Shullazi kundër dëshmisë së biznesmenit, kërkon përjashtimin e gjyqtarëve

Vetëm pak ditë pasi Gjykata e Krimeve të Rënda administroi në dosje dëshminë e biznesmenit Ylvi Beqja me cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, Emiljano Shullazi kërkon përjashtimin gjyqtarëve të çështjes. Me kërkesë të avokatit, Shullazi kërkon përjashtimin e pesë gjyqtarëve me arsyetimin se kanë marrë në pyetje dëshmitarin e mbrojtur Beqja pa praninë e tij. Avokatët, thonë se, vetë Gjykata ka vendosur që sigurimi i provës dhe pyetja e Beqajt të bëhet në prezencën e të dyshuarve, por Gjykata e ka zhvilluar seancën pa praninë e tyre dhe avokatëve mbrojtës.
Pyetja e Beqajt është bërë në prezencë të avokatit kryesisht, të caktuar nga vetë Gjykata. Kërkesa për përjashtim do të gjykohet nga gjyqtari i vetëm Dritan Hallunaj gjatë ditëve në vazhdim. Ylvi Beqja ka akuzuar Shullazin dhe pjesëtarët e bandës së tij për gjobëvënie. Ndërkohë kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve, rezulton se është përsëritur edhe në tre raste të tjera, kur gjyqtarët e kanë rrëzuar këtë kërkesë.
Biznesmeni Ylvi Beqja gjatë dëshmisë së tij me dyer të mbyllura në Gjykatë, ka treguar se një person i akuzuar për vrasje në Tiranë, i ka ofruar 7 milionë euro që ai të tërhiqej nga dëshmia kundër Emiljano Shullazit. Beqja ka rrëfyer para Gjykatës se, ky person e ka garantuar se, 1 milion euro ishin të gatshme për t’u dhënë direkt në dorë, ndërsa pjesa tjetër do t’i jepej me këste, vetëm që ai të hiqte dorë nga dëshmia kundër Shullazit. Por Beqja ka rrëfyer se kjo gjë nuk është pranuar nga ai.
Biznesmeni Ylvi Beqja ka treguar para Gjykatës se, edhe gjatë kohës kur ka qenë i mbrojtur nga policia dhe Prokuroria, ai ka marrë kërcënime dhe oferta të ndryshme për t’u tërhequr nga dëshmia e tij, kundër Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij, Gilmando Dani, Endrit Zela dhe Endrit Qyqja. Beqja i ka treguar Gjykatës se ka marrë kërcënim në telefon dhe në mënyrë verbale nga një person që është akuzuar për një vrasje.
Beqja i ka treguar Gjykatës për takimin me Shullazin në një lokal në zonën e rrugës së “Kavajës”, ku edhe i ka treguar për problemin e pronës së ish-hotel “Vollgës” në Durrës. Gjithashtu, dëshmitari i mbrojtur në prani të avokatit të tij mbrojtës ka treguar edhe për kërcënimin me armë që Shullazi i ka bërë pranë zyrës së noteres në Durrës, ku i ka kërkuar t’ia dorëzojë paratë e shitjes së një pjese të objektit të ish-hotel “Vollgës”.

Artikulli paraprakVrasja për pazaret e drogës në Devoll, lihet në burg autori i dyshuar
Artikulli tjetërTre fshatra në Fier, protestë kundër impiantit të plehrave