“Shullazi”, dështon ballafaqimi mes dëshmitarëve dhe biznesmenit Beqja

Gjykata për Krimet e Rënda u detyrua të shtyjë për në 13 dhjetor seancën e të mërkurës për Emiliano Shullazin dhe katër miqtë e tij, të akuzuar për “gjobëvënie”. Shkak i ndërprerjes u bë mungesa e dy përfaqësuesve të akuzës në sallën e gjyqit. Përmes një shkrese të firmosur nga titullari i tyre, prokurorët Ened Nakuçi e Elisabeta Imeraj, justifikonin mospraninë në gjykim me një angazhim zyrtar jashtë vendit.
Në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të Rënda pritej ballafaqimi mes dëshmitarëve dhe biznesmenit Ylvi Beqaj.
Avokatët e kanë cilësuar, “mungesë vullneti të Prokurorisë për të përfaqësuar akuzën” dhe kanë ripërsëritur “kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë për të pandehurit ose pushimin e çështjes ndaj tyre”.
Prokuroria e Përgjithshme dyshon se dhurimi i ish-hotel “Vollga” për Emiljano Shullazin nga shoqëria “Brothers Commercial Company” sh.p.k., mund të jetë bërë në mënyrë të paligjshme dhe përmes shantazhit. Transferimi ka ndodhur në vitin 2014 për një truall prej 2.498 metra katrorë panë kullës Veneciane në Durrës, e cila përveç kompanisë saudite ka edhe bashkëpronarë shqiptarë.
Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi herën e kaluar kërkesën e organit të akuzës për ballafaqimin e Ylvi Beqajt me shoferin Romeo Tarja si dhe Besnik Musait dhe noteres Aida Spahiu, për të vërtetuar kërcënimin e Ylvi Beqjas.
Në dëshminë e dhënë para Gjykatës dëshmitari i marrë në mbrojtje Ylvi Beqja ka treguar se është kërcënuar me armë nga Shullazi dhe u detyrua t’i ofronte shuma të mëdha parash. “Jam detyruar t’i jap pronën sapo kemi shkuar te noterja A. Spahiu, pasi aty Shullazi ka mësuar për shitjen e një pjesë të ish-Vollgës, te çifti Kodra. Pas kërcënimit që më bëri me pistoletë dhe me fjalë të ndryshme, një ditë më pas kam shkuar te noterja A. Spahiu, duke i kërkuar që t’i jepte Shullazit 30 për qind të pronës, dhe jo 20 për qind siç kishim rënë dakord”, ka pohuar në Gjykatë biznesmeni Ylvi Beqja. Gjithashtu ai ka deklaruar edhe për një shumë prej 700 mijë eurosh, që i kishte dhënë Shullazit dhe miqve të tij nëpërmjet kërcënimit.

Artikulli paraprakUshtarët e FA, 2 byrekë në ditë për të shpëtuar të përmbyturit
Artikulli tjetër400 familje në Hoxharë nën ujë, banorët: “S’kemi asnjë ndihmë”