Shpërthim në repartin ushtarak në Porto Romano, dy të plagosur

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur pasditen e djeshme në një repart ushtarak në Porto Romano. Si pasojë kanë mbetur të plagosur dy persona, Emirjan Kolndreu dhe Vullnet Shehaj. Sipas raportimeve nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, teksa gjatë pastrimit të territorit të repartit ka patur një shpërthim. Mësohet se dy personat teksa po pastronin oborrin e repartit ushtarak, i vunë flakën shkurreve, dhe si pasojë ka ardhur edhe shpërthimi i një kapsolle.
Si pasojë ka pësuar dëmtime të lehta në dorë dhe këmbë një ushtarak, rreshter në Forcën Ajrore, i cili është dërguar menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Po kështu, i dëmtuar lehtë edhe një punonjës civil i agjencisë së trafikut ajror, Albcontrol. Menjëherë dy të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Durrësit për të marrë ndihmën mjekësore.  “Nga komunikimi i fundit me mjekët, gjendja shëndetësore e të lënduarve paraqitet e qëndrueshme. Ata kanë pësuar vetëm djegie të lehta”, thuhet në njoftimin e Shtabit të FA.
Dyshohet se lënda plasëse që ka shpërthyer ka qenë barut. Ndonëse ende nuk dihen rrethanat sesi ka ndodhur ngjarja. Policia Ushtarake dhe ajo e Shtetit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për të bërë verifikimet e nevojshme për nxjerrjen e shkaqeve të shpërthimit.
Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit në njoftimin e saj për ngjarjen thotë se dy të plagosurit nuk janë ushtarakë, por roje civile. “Më datë 22.03.2017, ora 14:15, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës kanë shkuar për të marrë mjekim shtetasit E. K. 37 vjeç, banues në Tiranë dhe V.Sh. 46 vjeç, banues në Durrës, roje (civilë dhe jo ushtarakë) tek Reparti Ushtarak, në Porto-Romano, Durrës.
Shtetasit e mësipërm kanë korrur barin brenda territorit të Repartit Ushtarak dhe më pas i kanë vënë zjarrin për të djegur sasinë e barit të korrur. Në djegie e sipër të barit të korrur ka ndodhur një shpërthim (nuk dihet çfarë ka shpërthyer) dhe për pasojë janë dëmtuar shtetasit e lartpërmendur.
Meqenëse ngjarja ka ndodhur brenda territorit të Repartit Ushtarak njoftojmë se, veprimet e mëtejshme do të kryhen nga grupi hetimor i Ministrisë së Mbrojtjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Artikulli paraprakTre fshatra në Fier, protestë kundër impiantit të plehrave
Artikulli tjetërTë shtëna me armë në Elbasan, një i plagosur, terrorizohen banorët