Si i përgjigjet Basha pyetjes nëse 25 maji do të jetë një protestë me Molotov…

Pyetje: Do të jetë një protestë me Molotov zoti Basha? 

Basha: Ambrozia, ne kurrë nuk kemi bërë thirrje për dhunë dhe distancohemi nga çdo akt dhune, por mos prit që Lulzim Basha të jetë komandanti I baballarëve, që u ka vënë kryqin tek shtëpia Edi Rama, I vëllezërve motrat 3 vjecarë të të cilëve I ka helmuar me gaz Edi Rama apo I fëmijëve të prindërve që Edi Rama u theu kockat se dontë t’u grabiste shtëpitë, që t’u vidhte 40 milionë euro shqiptarëve dhe të mos shpronësontë as banorët e ligjshëm. Këto janë vetëm 3 skandale. Komandant i zemërimit popullor nuk është Lulzim Basha. Zemërimi popullor vetëm do të rritet. Detyra jonë është vetëm të parashtrojmë zgjidhjen politike dhe të thërrasim shqiptarët ta mbështesin këtë kauzë, gjë që e kanë bërë në mënyrë të paprecedentë dhe madhështore, për të cilën përkulem me mirënjohjen më të thellë ndaj tyre, si për protestën e 11 Majit, ashtu edhe për protestën e 13 Majit. Jam i sigurtë që këto do të tejkalohen sin ë masivitet, ashtu edhe në vendosmëri nga protesta e 25 Majit.

Gjatë ditës së sotme forumet e larta të Partisë Demokratike si dhe kryetarët e koalicionit opozitar kanë shqyrtuar gjendjen e rëndë të grushtit të shtetit ku ndodhet vendi, pas asgjësimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe pas kapjes së prokurorit të përgjithshëm.

Sot, e gjithë Shqipëria dhe e gjithë bota ka kuptuar se fshihet makthi i Edi Ramës, për atë që e pret në rast se zbardhen dosjet hetimore, të cilat provojnë, përmes përgjimeve të prokurorisë, përfshirjen e drejtpërdrejtë të Edi Ramës dhe një grushti politikanësh të kupolës së organizatës së “Rilindjes”, në bashkëpunim me krimin e organizuar, për të vjedhur zgjedhjet në Dibër, si provë gjenerale, për të kaluar pastaj në vjedhjen e zgjedhjeve të 2017-s.

Sot gazeta më e madhe, me tirazhin më të madh në Evropë, gazeta gjermane “Bild” ka bërë jo vetëm një panoramë realiste të gjendjes tronditëse të Shqipërisë, si narkoshtet, të qeverisë që sillet si bandë, si gangster është fjala që përdor gazetari, por ka zbuluar diçka që organet ligjzbatuese në Shqipëri, dhe jo vetëm, e dinë prej kohësh, që në dosjen 184, në përgjimet e Dibrës figuron vetë Edi Rama, duke komunikuar drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë, duke u konfirmuar, duke u siguruar, se skenari i manipulimit zgjedhor, i vjedhjes së votave, i brutalizimit të votuesve është zhvilluar pikërisht sipas porosive të tij.

Pyetje: Zoti Basha, zonja Gjylameti është shprehur se shkrimi është paguar nga paratë e pisëta të Partisë Demokratike. Keni ndonjë koment?

Basha: Zonja Gjylameti do të ishte së bashku me zonjën Spiropali dhe zonja të tjera, ndër të pandehurit kryesorë, sepse vetë zonja Gjylameti është pjesë e dosjes 184, ndërkohë që zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së hetimit të Xibrakës. Kështu që njerëzit në konflikt interesi nuk mund të përbëjnë asnjë burim të besueshëm, as për median, as për qytetarët.

Përtej të shkretës Gjylameti, që ja kanë ngarkuar këtë mision të pamundur, për të përgënjështruar gazetën më të madhe të Evropës, e vërteta që mbetet është kjo: nuk ka njeri në Evropë që s’e ka marrë vesh se Edi Rama ka blerë zgjedhjet e vitit 2017, në bashkëpunim me krimin e organizuar. Parlamenti është produkt i votës së diktuar nga krimi, e ka diktuar krimi këtë parlament dhe këtë qeveri. Jemi pra në kushtet e grushtit të shtetit.

Në këto kushte, në vend që t’i hapë rrugë kërkesës mbarëpopullore për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie tranzitore, me detyra të përcaktuara qartë, Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve dhe vrasësve që ka futur në partinë e tij dhe në partitë e tjera të krijuara nga ai, për të dhënë fasadën e zgjedhjeve.

Në mbi gjysmën e bashkive të vendit do të ketë kandidatë vetëm kupola kriminale e “Rilindjes”, vrasës, përdhunues, trafikantë droge, shokët e Elvis Rroshit që mbeten akoma në Bashkinë e Krujës, si Artur Bushi me shokë, kandidatë të tjerë të zgjedhur me dorë nga banda e abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku kemi një rekord, se Ymer Lala ka caktuar edhe kandidatin e PS-së, edhe kandidatin e bashkimeve profesionale të PS-së, të dy janë përcaktuar nga Ymer Lala.

E dinë të gjithë dibranët. I pari është kandidati fillestar që Ymer Lala caktoi dhe pastaj e tërhoqi, dhe është një nga protagonistët e dosjes 184, i dyti, ish-sekretari i Partisë Demokratike të Dibrës, i evidentuar për fat të keq edhe si njeriu i blerë i Ymer Lalës, dhe për këtë arsye edhe i shkarkuar nga funksionet e tij në degën e Partisë Demokratike. Pra, shikoni çfarë zgjedhjesh do bëjnë, të dy kandidatët i cakton Ymer Lala, edhe atë që do të mbajë siglën e PS-së, edhe atë që do të mbajë siglën e bashkimeve profesionale të PS-së.

Pra, është e qartë se zgjedhje nuk do të ketë. Edhe formalisht, vendi është me një regjistër të gjendjes civile të masakruar nga njerëzit e caktuar për këtë punë nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, regjistri i adresave është i masakruar, mbi 1,4 milionë shqiptarëve ju kanë skaduar kartat e identitetit. Edhe nga pikëpamja formale, zgjedhjet me 30 qershor nuk mund të mbahen. Natyrisht nuk mund të mbahen nga pikëpamja politike, se nuk ka zgjedhje. Shqiptarëve do tu ofrohen vrasës, përdhunues ose ushtarë të vrasësve dhe të përdhunuesve dhe njerëzve të korruptuar si Vangjush Dako me shokë. Vet nuk garoi dot, se është duke negociuar si do ti shpëtojë hetimeve me Edi Ramën, dhe ka caktuar se kush do të garojë.

Këtu e ka sjellë Shqipërinë bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin.

Pyetja është, tani që na ndajnë 45 ditë nga 30 qershori, se çfarë do të ndodhë? Do të pranohet që grushti I shtetit të çohet deri në fund, dhe në Shqipëri të instalohet tirania e krimit në të gjitha nivelet? Sepse kjo jo vetëm do të instalonte tiraninë e krimit në pushtetin vendor, por do të çimentonte edhe tiraninë e krimit në qeverisjen qëndrore. Apo do të ketë një përballje totale popullore për ta mposhtur me të gjitha mjetet dhe format e tjera, tiraninë e krimit!

Vendimi unanim i opozitës është përballje popullore.

Artikulli paraprakBasha: Rama, skenar përplasje më 30 qershor, kandidatë vrasës e përdhunues nuk do të lejojmë…
Artikulli tjetërStrasburgu dënon psikopatin për Becchettin, do pagujmë edhe 110 milionë euro të tjera taksa