Ekspertiza mjeko ligjore konfirmon se në trupin e kryekomisarit u kontatuan 4 plagë të shkaktuara nga qitja me armë zjarri, dy tejshkuese, nga të cilat njëra në kokë dhe dy depërtuese. Ekspertët përcaktuan se shkaku i vdekjes është shoku i rëndë, traumatiko hemoragjik, si pasojë e plagëve të marra. Nga kqyrja e vendit të ngjarjes u sekuestruan 8 gëzhoja, 3 predha, 2 këmisha predhe dhe një bërthamë predhe. Viktima nuk ishte i armatosur.
Takimi me Jambellin pas vrasjes dhe largimi ne Greqi
Pas krimit i pandehuri u largua sipas intinerarit të paramenduar. Tek sheshi Ëilson prenotoi një taksi e cila e çoi pranë Astirit në Unazën e Re” ku e kishin lënë të takoheshin me bashkëautorët Jambelli dhe Leci. Në vendtakim u paraqit vetëm Kristaq Leci ndërsa Jambelli nuk u paraqit. Pasi e pritën për më shumë se një orë, i pandehuri i telefonoi shokut të tij Xhenildo Gogo, duke i kërkuar të flinte atë natë në apartamentin e tij në Paskuqan, Tiranë, ku banonte me shokët e tij.
Megjithëse Gogo refuzoi se nuk kishte vend të mjaftueshëm, Shallari dhe Leci atë natë shkuan të flinin në apartamentin e tij. Po atë natë Shallari theu telefonat e tij dhe të Lecit, si dhe zhduku kartat sim të vendosura në ta. Të nesërmen në mëngjes u ndanë nga njëri tjetri dhe u takuan pasdite, kur Kristaq Leci e kërkoi përmes motrës së tij, R. SH. Në takim ishte edhe organizatori Bledar Jambelli i cili i dha 2 mijë euro si shpërblim për krimin e tyre. Shallari mësoi se po atë pasdite të pandehurit Jambelli dhe Leci do të largoheshin në Greqi.
“Ndonëse bashkëtëpandehurit Jambelli dhe Leci kanë bërë kujdes që të mos lënë gjurmë në sistemin e regjistrimit të shtetasve, në hyrje dhe në dalje të kufirit RSH, (TIMS) duke kaluar jashtë pikave të kontrollit kufitar, si dhe një sërë provash me dëshmitarë provohej se ditët kur përgatitej krimi ata ndodheshin në Tiranë”

Nga 20 mijë euro mori vetëm 3 mijë euro
Bledar Jambelli i premtoi 20 mijë por nga akt marrëveshja kuptohet se Shallari nuk e ka marrë të gjithë shumën nga organizatori. E gjithë shuma që ai mori shkon deri tek 3 mijë euro.
Ku shkuan armët?
Fillimisht armët e krimit i fshehu përkohësisht pranë “Astirit”, më pas Shallari i mori dhe transportoi në Kuçovë.
Gjatë shpjegimeve, Shallari ka treguar se pas kryerjes së krimit të dyja armët e përdorura prej tij i fshehu në një vend pranë Unazës së re në Tiranë. Të nesërmen ua dorëzoi ato organizatorëve të krimit. “Ky pohim i tij rezultoi pjesërisht i vërtetë vetëm për faktin e fshehjes paraprake të armëve, por jo për faktin se ia pati dorëzuar organizatorit”.
Rreth orës 23:00 të 12 qershor 2017 përmes oficerit të rojes i pandehuri kërkoi përsëri të kontaktonte me hetues
“Në takimin që u krye të nesërmen, 13 qershor 2017, Shallari pohoi se lidhur me vendndodhjen e armëve, pati gënjyer dhe shpjegoi se i pati fshehur në rrethinat e Kuçovës, duke i paketuar dhe groposur në një vend tek shtrati i lumit Devoll” shkruhet në akt marrëveshje.
Në praninë e Shallarit, pas kqyrjes së vendit u gjetën dhe sekuestruan dy pistoleta, një e markës Glock dhe një Zastava, të dyja me krehër pa fishekë. Silenciatorin e njërës prej armëve e pati hedhur në disa ferra. Me gjithë kërkimet nuk u mund të gjindet silenciatori. Pas akt ekspertizës u provua se armët e sekuestruara ishin armët e përdorura nga i pandehuri gjatë ekzekutimit të krimit të vrasjes së Artan Cukut.

Artikulli paraprakPolicia arreston tre të rinjtë që ngritën dronin me banderolën mbi podiumin ku qëndronte Rama
Artikulli tjetërAmbasadori italian i “ul” dënimin Agron Xhafës: Ja sa do të qëndrojë në burgun e Çivitavekias