Skema e vjedhjes së 400 milionë lekëve me barnat e veteranëve

Pas skandalit korruptiv të një viti më parë me Fondin e Rimbursimeve, një skemë e re vjedhjeje përfshin në një tjetër aferë në këtë institucion. Pak muaj më parë është bërë një kontroll në Drejtorinë Rajonale të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor Tiranë dhe është zbuluar një tjetër skemë mashtrimi, një skemë abuzive me barnat për veteranët e Luftës Nacional Çlirimtare. Kjo skemë është në vazhdën e ngritjes së skemave abuzive dhe heqjes qëllimisht të mekanizmit të kontrollit për barnat nga MSH në dy vitet e fundit. Nga kontrolli ka rezultuar se në periudhën shtator 2014 deri në fund të vitit 2015 në disa farmaci të Tiranës, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka rimbursuar të ashtuquajturin Neuro AID, i cili edhe nga verifikimet nuk rezulton në Listën e Barnave të Rimbursuara nga Fondi, si edhe nuk figuron në regjistrin e Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe çka është më e rënda rezulton se ky Neuro Aid-i nuk është bar apo medikament, por një suplement dhe për pasojë nuk është i regjistruar në Republikën e Shqipërisë. Në një situatë të tillë ky suplement nuk duhej të rimbursohej. Por për fatin e keq tonin, ky suplement është rimbursuar në rreth 4 farmaci në kryeqytet për muajt shtator 2014-tetor 2015 me një vlerë totale prej 40 milionë lekësh të reja. Këto farmaci nga të dhënat rezultojnë të jenë në pronësi të ish-drejtuesve të lartë të Fondit dhe njerëzve të lidhur me MSH (farmacia “Coli’s”, “Geni-Lori”, “Nikol 2”, etj). Nga informacioni që disponohet rezulton se ky suplement ka hyrë në Shqipëri me vlerë rreth 25.000 lekë (gjithmonë të reja), (1 kuti me 180 kapsula) dhe është rimbursuar nga Fondi për periudhën në fjalë duke variuar nga 170,000 lekë të reja për recetë çdo muaj gjatë vitit 2014 deri në vlerën 130.000 lekë të reja për recetë çdo muaj në vitin 2015. Pra, për rreth një vit e gjysmë është lejuar të funksionojë kjo skemë mashtrimi me Fondin e Rimbursimit, si edhe nga të dhënat tona rezulton se në shumicën e rasteve ky suplement nuk është marrë fare nga veteranët në Tiranë, por thjesht janë mbushur receta fiktive dhe janë rimbursuar lekët në farmacitë e pushtetit të sotëm. Mësohet se pas këtij kontrolli janë marrë masa administrative (për peshqit e vegjël), por nuk dihet se si është mbyllur vlera prej rreth 40 milionë lekësh (ose 400 milionë lekë të vjetra). (Kanë marrë vetëm vërejtje disa specialistë të Drejtorisë së Tiranës).

Vjedhjet me skemën e rimbursimit nisën më 2014

Prokuroria e Tiranës nisi hetimet vjet për veprat penale të “Mashtrimit me subvencione”, “Falsifikimit të dokumenteve shëndetësore”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Shpërdorimit të detyrës” në datë 22 maj 2015, bazuar në informacionin e ardhur nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Skandali i vjedhjes së më shumë se 1.5 miliardë lekëve nga rimbursimi i ilaçeve ka përfshirë hetimin e disa farmacive private në Tiranë, që mësohet se janë nën pronësinë e njerëzve të zëvendësdrejtorit të Fondit të Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor, Sokol Skura. Fillimisht nisën hetimet për 4 farmaci fiktive, të cilat me anë të recetave të rimbursueshme, që dyshohet se janë falsifikuar kanë përfituar rreth 550 milionë lekë. Kallëzimi u dorëzua vjet vetëm pak ditë më parë, pasi Fondi i Sigurimeve të Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor ka rimbursuar të gjitha këto receta, që mendohet se janë falsifikuar. Burimet thonë se, nga verifikimi paraprak, dyshohet se recetat e rimbursuara janë lëshuar vetëm nga këto 4 farmaci, të cilat nuk ekzistojnë dhe nuk janë të regjistruar në asnjë nga institucionet shtetërore. Po ashtu, edhe recetat e rimbursuara, sipas akuzës, janë firmosur nga më shumë se 80 mjekë të ndryshëm të familjes në qendrën shëndetësore. Mësohet se çdo recetë ka emër konkret të pacientit, moshën dhe diagnozën, për të cilën kërkohet marrja e ilaçit, që në të shumtën e rasteve janë mjekime për sëmundjet kancerogjene. Vlera e këtyre ilaçeve të rimbursuara, sipas hetuesve, kap shifrën nga 350 deri 800 mijë lekë e që në total kap shifrën e rreth 550 milionë lekëve. Ky abuzim i rimbursimit tashmë, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme ka ndodhur gjatë periudhës nëntor 2014 deri në prill të 2015, kur edhe është konstatuar abuzimi. Hetuesit thonë se referuar materialit kallëzues, thuajse të gjithë mjekët e pyetur, emrat dhe vulat e të cilëve ndodhen në recetë kanë mohuar se kanë lëshuar receta të tilla, për këtë fakt ka lindur dyshimi se po abuzohet me këto receta të rimbursimit. Hetimet e Prokurorisë kanë përfshirë rimbursimin e ilaçeve që nga fillimi i vitit 2014, ndryshe nga sa parashikohej në denoncimin e bërë nga Fondi i Sigurimeve, që përfshinte periudhën nga nëntori 2014 deri në prill të 2015. Recetat e falsifikuara nga organizatorët e kësaj skeme ishin ato të sëmundjeve kancerogjene. Kjo sepse, ilaçet për këto sëmundje kushtojnë më shtrenjtë dhe rimbursimi arrinte në shifrat e 350-800 mijë lekë për një ilaç. Gjithsej 420 mijë euro sipas padisë janë përfituar nga 4 farmaci fiktive vetëm në periudhën nëntor 2014-prill 2015. Menjëherë pas rimbursimit të kësaj shume, auditi i Zyrës së Antikorrupsionit në Kryeministri ka hartuar një raport prej 50 faqesh për këtë skandal. Por skandali është thelluar më tej, kur ky raport nuk është dorëzuar në Prokurori, por është mbajtur i fshehtë. Burime pranë Zyrës së Antikorrupsionit thanë se një kopje e raportit që evidentoi skandalin i është vënë në dispozicion zyrtarëve të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në raport konstatohen shkeljet e dhjetëra farmacive dhe shkelje të tjera që kapin shifra marramendëse, por këto u mbajtën të fshehta nga zyrtarët e Fondit.

A.Shahini

Artikulli paraprakBie ndjeshëm besimi në ekonomi në muajt e parë 2016, poshtë mesatares afatgjatë
Artikulli tjetërRanieri shikon vetëm Leicester