Shqiptarët të marrin Parlamentin në duart e tyre

“Ora e këtij Parlamenti merr fund shumë shpejt”. Kryetari i PD, Lulzim Basha, u bëri thirrje dje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre, ndërsa paralajmëroi Ramën dhe Ruçin se opozita dhe shqiptarët nuk do të lejojnë kurrë rikthimin e Shqipërisë 30 vite pas, sërish në një regjim diktatorial. Deklaratën e fortë Basha e bëri pas mbledhjes së Grupit parlamentar demokrat ku u diskutua për hapat që do të ndërmarrë PD pas vendimit të turpshëm për të përjashtuar kreun e PD nga punimet e seancës.
“Nëse në këtë Parlament vendoset të rikthehet edhe njëherë regjimi diktatorial që për 50 vite ndaloi mendimin ndryshe dhe ekzekutoi në të gjitha format dhe mënyrat opozitën dhe mendimin kundër, atëherë ka ardhur koha të themi të vërtetën troç; paqja sociale është e rrezikuar, bashkëekzistenca demokratike është e rrezikuar dhe opozitës i lind jo vetëm e drejta, por detyrimi, t’i bëjë thirrje shqiptarëve të marrin Parlamentin në duart e tyre”, tha Basha.
Duke e cilësuar ngjarjen e djeshme si një atentat ndaj demokracisë, Basha paralajmëroi se PD dhe opozita e bashkuar do të ndërmarrë një vendim në lidhje me qëndrimin e saj në të ardhmen.
“Pas këtij atentati ndaj demokracisë, Grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të shqyrtojë këtë gjendje të rëndë dhe do të rekomandojë hapat e mëtejshëm që Partia Demokratike, jo vetëm Grupi parlamentar i saj, por edhe aleatët tanë dhe gjithë qytetarët do të hedhim së bashku. Ne nuk do të lejojmë kurrë që Gramoz Ruçi dhe Edi Rama ta kthejnë 30 vite pas orën e Shqipërisë”, u shpreh kreu i PD.
Kreu i PD paralajmëroi se në rast se Rama dhe Ruçi kanë ndërmend të shkelin të drejtat e opozitës, sepse kanë frikë të përballen me akuzat e vërteta për lidhjet e tyre me krimin atëherë ky Parlament shumë shpejt do të rrëzohet.
“Javën e kaluar, Edi Rama i preu zërin dhe figurën Parlamentit. Sot urdhëroi ministrin e Sigurimit të Shtetit të aplikonte format e diktaturës komuniste për t’i mbyllur gojën opozitës. Parlamenti është vendi ku opozita ushtron të drejtën e saj të patjetërsueshme për debat dhe fjalën e lirë. Nëse kjo e drejtë shkelet, nëse Rregullorja e Parlamentit shkelet, sepse Edi Rama dhe Gramoz Ruçi kanë frikë të përballen me të vërtetën e Shqipërisë nën thundrën e krimit të bërë njësh me Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin, atëherë ora e këtij Parlamenti merr fund shumë shpejt”, u shpreh Basha.
“Parlamenti është vendi ku debati politik zhvillohet në respekt të fjalës së lirë dhe në respekt të çdo qytetari shqiptar pavarësisht bindjeve politike. Edhe kur mendimet janë krejtësisht të papajtueshme është ky Parlament që garanton paqen sociale dhe bashkëekzistencën demokratike”, tha kreu i PD.

A.Shahini

Artikulli paraprakPërjashtimi i opozitës, fundi i këtij Parlamenti
Artikulli tjetërInvestitoret e huaj akuza tatimeve: Po na kontrollojnë inspektorë të paaftë