Shqipëria është shndërruar në një parajsë fiskale për mafien

-Z.Berisha, pas publikimit të e-maileve nga Panama Papers është përmendur edhe emri i Ismail Mulletit, siç thuhet një nga ish-ortakët e Shoqërisë Shqiponja dikur në pronësi të Partisë Demokratike. A e njihni ju këtë person?

Problemi është se, Ismail Mulleti është një biznesmen, deri tani i regjistruar si dhjetëra mijëra të tjerë biznesmenë, në ato që duhen “parajsa fiskale”, të cilat janë shumë të fuqishme brenda kontinentit tonë, brenda hapësirës së Bashkimit Europian dhe në mbarë botën. Deri këtu, Ismail Mulleti ka kryer një veprim ligjor. Ku qëndron çështja tani. Duhet të dallojmë bizneset dhe politikanët. Bizneset kanë të drejtë t’i dërgojnë paratë, t’i qarkullojnë ato në çdo skaj, por ta bëjnë këtë në mënyrë transparente, pra jo për evazion fiskal. Në qoftë se transfertat e një biznesmeni, në një nga këto vende që quhen “parajsa fiskale”, nuk janë bërë për mashtrim, kjo është veprimtari plotësisht e ligjshme. Ata të cilët, për hir të së vërtetës ngjallin dyshim të plotë, janë politikanët, përjashtuar ndonjë rast që rastis të jetë biznesmen para se të hyjë në politikë dhe dërgon pasuritë, por politikanët, mendoj unë, nuk kanë motive për të çuar paratë e tyre në “parajsat fiskale”, ndonëse janë transferta të deklaruara dhe të paguara taksat, përsëri edhe kjo nuk përbën shkelje ligji, por të deklaruara në dokumentet e deklarimit të pasurive. Se i ke në këtë bankë apo në x bankë, kjo është çështje tjetër, nëse i ke transparente. Kjo është për çdo biznesmen, kanë bërë transfertë çmimi, kanë bërë evazion, e kanë përdor këtë mekanizëm për evazion, atëherë ata kanë kryer një krim  ekonomik për të cilin ka rregullat e veta të ndëshkimit. Për politikanët është ndryshe. Nëse do më pyesje mua a kanë çuar politikanët shqiptarë para në parajsat fiskale, unë mund të them…

 Jo unë mund t’ju pyes a keni çuar ju para në parajsat fiskale?

Unë po them vetëm kaq. Unë nuk di asnjë arsye që politikanët shqiptarë të çojnë para në “parajsat fiskale”, pasi e kanë këtu, e kanë shndërruar Shqipërinë në parajsë fiskale për ta. Po marrim Edi Ramën. Nuk ekziston asnjë faturë bankare ndërtimore, tatimore për pallatin në pajë, nuk ekziston asgjë transparente për vilën …

 Që është ndërtuar gjatë qeverisjes si “parajsë fiskale” tuajën?

Por përgjegjësinë e ka ai. Kur ne filluam hetimin, ne humbëm zgjedhjet dhe ai, aktin e parë që bëri shkarkoi nga detyra atë që po e hetonte. Shkarkoi nga detyra kreun e atij institucioni, që ka detyrë ta hetonte Edi Ramën. Mos hyjmë në këtë tani…

Apo sarajet e Surrelit, 57 metra të gjata, tre vila të lidhura njëra me tjetrën, ku vetëm pigmenti i betonit është 70 mijë euro, për të mos thënë për xhamin super special të çatisë e të tjera me radhë. Pra, parajsa fiskale, këta e kanë shndërruar vendin me këto. Megjithatë, çdo politikani që t’i gjendet ai duhet bërë përgjegjës.

 A e njihni Ismail Mulletin?

Kam një njohje, por njohje të afërt nuk kam. Ka qenë aktivist në lobin shqiptaro-amerikan, unë e kam takuar kur ka ardhur me lobistë shqiptarë-amerikanë, në mos gaboj ka aktivitete në shoqatat e emigrantëve shqiptarë në SHBA.

 Ka vënë para gjatë qeverisjes suaj të parë kur ju keni qenë President?

Nuk e kam parasysh të them të vërtetën, edhe mund të ketë vënë nuk mund ta them këtë. Nuk e kam takuar ndonjëherë gjatë kohës që unë kam qenë president, nuk e kam takuar ndonjëherë gjatë kohës që unë kam qenë kryetar i PD-së. Unë e kam takuar atë më vonë, kur unë jam bërë Kryeministër, në mos gaboj ose këtu ose në Nju Jork në kuadrin e këtyre shoqatave të lobingut shqiptaro-amerikan.

 Keni informacion që z. Mulleti ka kryer biznes ilegal?

Asnjë informacion.

 Keni informacion që z. Mulleti është prapa firmës “Global Fluids International ”, e cila ka marrë koncesionin e markimit të karburanteve gjatë qeverisjes suaj, në mars të 2013?

Ti e bëre mirë që e the muajin, sepse mbrëmë zëdhënës të mafies thanë se e ka marrë pas zgjedhjeve. “Global Fluids International” ka marrë, ka fituar të drejtën, pas dy vitesh negociatash, për të markuar naftën shqiptare në një çmim, jo siç mashtrojnë zëdhënësit e mafies në studiot televizive, por gjithsej 10 qindarka për litër, ky është çmimi i kontratës. Kjo kontratë nga mafia shqiptare u dërgua në Gjykatë Kushtetuese dhe dëgjoja mbrëmë zëdhënësin e mafies që thoshte se, Gjykata Kushtetuese u detyrua të kthejë mbrapsht paratë që kishin marrë. Se kur vë një mafioz në mikrofon, natyrisht që do të dëgjosh vetëm mafiozitete. Pra, kush donte ta anulonte këtë kontratë? Këtë kontratë donte ta anulonte kontrabanda e naftës,  donin ta anulonin ata të cilët, po t’i lësh, ju derdhën shqiptarëve të paktën 10 mijë ton squfur.

 Në Gjykatë Kushtetuese është paraqitur Shoqata e Hidrokarbureve?

Sigurisht, e manipuluar totalisht nga mafia e naftës.

 Që ka emër?

I njihni të gjithë ata. Vazhdojmë më tutje. Kjo kontratë u firmos me kompaninë kanadeze “Global Fluids International” dhe një ortak i tij Izraelit, kompani, e cila kishte patentën unike të shënjuesit të naftës. Jo bojën, por një substancë tjetër sekretin e së cilës e kishte kjo kompani dhe kjo kompani bënte markim dhe bën markim në një seri vendesh të tjera. Natyrisht që mafies së naftës, kjo nuk i intereson. Pse? Për të ardhur keq se mediat janë larg mbrojtjes së interesit publik. Afera e zbuluar, se 4 milionë litra naftë, afera “Kokëdhima” le të themi, u morën nga puset dhe u hodhën në pompat e benzinës. E di çdo të thotë kjo? Nuk ka krim më të rëndë mjedisi se kjo. Shanset e kancerit në progresion gjeometrik nga ajri që rispirojnë shqiptarët.

-Edhe markimi nuk ka funksionuar …?

Jo prit një minutë. Cili ishte markimi. Markimi ishte çdo litër naftë që importohej dhe që nxirrej në Shqipëri. Pse ishte kjo? Pikërisht për të bllokuar këtë krim të shëmtuar që kryenin kompanitë e naftës, mafiozët e naftës, duke marrë naftë bruto nga pusi dhe duke e futur në pompat e benzinatës. Nga më kryesoret kjo ishte. Ç’bënë kompanitë e naftës apo shoqata e mirëpaguara të naftës? Pse ndikoi në çmim 10 qindarka në çmim, e mori dhe e çoi në Gjykatë Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese i ka dhënë kontratës fuqi kushtetuese, pasi e ka analizuar në çdo detaj në çdo aspekt dhe çdo pretendim, jo siç mashtrojnë zëdhënësit e mafies në studio. Pra, Gjykata e ka gjetur atë të ligjshme, të drejtë,  të zbatueshme dhe ajo është e vetmja kontratë që ka prerogativë nenet e Kushtetutës. Kjo është e vërteta. Se çfarë “Global Fluids International”  futuni në uebsite dhe e gjeni se çfarë është. Është një kompani kanadeze, e cila merret me markimin e naftës dhe ka shënjuesin e vet dhe ka patur 25% të aksioneve një kompani izraelite. Tani, a ka patur një kompani shqiptare, por të më pyesësh mua nuk di asnjë kompani të huaj, mbase edhe ka, që të mos ketë një kompani shqiptare të lidhur me të. E kanë ligj kompanitë e huaja këtë.

 Kur ju keni bërë kontratën mua nuk më rezulton një kompani shqiptare…?

Ligji tregtar nuk i pengon kurrë shitjen dhe blerjen e aksioneve. Nuk ka vend në botë që do ta pengojë atë nëse do t’i përmbahen lirisë së tregut. Kështu që, ka shitur aksione e ka blerë aksione, kjo është punë tjetër. Qeveria shqiptare ka firmosur me këtë,  dhe qeveria sot është e detyruar të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përkundrazi, këta gjënë e parë që bënë ishte se përjashtuan naftën bruto, e hoqën naftën bruto nga lista e shënjimit dhe dolën se 4 milionë litra naftë bruto u hodhën në benzinatat e Shqipërisë. Por ky është krim i shëmtuar. Ky është i gjithë problemi i kompanisë. Nuk është firmosur pas zgjedhjeve, është negociuar dy vjet me një nga kompanitë serioze të tregut të markimit, me një marker shumë të veçantë që nuk i shpëton dot dhe e gjitha kjo luftë që iu bë kësaj kompanie iu bë nga mafia e kontrabandës së naftës.

  A keni dëgjuar se në këtë kontratë të markimit të karburanteve ka patur ministra, familjarë të tyre që janë lidhur me këtë koncesion?

Familjarë të mi nuk kanë qenë kurrë dhe nuk mund të jenë, dhe kjo është një shpifje që përsëritet sa herë i leverdis qeverisë dhe që nuk paraqesin dot kurrë një fakt të vetëm për asnjë rast. Familjarët e mi nuk kanë pasur dhe nuk mund të kenë kurrë asnjë lidhje me asnjë kompani që ka lidhje me sektorin publik. Ligj i hekurt ky, dhe nuk është thyer qoftë edhe në një rast të vetëm. Përsa i përket ministrave, nuk kam dëgjuar kurrë, por nëse ndonjë ministër ka pasur aksione, atëherë ai ka shkelur rregullat dhe ndaj tij mbahet qëndrim, por në të përgjithshëm nuk shkon kjo. Faktikisht kompania po operon dhe vetëm dy javë përpara është urdhëri i Arben Ahmetajt që të zbatohet kontrata me kompaninë.

 Kur u firmos kontrata me “Global Fluids International” është edhe firma që ju e quani izraelite, por mua më del e regjistruar në Zvicër dhe nuk ka një pronar. Mund të firmoset një koncesion kur nuk dihet pronari?

Nuk ka mundësi të mos ketë pronar, s’ka kompani që s’ka pronar.

 Nuk është publik pronari?

Ajo është punë tjetër është publik apo jo.

 Mund të firmoset një kontratë e tillë? Moralisht jo ligjërisht.

Plotësisht që mund të firmoset. Pronari dihej. 80% të aksioneve i ka pasur kompania kanadeze “Global Fluids International” dhe pjesa tjetër prej 25% e ka patur një kompani që është një kompani izraelite.

 Ka mundësi të jetë ky personi që përfshihet tani?

A mund të jetë ky apo nuk mund të jetë ky, atë nuk mund ta them unë. Në qoftë se ky personi ka patur një kompani tjetër në Shqipëri dhe ka fshehur të ardhurat nga ajo kompani, ky person është përgjegjës para ligjit shqiptar. Di që për kohën që kemi qenë në pushtet, kjo kompani ka siguruar zero të ardhura në Shqipëri, sepse kontrata është nënshkruar në mars dhe shoqata e hodhi  në Gjykatë Kushtetuese dhe ajo bllokoi aktivitetin, nuk e filloi dhe priti vendimin e Gjykatës Kushtetuese që mos gaboj është i prillit të vitit 2014.  Çfarë mund të them unë, se ky Halkin përfitoi të ardhurat se nuk kishte asnjë qindarkë dhe i depozitoi në “parajsat fiskale”, kjo është absurde qesharake. Në atë periudhë, kjo kompani ka pasur zero aktivitet.

 Ju keni dijeni që ky izraelit është i njëjti i Petroleum Consulting Partners AG…?

Jo nuk e di. Asnjë lloj interesi nuk kam unë në këtë rast, këto janë lëvizje aksionesh. Nëse kompania “Global Fluids International S.A.” e ka pranuar këtë kompani është puna e tij. Për çfarë arsye, pra pse ka marrë këtë kompani izraelite është problemi i tij, është 80% aksionere.

 Sot, zotëron 90% të aksioneve i ka Petroleum Consulting Partners AG?

Por më thonë se i ka dhënë të gjitha mundësitë për të vazhduar markimin.

 Po gjurmojmë Ismail Mulletin, për lidhje me këtë firmë?

Ismail Mulleti, në dijeninë time nuk ka ekzistuar si aksioner kur  “Global Fluids International S.A.”  kishte 75% dhe kompania tjetër kishte 25%. Por, po ta them këtu edhe sikur të ishin 5 shqiptarë dhe “Global Fluids International S.A.” të ishte kryesor, kjo nuk ndryshonte qëndrimin tim, sepse unë nuk ka pse të paragjykoj, pse ka marrë  këta apo atë ortak. Nuk jua zgjedhim ne ortakun. Gjëja më korruptive që mund të bëjë një qeveri është t’u përcaktojë ortakun të huajve. Kurrë, kurrë nuk është bërë dhe nuk mund të bëhej nga unë. Që në momentin që t’i ke sugjeruar një ortak, t’i ke sugjeruar një interes.

 Pra çdo gjë që do të dëgjojmë dhe do të flitet këto kohë në media dhe nga kundërshtarët tuaj është e pavërtetë ju nuk keni lidhje me atë person?

Trillim fund e krye. Me kompaninë, zero.

 Me Ismail Mulletin?

Zero.

  Ju bëra një pyetje në fillim të intervistës për pasuritë offshore nëse mund t’ju gjejmë emrin tek Panama Papers?

Çdo gjë që gjendet offshore, jo nga unë, por edhe nga fëmijët e mi është e imja, është e Sali Berishës. Kurrë, as mund të ketë dhe as mund të ndodhë. Pra çdo gjë që të gjendet e tyre, është e imja, s’është e tyre.

 Po për ministrat nuk mbani përgjegjësi?

Unë marr ato përgjegjësi që më takojnë. Unë mund të them që edhe për këta nuk mbaj përgjegjësi, se ne jemi të ndarë, por nuk them atë. Unë them se nëse gjendet qoftë edhe një qindarkë e tyre, por ne kemi standardet tona si familje, të cilat as nuk janë shkelur dhe as nuk do shkelen ndonjëherë.

Artikulli paraprakAsnjë tërheqje, sot beteja në Parlament për kushtet
Artikulli tjetërAhmetaj firmosi për kompaninë në letrat e ‘Panama Paper”