Si mashtroi Bushati për votën kundër në NATO ndaj SHBA-së

Armand MAHO

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka gënjyer hapur dje në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit teksa u rrek të shpjegonte votën kundër SHBA dhe NATO në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit, duke e arsyetuar që këtë ia kanë kërkuar Franca dhe SHBA. Vota, e cila qartazi bie ndesh me interesat e NATO-s, është reflektuar dhe në arsyetimin e votës kundër në votimin e parë në Komitetin e Parë, ku Shqipëria ka votuar korrekt, pra ka dhënë votën e saj “JO” ashtu siç e kishin dhënë të gjitha vendet e tjera anëtare. Arsyetimi i Bushatit në lidhje me këtë çështje është se, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca, dy prej fuqive nukleare rritën përpjekjet pranë aleatëve, por edhe vendeve të tjera për të siguruar më shumë abstenime dhe vota kundër. Ju premtua partnerëve amerikanë dhe francezë që Shqipëria do të kalonte votën e saj kundër. Shqipëria duke votuar kundër, siç ju e thatë, në Gjenevë e ka të reflektuar këtë gjë në dokumentet e OKB-së”, tha ai. Megjithatë Bushati sërish u tregua konfuz kur tha se, “I njëjti gabim, për të njëjtën rezolutë, është bërë edhe nga dy vende të tjera, përkatësisht Italia dhe Estonia. OKB-ja do të publikojë votën kundër të korrektuar të Shqipërisë në mars të këtij viti”, deklaroi ministri i Jashtëm Bushati. Por në dokumentet e OKB-së është reflektuar dhe vota e para zgjedhjeve amerikane të 8 nëntorit dhe bëhet fjalë pikërisht për votimin në Komitetin e Parë të Asamblesë, ku vota e Shqipërisë është qartazi në kundërshtim me rezolutën. Bushati, nuk shpjegoi se përse duhej ta merrte këtë vendim Shqipëria, kur gjithsesi votat kundër rezolutës mbeteshin në minorancë dhe përbëheshin kryesisht nga ato të NATO-s. Madje dhe relacioni që shpjegon votën kundër në të dy rastet mban firmën e Shqipërisë. E vërteta është se, vota në favor të rezolutës më 23 dhjetor e dhënë nga Shqipëria në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ka qenë një votë jo vetëm kundër Shteteve të Bashkuara, por edhe kundër NATO-s. Nga ana tjetër, Bushati duhet të sqarojë nëse i ka dërguar letër përcjellëse vendeve anëtare të NATO-s, ku të shpjegojë gabimin në votim. A i ka kërkuar OKB, të rishohë dhe një herë rezultatin e votimit pasi ka pasur më shumë se 40 ditë kohë për këtë çështje dhe votimi vazhdon të mbetet në faqen zyrtare të Asamblesë?! Gjëra që Bushati të paktën publikisht nuk i sqaroi, por lexoi një material të përgatitur më parë. Dhe megjithë spërdredhjet diplomatike të Bushatit, duket qartë se Edi Rama nuk e ka kapërdirë dot humbjen e bastit politik me fitoren e Donald Trump, pasi nuk ka se si shpjegohet që në dy data të ndryshme bën dy votime të ndryshme. Një herë në favor të asaj çka ka vendosur Aleanca e Atlantikut të Veriut dhe më pas, pas zgjedhjeve amerikane, në kundërshtim me të. Ka ndodhur pikërisht, ajo që s’duhej të ndodhte në marrëdhëniet tona me një aleancë të tillë. Edi Rama dukshëm ka vënë interesat dhe kapriçiot e tij personale, përpara fateve të vendit, gjë e cila mund t’i kushtojë shumë Shqipërisë në të ardhmen, pasi ka të bëjë me perceptimin dhe besimin e vendeve anëtare të NATO-s, në raport me Shqipërinë. Nga ana tjetër vihet në dyshim dhe serioziteti i shtetit shqiptar në vendimmarrjet e arenës botërore.

Votimi i parë

Por çfarë ka ndodhur? Më 27 tetor është mbledhur në New York komiteti i parë i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë mbledhje është vendosur që t’i propozohet Asamblesë së Përgjithshme një projektrezolutë, e cila ka të bëjë me ndalimin e armëve bërthamore. Vendet anëtare të NATO-s, me në krye SHBA-të në bllok i kanë thënë jo këtij propozimi, madje ka pasur dhe vende jashtë saj që kanë votuar në përputhje me vendet anëtare të Aleancës. Në dokumentin shoqërues të shpërndarë nga NATO, shpjegohet dhe vota kundër këtij drafti, në emër të shteteve që i kanë thënë jo asaj. E para, sipas këtij materiali, ky vendim është i parakohshëm. Në këtë inkursion, pra për t’i thënë jo çarmatimit për momentin, qëndronin SHBA-të, të cilat janë dhe fuqia kryesore. Më tej dokumenti, i cili orienton dhe vendimmarrjen e vendeve aleate, shpjegon se kjo rezolutë është e detyrueshme vetëm për vendet anëtare të saj dhe s’ka asnjë garanci se shtete të tjera, jo pjesëmarrëse në këtë asamble do i nënshtroheshin kësaj rezolute. “Për këtë arsye ne e ndjejmë se përpjekjet për të negociuar në mënyrë imediate apo për të legjitimuar shkurajimin nuklear, janë themelisht në kundërshtim me NATO-n, themelisht në kundërshtim me politikat bazë të NATO, mbi diferencën dhe interesat që ne ndajmë për sigurinë”. Për këto arsye dhe të tjera si këto vendet e aleancës së Atlantikut të Veriut kanë votuar kundër rezolutës. Në total në votimin e parë projektrezoluta mori 123 vota pro, 38 kundër dhe 16 abstenim. Çka do të thotë që Shqipëria ka dhënë një votë korrekte në përputhje me vendimin e aleatëve të saj.

Vota kundër NATO-s

Por situata s’do të ishte më e njëjtë në votimin këtë herë në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Sigurimit. Shqipëria thyen vendimin e parë dhe këtë herë jep një vendim të ndryshëm në kundërshtim me direktivat e NATO dhe SHBA. Për çudi, këtë herë Shqipëria ishte në favor të rezolutës dhe asaj i ishin bashkuar dhe Italia, por edhe Estonia. Vetëm këto tri vende kanë votuar në favor të rezolutës, ndërsa vendet e tjera anëtare të NATO-s kanë mbajtur qëndrimin e mëparshëm. Vetë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i pranishëm në seancë nuk diti të jepte ndonjë shpjegim në lidhje me akuzat që i bëri ish-Kryeministri Sali Berisha në lidhje me këtë çështje. Në fakt dy votimet në kohë të ndryshme paraqiten edhe në sitin zyrtar të OKB-së, ku specifikohet se Shqipëria ka votuar korrekt më 27 tetorin e 2016-ës, por ka dhënë një votë tjetër më 23 dhjetorin e po atij viti. Nga ana tjetër vetë Ministria e Jashtme dhe sot e kësaj dite, pra më shumë se një muaj pas ngjarjes, nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të qenësishëm që përse janë mbajtur dy qëndrime në dy kohë të ndryshme. Pra, përse para 8 nëntorit, Shqipëria voton korrekt dhe pas 8 nëntorit Shqipëria jep një votë, e cila bie ndesh me parimet themelore të NATO-s, që janë besimi dhe marrëdhënie e reciprocitetit mes vendeve anëtare.

Heshtja e Ditmirit

Në fakt vetë Ditmir Bushati e di se kjo është gafë diplomatike e rëndë. Ai e di që është aty për të mbuluar marrëzitë e shefit të tij, që dhe në institucione të tilla siç është OKB dhe NATO voton sipas humorit dhe inateve personale. Dhe në këtë rast vota, e cila mund të quhet një thikë pas shpine që i është bërë aleancës, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota nuk është gjë tjetër vetëm se një shprehje e tërbimit që Rama ka ndaj fitores së Presidentit republikan në USA. Natyrisht nga pozitat e tij Bushati s’mund ta thotë këtë? Nga ana e tij, Rama ende s’e ka mësuar se marrëdhëniet mes shteteve në një alenacë kanë protokolle dhe s’mund t’i përdorë interesat strategjike të vendit për inatet e tij personale si pasojë e basteve të humbura politike. Në fakt kryeministri e deklaroi që më herët se në rast të fitores së Donald Trump do të shkojë deri në rishikimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por askush nuk mendonte se asaj lajthitjeje të verës do i shkonte deri në fund. Duket se marrëzia e Ramës në pushtet shqiptarëve nuk po i kushton vetëm ekonominë dhe varfërinë, por edhe marrëdhëniet me organizmat më të rëndësishme, ku natyrisht marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara dhe anëtarësimi në NATO janë ndër më të rëndësishmet!

Artikulli paraprakPresidenca: Ditmir Bushati gënjen, s’na ka informuar për votimin
Artikulli tjetërÇfarë më ka mbetur në mend nga Dritëroi