Si po vidhet me faturat e OSHEE/ Qytetarët dhe biznesmenët paguajnë dyfishin e muajit Mars 2019

Pagesa e faturave të dritave është kthyer në një dhimbje të madhe koke për shqiptarët, që nën kushtet e izolimit, tashmë po përballen dhe me fatura afrofe të energjisë elektrike. Edhe pse është e jashtëligjshme vendosja e faturave afrofe, të cilat nuk parashikohen në ligjin për sektorin e energjisë ekektrike, tashmë qytetarët po përballen edhe me mbifaturimin.

Në një faturë që është siguruar nga ana e Faxweb.al, shihet sesi i njëjti konsumator, ka paguar në Marsin e 2020, dyfishin e faturës referente të një viti më parë, për të cilën OSHEE deklaron se do të kishte si referim. Abonenti që shihni më poshtë në muajin Mars të 2019-tës ka paguar 2560 ndërsa në Mars të 2020-tës është dyfish, 5697 lekë.

Por ky nuk është rasti i vetëm që denoncohet në redaksinë e Faxweb.al, pasi një biznesmen në qytetin e Gjirokastrës, pjesë e hoteleve që akomodojnë emigrantë të kthyer nga jashtë vendit, është shprehur jashtë kamerave se i ka shkuar një faturë prej 3 milionë e gjysëm lekësh të vjetra, edhe pse sipas tij konsumi ka qenë shumë më i ulët.

Mbetet e paqartë sesi do të bëhet rimbursimi i këtij mbifaturimi, në një kohë që shumë abonentëve për shkak të pamundësisë ekonomike ka nisur që ti pritet energjia elektrike, duke rritur ndjeshëm edhe stresin social të këtyre ditëve, ku shumë qytetarë kanë humbur vendet e punës, apo përballen me uljen e ndjeshme të pagave.

Në ndryshim nga OSHEE, që nuk e sqaron pamundësinë për të lexuar matësat, Ujësjellës Kanalizimet në të gjithë vendin nuk do të vendosin fatura afrofe, por matësat do të lexohen, siç ndodh zakonisht në kushtet normale. Nuk dihet se çfarë i pengon faturistët e OSHEE-së që të shkojnë tek matësat, në një kohë që ato në shumicën e rasteve janë të vendosura jashtë banesave, dhe në largësi nga kontakti me njerëz të tjerë.

Pak ditë më parë në një intervistë për Fax News ish-drejtori juridik i ERE, Eduard Elezi është shprehur kundër faturave afrofe që janë propozuar të vendosen për abonentët në muajt e pandemisë. Elezi tha se në asnjë pikë të ligjit nuk lejohet vendosja e faturave afrofe, dhe sipas tij kjo do të rëndojë në xhepat e konsumatorëve, pasi shpenzimi i energjise eshte ulur ne raport me vitin e kaluar.

Sipas ish-drejtorit juridik të ERE-s, këtë vit ka një rënie të konsumit të energjisë në krahasim me vitin 2019, dhe për këtë, në fund të situatës së pandemisë nuk do të ketë asnjë rimbursim nga OSHEE.

“Lidhur me faturimin afrofe Enti Rregullator ka marrë një vendim të paligjshëm, pasi bie ndesh me ligjin për sektorin e energjisë elektrike, ku faturimi i energjisë elektrike duhet të bëhet vetëm përmes matësave. Po ky vendim i referohet aktit normativ të qeverisë, ku në asnjë pikë nuk njoftohet si do të bëhet leximi i matësave.

Ky vendim sjell pasoja shumë të mëdha te konsumatorët e energjisë elektrike. Ka një rënie të konsumit të energjisë elektrike nga ana e bizneseve, të cilët në këtë kohë kanë qenë të mbyllura”, tha Elezi.

Idenë e pagesës deri në fund të pagesave të energjisë elektrike, qoftë edhe përmes mbifaturimit e ka mbrojtur dhe kreu i qeverisë Edi Rama, i cili ka thënë që kjo është një nga pikat që nuk mund të preket, dhe as të negociohet. Mbetet ende mister nëse kjo është një skemë, për të nxjerrë me bilance të mira edhe në këto ditë të këqija OSHEE-në apo qytetarëve do tiu rimbursohen pagesat, në muajt pasardhës.

osheee

Artikulli paraprakEksperti në OBSH: Koronavirusi zhduket për 2 minuta nëse plotësohen këto dy kushte
Artikulli tjetërStudiuesi izraelit: Koronavirusi ikën vetë, ja kur ndodh! Nuk ka nevojë për karantinë