Shqipëria, laboratori i narkotrafikut në Europë

Peter TASE

Trafikimi i drogës, eksporti i armëve të ndryshme, trafikimi i qenieve njerëzore, pasiguria kufitare dhe korrupsioni në shërbimin civil ka mbretëruar në Republikën e Shqipërisë, në tre vitet e fundit nën administrimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndjekësve të tij neokomunistë të udhëhequr dhe sponsorizuar nga George Soros, një sipërmarrës hungarezo-amerikan, i cili ka punuar fillimisht me shkëmbimin e parave në tregun e zi të Hungarisë, në kohën kur kjo e fundit ishte nën pushtimin e Adolf Hitleri-t.
Autoritetet e qeverisë së Shqipërisë, të udhëhequr nga piktori Edi Rama dhe kriminelë të tjerë në shërbimin civil vetëm shërbejnë për t’u majmur në mënyrë të shpejtë me pasuri të paligjshme dhe vazhdojnë të sjellin nivele më të larta mjerimi tek njerëzit në një shtet ku demokracia është zëvendësuar nga një regjim autokratik i trafikantëve të drogës.
Në këtë kontekst, përfaqësuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ambasadori Bernd Borchardt tha se paratë e drogës po pastrohen me anë të sektorëve të ekonomisë informale në Shqipëri; kjo shumë monetare arrin në më shumë se 2 bilion euro, të ardhura të cilat do të përdoren nga tregtuesit e hashashit – drogës për të financuar fushatat politike të kandidatëve të ndryshëm të Partisë Socialiste gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme.
Përhapja e prodhimit të drogës në çdo cep të vendit dhe korrupsioni galopant në shërbimin publik nuk do të bëhej i mundur pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të zyrtarëve më të lartë në qeverinë shqiptare. Në mes të trazirave aktuale të shkaktuara nga fushata pseudopolitike e Edi Ramës dhe refuzimi dinjitoz i zgjedhjeve të përgjithshme (të planifikuara më 18 qershor 2017) nga Partia Demokratike; drejtuesit e karteleve kriminale të drogës dhe krimit të organizuar janë liruar nga burgu me urdhër nga lart; ndërsa gjyqtarët e korruptuar kanë thelluar gjithnjë e më shumë kanalin që pengon integrimin e Tiranës drejt Brukselit.
Sipas ish-përfaqësuesit të Shteteve të Bashkuara në Bahrein, ambasadorit Adam Ereli: “Në vitin e kaluar, Parlamenti shqiptar miratoi një ligj që synon të pastrojë Parlamentin dhe institucione të tjera nga zyrtarë të inkriminuar dhe të korruptuar”, megjithatë shumë prej të dyshuarve – për lidhjet e tyre me krimin e organizuar – janë ende në funksione shtetërore dhe gëzojnë privilegje në selinë e legjislativit dhe në disa bashki të vendit.
Kësaj qeverie të paaftë që menaxhohet nga trafikantët më të fuqishëm në Ballkan, i është bashkëngjitur një numër i madh i refugjatëve të disidencës politike nga Irani, prania e të cilëve mund të materializojë ngjarje destabilizuese jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera në Ballkan dhe në Evropën Juglindore.
Përveç përhapjes së trafikut të drogës në vendin e shqiponjave, atje ka plasur edhe kriza e mbetjeve kimike (toksike) nga Italia, të cilat janë varrosur në qytetet e Fierit, Vlorës, Shkodrës, Durrësit dhe Dibrës. Gjatë vitit të kaluar mijëra kontenierë erdhën nga porti i Gioia-Tauro (porti më i madh i mallrave në Itali) me destinacion shtetin e Maqedonisë. Ndërkaq, nga 2,600 kontenierë që u nisën nga Gioia-Tauro, vetëm 1,132 mbërritën në Maqedoni dhe pjesa tjetër (1,468 kontenierë) u varrosën në Shqipëri.
Për shkak të keqqeverisjes, premtimeve të pambajtura, korrupsionit dhe autokracisë së tejskajshme, mijëra shqiptarë kanë protestuar vazhdimisht në rrugët e Tiranës dhe qyteteve të tjera, ndërsa populli është goditur nga varfëria ekstreme, kequshqyerja dhe papunësia. Qeveria e Tiranës vazhdon të shkaktojë dëme të mëdha, transversale, në demografinë e rajonit dhe kundrejt nivelit ekonomik dhe në tregjet e brishta evropiane. Me mijëra shqiptarë kanë vendosur të shpërngulen familjarisht drejt Francës dhe Gjermanisë; ndërsa në vitet e fundit, numri i foshnjave të porsalindura dhe i rasteve të shtatzënisë kanë kapur nivele shqetësuese dhe alarmante.
Tirana është në një gjendje të rëndë inkoherence politike, ekonomia është prekur thellë nga varfëria e tejskajshme dhe papunësia, ndërsa njerëzit janë plotësisht në gatishmëri – të shoqëruar nga drejtuesit e Partisë Demokratike dhe opozita në tërësi – duke u kërkuar vazhdimisht maçokëve të lagur të qeverisë që të respektojnë vlerat demokratike dhe lirinë e shtypit, të respektojnë procesin dhe rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme, të krijohet urgjentisht një qeveri teknike, dhe mbi të gjitha të eliminohet regjimi autokratik që po kontrollon Shqipërinë.
* Peter Tase, këshilltar për marrëdhëniet ndërkombëtare i dekanit Harold J. Krent, në Chicago – Kent College of Law (Illinois Institute of Technology), SHBA.

Artikulli paraprakPërshkallëzohet protesta, shtab koordinues i opozitës për aksionin popullor
Artikulli tjetërFaqja e pare