Si të zhdukësh varfërinë

BBC News

Këtë muaj Finlanda ka nisur një eksperiment radikal ekonomik. Qeveria ka në plan t’i japë 2  mijë njerëzve para falas për dy vjet, duke i garantuar atyre të ardhurat minimale mujore. Pjesëmarrësit në jetë eksperiment – të përzgjedhur nga njerëz të rastësishëm që përfitonin të ardhura sociale – do të marrin secili 560 euro në muaj, të cilat do të vazhdojnë t’i përfitojnë edhe nëse gjejnë punë.
Eksperimenti finlandez është më i madhi dhe më radikali deri tani dhe synon të studiojë se çfarë ndodh kur qytetarëve u ofrohet një e ardhur e garantuar – një politikë e njohur si të ardhurat bazike universale. “Ne shpresojmë se të ardhurat bazike do t’i japin njerëzve një ndjesi sigurie financiare dhe mundësinë për të planifikuar jetën e tyre”, thotë Marjukka Turunen e Agjensisë së Sigurimeve finlandeze që po zhvillon eksperimentin.
Është një propozim shumë i thjeshtë, por radikal në atë çfarë përfaqëson. Disa ekspertë nuk e pëlqejnë aspak idenë se njerëzve u duhen dhënë para pa asnjë dallim. Të tjerë shqetësohen se të ardhurat e garantuara mund t’i bëjnë njerëzit përtacë dhe të refuzojnë të bëjnë punë më pak të këndshme, por të domosdoshme në një shtet. Megjithatë, kjo politikë ka fituar popullaritet në të gjithë botën, që nga Sillicon Valley e deri në Indi. Pas krizës financiare të vitit 2008 shumëkush mendon se të ardhurat bazike universale janë mënyra më e mirë për të reformuar sistemin difektoz të mirëqenies sociale dhe për të trajtuar shumë prej sfidave ekonomike me të cilat përballen shtetet e ndryshme.
Të ardhurat bazike si projekt kanë përjetuar një rikthim të famës, por ideja ka kohë që qarkullon në rrethet ekonomike e financiare. Presidenti amerikan Richard Nixon zhvilloi një eksperiment të suksesshëm të tillë gjatë viteve 1960, për shembull. Për Nixonin, kjo ishte një mënyrë tepër eficente për të reformuar sistemin e mirëqenies sociale. Megjithatë, politika nuk përfitoi mbështetjen e duhur dhe u la pezull. Ekonomistët me influencë të shekullit XX si Milton Friedman dhe Friedrich Hayek, argumentojnë se një formë të ardhurash të garantuara janë mënyra më e mirë që qeveria të çrrënjosë, ose të paktën të zbusë problemin e varfërisë.
Megjithatë, jo të gjithë janë në favor të kësaj politike. Një referendum, në Zvicër i zhvilluar vitin e kaluar refuzoi propozimin e dhënies së 2,418 dollarëve (2,500 franka zvicerane) për çdo të rritur dhe çerekun e kësaj shumë për çdo fëmijë. Ata që e kundërshtuan këtë plan argumentonin se diçka e tillë do të ishte e papërballueshme financiarisht për shtetin dhe do t’i nxiste njerëzit të linin punën, veçanërisht punët e krahut që paguhen pak dhe janë të lodhshme. Kush do të zgjidhte të punonte si mbledhës mbeturinash apo pastrues rrugësh, nëse do të kishin mundësinë të paguheshin, duke qëndruar në shtëpi?
Por ata që ishin në favor të miratimit të politikës së të ardhurave bazë thonin se, kjo mund ta detyronte shoqërinë të rishikonte vlerat e njerëzve që i bëjnë këto punë të rëndomta dhe do të ofronte një lloj shpërblimi plus për ta. Në fakt, një e ardhur e garantuar – edhe nëse do të ishte e ardhur shtesë – mund ta sfidojë idenë themelore se njeriu është një anëtar i vlefshëm i shoqërisë vetëm nëse punon.
Shoqëritë moderne vërtiten të gjitha përreth punës. Punët që bëjmë çdo ditë janë pjesë e pandashme e identitetit tonë. Puna e papaguar produktive, si puna vullnetare, punët e shtëpisë dhe përkujdesja ndaj të tjerëve janë tepër të nënvlerësuara. Godfrey Moase, aktivist dhe asistent sekretar i përgjithshëm i Unionit Kombëtar të Punëtorëve në Melburn, Australi, argumenton se të ardhurat bazë mund ta transformojë në mënyrë të jashtëzakonshme marrëdhënien që ne kemi me punën.
“Imagjinoni krijimtarinë, inovacionin dhe sipërmarrjen që do të shpalosej nëse çdo qytetari do t’i  garantoheshin të ardhurat bazë të jetesës, nëse do të punonin për pasion, jo për të mbushur tavolinën me ushqim”, shkruan ai. “Sipërmarrjet civile dhe bizneset mund të shtoheshin nëse njerëzit nuk do të shqetësoheshin për pagën e muajit tjetër”.
Disa thonë se kjo mund të përmirësonte edhe punësimin. Nëse punëtorët ndihen të lirë për të kërkuar punë që i përshtaten më mirë, në vend të kënaqen me atë që kanë, ata mund të kërkojnë paga më të mira dhe kushte më të mira pune. Megjithatë, nuk ka vetëm aspekte pozitive. Kritikës së politikës Dmytri Kleiner, argumenton se politika mund të rrisë shumë inflacionin, pasi njerëzit do të kishin më shumë para për të shpenzuar.
Sidoqoftë eksperimenti finlandez është kritikuar, sepse nuk është mjaftueshëm i guximshëm. 560 eurot që i jepen pjesëmarrësve çdo muaj nuk janë një pagë dinjitoze në një shtet si Finlanda, ku kosto e jetesës është shumë e lartë. Pavarësisht të gjithave, sytë e ekspertëve të të dy grupimeve janë kthyer nga Finlanda – ose nga eksperimentet e tjera që mund të bëhen më vonë – për të parë se sa shumë ndryshim mund të bëjnë sasi të vogla parash çdo muaj për cilësinë e jetës. Ndoshta puna mund të pësojë një ndryshim radikal në të ardhmen e afërt.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakNainggolan, “molla e ndaluar” e të mëdhenjve
Artikulli tjetërFabrika e eurokratëve