“Një vend në NATO rrezik për sigurinë”

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, po shndërrohet në rrezik për sigurinë. Gazeta konservatore gjermane kritikon ashpër Edi Ramën: premtimet e tij për reforma dhe luftë kundër krimit e korrupsionit janë vetëm fjalë boshe. Në Europë, Shqipëria zë vendin e parë në prodhimin e kanabisit.
Si rrallëherë më parë, «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) ka atakuar qeverinë e prirë nga Partia Socialiste në Tiranë. Gazeta e afërt me kabinetin e kancelares Angela Merkel shkruan në numrin e së enjtes mbi krizën politike që ka përfshirë Shqipërinë, duke kritikuar në radhë të parë kryeministrin Edi Rama për premtime boshe. «I mbështetur në një shumicë solide në Parlament, Rama premtoi se do të kujdeset për sistem transparent, për zbatim të reformave radikale, sidomos në drejtësi, dhe për zhvillimin e një lufte të vendosur kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në fund të mandatit të tij nga kjo kanë mbetur vetëm fjalët boshe. Shqipëria prin në Europë me prodhimin e kanabisit. Pavarësisht disa operacioneve spektakolare të policisë, me ç’rast janë djegur plantacione me kanabis, fushat e mbjella janë shtuar dhe po shfrytëzohen edhe më intensivisht, mes tjerash me farën e bimëve vietnameze, të cilat rriten shpejt. Me prodhimin e hashashit rritet edhe ndikimi i baronëve të drogës, të cilët kanë mjaft para për të korruptuar politikanë, gjykatës dhe policë. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, po shndërrohet në rrezik për sigurinë». «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shpreh shqetësim mbi thellimin dhe ashpërsimin e krizës politike në Shqipëri pas dështimit të eurodeputetit gjerman David McAllister, që të ndërmjetësojë mes qeverisë dhe opozitës. Partia Demokratike (PD), sipas FAZ, po kërkon largimin nga pushteti të kryeministrit Rama dhe krijimin e një qeverie të përkohshme, e cila do të përgatiste zgjedhje të ndershme parlamentare. Këtë kërkesë e ka refuzuar Partia Socialiste (PS). Opozita është duke e bojkotuar Parlamentin tashmë dy muaj.
Situata dramatike në të cilën është përfshirë Shqipëria si dhe sundimi i narkotrafikut dhe krimit të organizuar kanë hasur një pasqyrim të gjerë në mediat e huaja. “Kultivimi i kanabisit përbën pothuajse gjysmën e PBB-së së Shqipërisë! Një prodhim i gjatë në këtë vend ballkanik, ku ai është bërë një mjet për mbijetesë për shumë banorë. Por edhe një burim korrupsioni”. Kështu e nis një reportazh të tij në Tiranë, Jerome Andre, gazetari francez i “Reporterre.net”. Vjeshtën e kaluar, të njëjtat imazhe u përsëritën çdo ditë në kanalet televizive shqiptare. Ndërsa kanabisi ishte shtrirë gjithandej, policia sulmoi zonat e vështira për t’u kapur dhe dogji mijëra bimë. Qeveria thotë se, arriti sukses në “luftën kundër drogës”. Falë mbështetjes së Guardia di Finanza rreth 2.5 milionë bimë u shkatërruan në vitin 2016. Por situata është larg nga zhdukja. Në fillim të vitit 2017, Europol dhe Departamenti amerikan i Shtetit ende i referohen Shqipërisë si “vendi kryesor prodhues në Evropë”.

Artikulli paraprakZyrtarët amerikanë mblidhen për çështjen e Koresë së Veriut
Artikulli tjetërKina ndalon emrat myslimanë për foshnje